Botë

Beteja e nënës ruse për t’i shpëtuar djemtë nga lufta në Ukrainë

Kur dy djemtë e ruses Marina (jo emri i saj i vërtetë) u rekrutuan dimrin e kaluar në ushtrinë ruse, ajo e mirëpriti idenë që fëmijët e saj të bënin shërbimin ushtarak për një vit.

“Unë u thashë se duhej të shërbenin, ishte detyrë e tyre ndaj atdheut”, ka thënë Marina në një intervistë për BBC.

Por disa javë më vonë ajo filloi të shqetësohej. Djemtë e saj ishin vendosur në një zonë afër kufirit me Ukrainën.

Më 24 shkurt, presidenti Vladimir Putin urdhëroi trupat ruse të pushtonin Ukrainën. Atë ditë Marina humbi kontaktet me djemtë e saj.

"Koha ndaloi për mua. Nuk mund të haja. Nuk mund të flija. Kam shkëmbyer mesazhe me nënat e rekrutëve të tjerë nga e njëjta njësi. Doli se shumë prej tyre kishin humbur kontaktin me fëmijët e tyre”, shtoi ajo.

Kremlini premtoi se rekrutët rusë nuk do të dërgoheshin në Ukrainë.

Por, ku ishin djemtë e Marinës?

“Hipa në makinë dhe fillova të kërkoja. Në telefon një nga komandantët këmbënguli se ishin në stërvitje ushtarake jashtë në fusha. Unë i thashë: Kam vizituar të gjitha fushat këtu afër ku kishte pasur stërvitje. Ata nuk jam aty. Ju lutem mos më gënjeni. Ai e mbylli telefonin”, sqaron Marina.

"Një herë, nga dëshpërimi, u përpoqa të shkoja me makinë në Ukrainë. Sigurisht, ata nuk më lanë të kaloja. Kishte pika kontrolli kudo. Mora një telefonatë nga dikush që më tha se kishte të vdekur dhe të plagosur. Unë nxitova në spitalin ushtarak”, vazhdoi ajo rrëfimin e saj.

Djemtë e Marinës nuk ishin aty, por ajo u trondit nga ajo që pa.

"Në spitalin ushtarak nuk kishte mjaftueshëm ilaçe apo fasha. Banorët vendas sollën furnizime. Ushtarët kishin të ftohtë dhe ishin të uritur. Vendasit me zemër të madhe po sillnin ushqim dhe pije në spital. Më thanë lajmin e tmerrshëm: Fëmijët tuaj kanë nënshkruar kontrata ushtarake për të qenë ushtarë profesionistë. Ata po marrin pjesë në operacionin ushtarak special në Ukrainë. Ata do të kthehen si heronj", tregon Marina.

Ajo menjëherë i ka shkruar zyrës së prokurorit të Përgjithshëm duke kërkuar hetime.

"U thashë se nuk kishte mundësi që djemtë e mi të kishin nënshkruar kontrata ushtarake. Unë isha e sigurt. Shkruanin edhe nënat e tjera. Të gjitha i njihnin fëmijët e tyre”, është shprehur ajo.

Rusia mbështetet në rekrutimin për të rritur numrin e trupave në forcat e armatosura. Shërbimi ushtarak zgjat 12 muaj dhe, me disa përjashtime, është i detyrueshëm për burrat rusë të moshës nga 18 deri në 27 vjeç.

Më 5 mars, presidenti Putin njoftoi se "vetëm ushtarë profesionistë, oficerë dhe ushtarakë me kontratë po marrin pjesë në operacion në Ukrainë.

“Nuk ka asnjë rekrutë të vetëm atje dhe ne nuk do t'i përdorim ata", pati thënë Putini.

Por vetëm katër ditë më vonë, ministria ruse e Mbrojtjes pranoi, për herë të parë, se rekrutët ishin në mesin e personelit ushtarak të përfshirë në ofensivën ruse në Ukrainë. Ministria më pas pretendoi se "praktikisht të gjithë ushtarakët e tillë tani janë kthyer në Rusi".

Një zëdhënës i Kremlinit tha se presidenti kishte urdhëruar zyrën e prokurorit ushtarak të hetonte se si ishin paraqitur rekrutët në Ukrainë.

Edhe ankesa zyrtare e Marinës u miratua. Autoritetet ruse konfirmuan se djemtë e saj nuk kishin nënshkruar kontrata ushtarake. Të dy djemtë u kthyen në Rusi.

“Kur i pashë, ata dukeshin në rrëmujë totale. Kur u kthyen nga atje ishin kaq të hollë, të pistë dhe të rraskapitur. Rrobat e tyre ishin grisur. Njëri nga ta më tha: Më mirë të mos e dini se çfarë ndodhi atje.

Marina është e zemëruar për atë që ndodhi.

Image
Marina dhe dy djemtë e saj rekrutë

“Më kanë gënjyer në fytyrë. Fillimisht ata gënjyen se djemtë e mi nuk ishin në Ukrainë. Më pas ata gënjenin se kishin nënshkruar kontrata ushtarake. Oficerët gënjenin, rreshterët gënjenin. Më vonë dikush më tha se nuk lejoheshin të më tregonin të vërtetën. E pabesueshme. Ata ishin lejuan të shkelin ligjin dhe të dërgojnë djemtë e mi në Ukrainë, por ata nuk u lejuan t'i tregonin një nëne se ku janë fëmijët e saj”, ka thënë Marina.

“Do të doja të besoja se presidenti ynë, komandanti i përgjithshëm, thjesht nuk është i vetëdijshëm për rrëmujën dhe kaosin në ushtri. Dua t'i them se jo gjithçka këtu është ashtu siç thonë në televizion", është shprehur ajo.

Marina ndjehet e lehtësuar që djemtë e saj rekrutuar janë të sigurt. Mendimet e saj tani janë me familjet e tjera.

"Kaq shumë djem nuk janë kthyer dhe nuk do të kthehen kurrë. Kaq shumë nëna janë ende në kërkim të fëmijëve të tyre. Është e tmerrshme. Ne supozohet të kemi arritur kulmin e zhvillimit njerëzor. Si nuk mundëm të arrijmë marrëveshje? Pse duhet të luftojmë dhe të vrasim? Fëmijët e mi ishin njerëz të ndryshëm kur u kthyen. Ju mund ta shihni këtë në sytë e tyre. Ata janë të zhgënjyer. Unë dua që ata të besojnë përsëri në një të ardhme të ndritshme, në paqe dhe dashuri. Ata kanë pushuar së besuari”, ka përfunduar rrëfimin e luftës së saj për kthimin e djemve në Rusi.

Përktheu: Flutura Gashi-Mehmeti