“Uria akute po rritet në nivele të paprecedentë dhe situata globale vazhdon të përkeqësohet. Konflikti, kriza klimatike, COVID-19 dhe rritja e kostove të ushqimit dhe karburantit kanë krijuar një stuhi të përsosur – dhe tani kemi luftën në Ukrainë duke kulmuar katastrofën e katastrofave”, paralajmëroi drejtori ekzekutiv i Programit Botëror të Ushqimit, David Beasley
Tani Ayan Hassan Abdirahmani i kushton dy herë më shumë se vetëm disa muaj më parë blerja e miellit që përdor për të përgatitur mëngjesin çdo ditë për 11 fëmijët e saj në kryeqytetin e Somalisë.
Pothuajse i gjithë gruri i shitur në Somali vjen nga Ukraina dhe Rusia, të cilat kanë ndalur eksportet përmes Detit të Zi, që kur Moska nisi luftën kundër shtetit fqinj më 24 shkurt. Koha nuk mund të jetë më e keqe: OKB-ja ka paralajmëruar se rreth 13 milionë njerëz po përballen me urinë e madhe në rajonin e Bririt të Afrikës si pasojë e thatësirës së vazhdueshme.
Ngritja e çmimeve
Abdirahman është përpjekur ta zëvendësojë miellin me një drithë tjetër të disponueshëm. Megjithatë, inflacioni do të thotë se çmimi i vajit të gatimit që i duhet ende është rritur gjithashtu – një kavanoz që dikur kushtonte 16 dollarë, tani shitet për 45 dollarë në tregjet e Mogadishusë.
“Kostoja e jetesës është e lartë në ditët e sotme, duke e bërë të vështirë për familjet edhe blerjen e miellit dhe vajit”, thotë ajo.
Haji Abdi Dhiblawe, biznesmen që importon miell gruri në Somali, ka frikë se situata vetëm do të përkeqësohet: Ekziston gjithashtu mungesë e menjëhershme e kontejnerëve të transportit për të sjellë furnizime ushqimore nga ndonjë vend tjetër.
“Somalezët nuk kanë vend për të rritur grurin dhe ne nuk jemi as të njohur se si ta kultivojmë atë”, thotë ai. “Shqetësimi ynë kryesor tani është se çfarë do të na sjellë e ardhmja kur të na mbarojnë furnizimet”.
18 milionë njerëz të tjerë po përballen me urinë e madhe në Sahel, pjesa e Afrikës poshtë shkretëtirës së Saharasë, ku fermerët po përballen me prodhimin më të ligë bujqësor qe më shumë se një dekadë. Programi Botëror i Ushqimit i OKB-së thotë se mungesat e ushqimit mund të përkeqësohen kur sezoni të kulmojë në fund të verës.
“Uria akute po rritet në nivele të paprecedentë dhe situata globale vazhdon të përkeqësohet. Konflikti, kriza klimatike, COVID-19 dhe rritja e kostove të ushqimit dhe karburantit kanë krijuar një stuhi të përsosur – dhe tani kemi luftën në Ukrainë duke kulmuar katastrofën e katastrofave”, paralajmëroi drejtori ekzekutiv i Programit Botëror të Ushqimit, David Beasley.

Në mëshirë të krizave
Edhe kostoja e ushqimit terapeutik për fëmijët e kequshqyer mund të rritet me 16% gjatë gjashtë muajve të ardhshëm për shkak të luftës në Ukrainë dhe ndërprerjeve që lidhen me pandeminë, njofton UNICEF-i.
Vendet afrikane importuan 44% të grurit të tyre nga Rusia dhe Ukraina midis 2018 dhe 2020, njofton OKB-ja. Banka Afrikane e Zhvillimit po raporton tashmë rritje prej 45% të çmimeve të grurit në kontinent.
“Afrika nuk ka kontroll mbi zinxhirët e prodhimit apo logjistikës dhe është plotësisht në mëshirën e situatës”, tha presidenti senegalez, Macky Sall, kryetar i Bashkimit Afrikan. Ai ka thënë se do të udhëtojë në Rusi dhe Ukrainë për t’i diskutuar problemet e çmimeve.
Presidenti rus, Vladimir Putin, i bëri presion Perëndimit javën e kaluar që të heqë sanksionet kundër Moskës për luftën në Ukrainë, duke kërkuar të zhvendosë fajin nga Rusia te Perëndimi për krizën në rritje botërore ushqimore që është përkeqësuar nga pamundësia e Ukrainës për të transportuar miliona tonelata drithë dhe produkte të tjera bujqësore.
Putini i tha kryeministrit italian, Mario Draghi, se Moska “është e gatshme të japë një kontribut të rëndësishëm në tejkalimin e krizës ushqimore përmes eksportit të grurit dhe plehrave me kusht që të hiqen kufizimet e motivuara politikisht të vendosura nga Perëndimi”.
Zyrtarët perëndimorë kanë hedhur poshtë pretendimet ruse. Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka vënë në dukje se ushqimi, plehrat dhe farat janë të përjashtuara nga sanksionet e vendosura nga SHBA-ja dhe shumë shtete të tjera ndaj Rusisë.

Ndryshimi i detyruar i kulturës së ushqimit
Në Kamerun, bukëpjekësi Sylvester Ako thotë se ka parë që klientela e tij ditore po bie nga 300 klientë në ditë në vetëm 100 sosh pasi çmimet e bukës u rritën me 40% për shkak të mungesës së importit të grurit. Ai tashmë ka larguar nga puna shtatë punëtorë dhe shqetësohet se do të duhet ta mbyllë plotësisht biznesin e tij në Yaounde nëse gjendja nuk ndryshon.
“Çmimi i një thesi 50 kilogramësh me grurë tani shitet me 60 dollarë - nga rreth 30 dollarë - dhe furnizimi nuk është i rregullt”, tha Ako.
Së bashku me mungesën në importet e grurit, Banka Afrikane për Zhvillim po paralajmëron gjithashtu një rënie të mundshme prej 20% të prodhimit të ushqimit në kontinent, sepse fermerët duhet të paguajnë 300% më shumë për plehrat e tyre të importuara.
Organizata thotë se planifikon t'i adresojë çështjet përmes një plani prej 1.5 miliardë dollarësh që do t'u sigurojë fermerëve në Afrikë fara të certifikuara, plehra dhe ndihmë të tjera. Reduktimi i varësisë nga importet e huaja është pjesë e strategjisë, por këto transicione ekonomike ka të ngjarë të zgjasin vite, jo muaj.
Presidenti i Senegalit po i inkurajon afrikanët të konsumojnë drithëra lokale që dikur ishin pika kryesore e dietave të tyre.
“Ne gjithashtu duhet t’i ndryshojmë zakonet tona të të ngrënit”, tha Sall. “Ne hoqëm melin dhe filluam të importonim oriz nga Azia. Tani dimë vetëm si të hamë oriz dhe nuk prodhojmë mjaftueshëm. Ne dimë vetëm të hamë bukë. Ne nuk kultivojmë grurë”.