Botë

Rusia heq kufizimin e moshës për ushtarët profesionistë

Rusia ka hequr kufizimin e moshës për ushtarët profesionistë, duke hapur rrugën që më shumë ekspertë civilë të rekrutohen për konfliktin në Ukrainë, shkruan BBC të shtunën.

Presidenti Vladimir Putin ka nënshkruar një ligj që u mundëson personave mbi 40 vjeç të regjistrohen në forcat e armatosura. Ata pritet të jenë njerëz në moshë normale pune.

Më parë ushtria kishte kufij moshe 18-40 vjeç për rusët dhe 18-30 për të huajt.

Rusia po e paraqet atë si një lëvizje për të rekrutuar më shumë specialistë teknikë.

Ligji i ri thotë se specialistëve u kërkohet të përdorin armë me precizion të lartë dhe "përvoja tregon se ato bëhen të tilla në moshën 40-45 vjeç". Mund të rekrutohen gjithashtu më shumë mjekë, inxhinierë dhe ekspertë të komunikimit.

Ekspertët ushtarakë ukrainas dhe perëndimorë thonë se Rusia ka pësuar humbje të mëdha në luftë: rreth 30 mijë të vrarë, sipas Ukrainës, ndërsa qeveria e Britanisë e vlerëson numrin në rreth 15 mijë. Në krahasim, humbjet sovjetike në nëntë vitet e luftës në Afganistan ishin rreth 15 mijë.

Putini ka shmangur rekrutimin në shkallë të gjerë për atë që Rusia e quan "operacioni special ushtarak" në Ukrainë.

Por në mars, Ministria ruse e Mbrojtjes pranoi se disa rekrutë ishin përfshirë në konflikt dhe disa ishin zënë rob nga forcat ukrainase. Ministria e Mbrojtjes theksoi se nuk ishte politikë zyrtare dërgimi i rekrutëve në betejë.

Rekrutimi, i njohur gjithashtu si draft, është një praktikë shekullore për shtetet që kërkojnë një numër të madh burrash për të shërbyer në ushtri. Rekrutimi i Rusisë, që daton që nga koha e carëve, detyron burrat e moshës 18 deri në 27 vjeç të shërbejnë një vit në ushtri. Por shumë prej tyre marrin përjashtime për arsye mjekësore, ose sepse janë studentë.

Rusia tani ka më shumë se 400 mijë ushtarë profesionistë "me kontratë" në forcat e saj të armatosura aktive prej 900 mijë trupash. Ajo gjithashtu mund të mobilizojë rreth dy milionë rezervistë, thonë analistët ushtarakë.

Ushtria e Ukrainës është shumë më e vogël - ajo ka rreth 200 mijë trupa aktive dhe 900 mijë rezervistë, megjithëse i ka rritur këto shifra përmes mobilizimit masiv që kur Rusia nisi pushtimin më 24 shkurt.