Botë

32 të vdekur dhe qindra të lënduar nga shpërthimi në depo në Bangladesh

32 të vdekur dhe qindra të lënduar nga shpërthimi në depo në Bangladesh

Të paktën 32 persona kanë mbetur të vdekur dhe qindra të tjerë janë lënduar në Bangladesh, si pasojë e një shpërthimi brenda një depoje magazinimi në qytetin Chittagong.

Shkaku i zjarrit nuk është bërë ende i ditur, por dyshohet se në disa prej kontejnerëve janë ruajtur lëndë kimike, raportoi të dielën BBC-ja.

Shumë prej të lënduarve janë në gjendje kritike me djegien që ka mbuluar prej 60 deri në 90 për qind të trupit të tyre.

"Shpërthimi më hodhi rreth 10 metra larg vendit ku po qëndroja. Duart dhe këmbët e mia janë djegur", ka thënë për AFP-në Tofael Ahmed, shofer kamioni.

Mes të vdekurve dhe të lënduarve ka edhe disa zjarrfikës.

Sipas një zyrtari të qeverisë rajonale, depoja përmbante miliona dollarë veshje që prisnin të eksportoheshin në perëndim.

Ushtria është vënë në funksion për të parandaluar derdhjen e kimikateve në det.