Botë

Kompanitë e vajit të palmës ua plaçkitin fiseve miliona dollarë

Blini diçka në një supermarket dhe ka shumë mundësi që të përmbajë vaj palme. Ndiqni atë përmes zinxhirit të furnizimit dhe përfundimisht do të gjeni vaj palme me gjasë në Indonezi. Por kompanitë që ua shesin firmave të mëdha si Johnson & Johnson, Kellogg's dhe Mondelēz po privojnë komunitetet indigjene nga të ardhurat potencialisht të miliona dollarëve

Mat Yadi gjurmon shtratin e lumit, shtiza e tij gati për të goditur. Por sot, si shumë ditë, ai nuk kap asgjë.

“Më parë kishte shumë derra, drerë, antilopë dhe iriq”, thotë ai. "Tani nuk ka pothuajse asgjë të gjallë".

Ai i takon orang rimbas - një nga fiset e fundit nomade në Indonezi. Për breza të tërë ata kanë jetuar nga xhungla në ishullin e Sumatrës – nga gjuetia dhe mbledhja e frutave.

Në vitet 1990, një kompani e vajit të palmës mbërriti në shtëpinë e tyre të largët në Tebing Tinggi me premtime për pasuri dhe zhvillim.

Ajo do të merrte kontrollin e tokës stërgjyshore të komunitetit dhe në këmbim, sipas orang rimbas, ata do të merrnin mbrapsht më shumë se gjysmën e saj, të mbjellë me palma vaji, një kulturë e mrekullueshme me kërkesë në rritje në të gjithë globin. Do të ishte fitimprurëse për të dy palët, pasi fisi do t'i shiste kompanisë frutat që korrnin.

"Korporatat janë të pangopura”

Gjatë 25 vjetëve, palmat e vajit u rritën dhe frutat me ngjyrë portokalli të ndezur vërshuan në mullirin e kompanisë, duke prodhuar vaj ushqimor me vlerë prej miliona dollarësh për pronarin e saj përfundimtar, Salim Group, të blerë nga prodhues të produkteve si çokollata e Cadburyt, Pop-Tartsit dhe Crunchy Nut Clusters.

Por Mat Yadi nuk i mori kurrë fermat e vogla për të cilat ai thotë se fisit iu premtua.

Sot familja e tij jeton në një kasolle të improvizuar brenda një plantacioni.

"Asgjë nuk na është kthyer. Ata kanë marrë gjithçka", thotë ai.

Si shumë orang rimba të tjerë, e moshuara Siti Maninah siguron jetesën duke mbledhur frutat që bien në tokë kur korren palmat e vajit.

Nëse është me fat, mbledh aq sa për të blerë pak oriz dhe disa perime për të ushqyer familjen e saj për një ditë. “Mjafton”, thotë ajo. "Por nuk është shumë”.

"Ky është vetëm një shembull - por ndodh kudo", thotë Daniel Johan, deputet indonezian që mbikëqyr sektorin e bujqësisë dhe pylltarisë, i cili ka vepruar në emër të fisit. "Korporatat janë të pangopura”.

90 milionë dollarë humbje për komunitetin

Zona të gjera të pyjeve më të larmishme biologjike në botë janë pastruar për plantacione me palma vaji. Në ishujt indonezianë Borneo dhe Sumatra, dikur të mbuluar nga xhungla, plantacionet tani shtrihen për milje.

Aty ku skema funksionoi, ndihmoi nxjerrjen e komuniteteve rurale nga varfëria, duke ua dhënë atyre aksionet në një industri me vlerë më shumë se 50 miliardë dollarë çdo vit globalisht. Por zhurma e vazhdueshme e akuzave shfaqi se kompanitë kishin refuzuar premtimet - dhe detyrimet ligjore - për të ofruar hisenë për komunitetin.

Shkalla e problemit mbeti e panjohur, kështu që gjatë dy vjetëve të fundit ekipi ynë, i përbërë nga BBC, organizata e gazetarisë hulumtuese The Gecko Project dhe faqja e lajmeve mjedisore Mongabay, kanë punuar së bashku për ta zbuluar.

Duke analizuar shifrat e Qeverisë, hetimi zbuloi se kompanitë kanë dështuar të ofrojnë më shumë se 100.000 hektarë - rreth madhësisë së Los Anxhelosit - të hisesë së kërkuar ligjërisht vetëm në provincën Qendrore Kalimantan të Borneos.

Duke përdorur shifra konservatore për fitimet e disponueshme nga vaji i palmës, ne vlerësuam se kjo i ka privuar komunitetet nga rreth 90 milionë dollarë çdo vit. Provinca përbën vetëm një të pestën e plantacioneve të palmave të vajit të korporatave të Indonezisë.

Analiza e të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë sugjeron që gjendja është e ngjashme në provincat e tjera të mëdha prodhuese të vajit të palmës dhe humbjet e pësuara në të gjithë Indonezinë nga komunitetet që u detyrohen mund të shtrihen në qindra miliona dollarë çdo vit.

Rebelimi i qytetarëve

Image

Shkalla e problemit nuk është e dukshme vetëm në të dhënat zyrtare.

Ekipi ynë krijoi një bazë të dhënash të kompanive që janë akuzuar se kanë refuzuar premtimet ose kanë dështuar në përmbushjen e detyrimeve ligjore për të ndarë plantacionet e tyre me komunitetet.

Kjo zbuloi se ka pasur protesta të nxitura nga ankesat çdo muaj për gjashtë vjetët e fundit, mesatarisht. Por shteti mund të jetë i shpejtë dhe vendimtar në shtypjen e protestave, të cilat shpesh ndalohen me dhunë.

Fisi kishte pritur dy dekada.

Anëtarët e frustruar të fisit pushtuan plantacionin e firmës, por kompania shkatërroi kasollet e tyre. Fshatarët më pas i vunë zjarrin një poste sigurie brenda plantacionit dhe thyen xhamat e zyrës së kompanisë.

Më shumë se 40 persona u arrestuan dhe u sulmuan nga policia, na thanë fshatarët. “Pa u marrë në pyetje, ne jemi rrahur e gjakosur”, tha një burrë. Shtatë u shpallën fajtorë për vandalizëm dhe u dënuan me 18 muaj burg.

Dështimi i sistemit

Policia e Indonezisë hodhi poshtë kërkesën tonë për përgjigje.

"E gjithë ajo rezistencë që kanë bërë, ndonjëherë edhe duke sakrifikuar jetën e tyre, dhe ende nuk ka zgjidhje”, thotë Daniel Johan, i cili vizitoi Tebing Tinggi menjëherë pas protestës me ligjvënës të tjerë. "Kjo do të thotë se sistemi po dështon”.

Pas protestës, Grupi Salim iu kërkua të kthente tokën stërgjyshore të orang rimbas nga një komision parlamentar, por pesë vjet më pas, fisi është ende në pritje.

Grupi Salim dhe filiali i tij që kontrollon plantacionin nuk pranuan të intervistoheshin.

Kur komunitetet ankohen për dështim në përmbushjen e premtimeve, Qeveria mbështetet kryesisht në ndërmjetësimin, por një studim akademik zbuloi se vetëm 14% e negociatave të ndërmjetësimit çojnë në një marrëveshje që zbatohet.

Samsul Kamar, kreu i një zyre plantacioni në Riau, provinca më e madhe e prodhimit të vajit të palmës në Indonezi, thotë se ai paraqet një ankesë të re "pothuajse çdo javë".

Megjithatë, si shumë nga homologët e tij, ai kurrë nuk ka shkuar më tej sesa të lëshojë një paralajmërim.

Shumica e firmave të mëdha të mallrave të konsumit kanë premtuar të çrrënjosin "shfrytëzimin" e njerëzve nga zinxhirët e tyre të furnizimit.

13 firmat abuzuese

Por ne identifikuam 13 firma të mëdha, duke përfshirë Colgate-Palmolive dhe Reckitt, të cilat kanë marrë vaj palme nga prodhuesit, ose fitime nga hiseja, nga komunitetet gjatë gjashtë vjetëve të fundit.

Johnson & Johnson dhe Kellogg blejnë të dy nga Salim Group, i cili zotëron plantacionin në tokën e orang rimbas.

Në përgjigje të hulumtimit tonë, firmat pohuan se u kërkonin furnitorëve të tyre të respektonin ligjin. Por ne zbuluam se shumë prej tyre kanë lidhje me zinxhirin e furnizimit me kompanitë që janë nxjerrë publikisht për mospërputhje me rregulloret e hisesë – e përfshirë nga zyrtarë të Qeverisë indoneziane.

Johnson & Johnson, Kellogg's dhe Mondelēz kanë marrë të gjithë vaj palme nga një plantacion në Borneo, që u mbyll përkohësisht në shkurt për dështimin në përmbushjen e detyrimeve ligjore për më shumë se një dekadë.

Në një shembull të rrallë të Qeverisë, që vepron me vendosmëri lidhur me çështjen e hisesë, politikani Jaya Samaya Monong stacionoi policinë për të ndaluar kamionët që largoheshin nga plantacioni.

"Ndoshta nëse nuk ka ndonjë veprim të fortë që mund t'i dëmtojë ata, ata mendojnë se mund ta injorojnë atë", thotë ai.

Premtimi i radhës i kompanive abuzuese

Image

Johnson & Johnson tha se ata "i marrin këto akuza shumë seriozisht" dhe se kanë filluar procesimin e ankesave. Kellogg tha se do të hetojë akuzat dhe "të koordinojë me furnitorët për të përcaktuar hapat e ardhshëm". Mondelēz, i cili zotëron Cadbury's, tha se kishte kontaktuar ekspertë "për të kuptuar më mirë çështjen dhe si mund ta trajtojnë në të ardhmen me angazhime të mëtejshme publike".

Reckitt shkroi se gjetjet "sugjerojnë probleme të mundshme sistemike" që "kërkojnë hetime të mëtejshme dhe veprime të koordinuara nga aktorë të ndryshëm publikë dhe privatë për t'u adresuar".

Ndërsa Colgate-Palmolive deklaroi se kompania do të kërkojë që furnizuesit të sigurojnë hise të mjaftueshme.

Konglomerati pas plantacionit në Borneo është Golden Agri-Resources, prodhuesi më i madh i vajit të palmës në Indonezi, me plantacione që shtrihen në gjysmë milioni hektarë tokë.

Kompania pranon se nuk ka përmbushur detyrimet e saj ligjore për të ofruar hisenë. Firma tha se ishte e angazhuar për ta bërë këtë, por kjo mbetet "një punë në progres".

Ata thanë se shpresojnë të fillojnë mbjelljen e hiseve të tyre vitin e ardhshëm në filialin e tyre në Borneo që u mbyll nga një politikan lokal.

Golden Agri-Resources dhe kompanitë e tjera të cilave i kemi shkruar thanë se mbetej një sfidë për ta që të shfrytëzojnë tokë të mjaftueshme për skemat e përqindjes.

Por Jaya, politikani nga Borneo, tha se i kishte thënë konglomeratit se donte që kompania të ndante tokën e saj të patundshme.

"Nuk dua të dëgjoj më justifikime,”, tha ai. "Sepse është e thjeshtë: Hiseja supozohet të mbillet së bashku me plantacionin kryesor. Pse ka një plantacion kryesor, por nuk ka plantacion të hisesë sipas marrëveshjes?"

Ndalimi i eksporteve

Dërgesat globale të vajit të palmës nga Indonezia rifillojnë të hënën, pasi Qeveria hoqi një ndalim global të eksportit të vajit ushqimor.

Ajo ndaloi eksportet në fund të muajit të kaluar në një përpjekje për të kontrolluar rritjen e çmimeve vendase dhe për të siguruar furnizimin vendas.

Kompanitë që qëndrojnë pas bumit të vajit të palmës në vend kanë parë fitimet e tyre të rriten këtë vit, pasi çmimet globale arritën nivele rekord.

Lista e super të pasurve të Indonezisë tashmë është e mbushur me miliarderë të vajit të palmës. Familja Widjaja, e cila kontrollon Golden Agri-Resources, zë vendin e dytë në listën e të pasurve të Forbes për Indonezinë; Anthoni Salim, i cili është CEO i Grupit Salim, ulet një më poshtë në vendin e tretë.

Por për Orang Rimba, pritja për pjesën e tyre të pasurisë vazhdon.

Nën palma, e moshuara Cilin këndon një këngë popullore. Teksti do të thotë "zemra jonë është plot nëse nipërit tanë janë të shëndetshëm", shpjegon ajo.

"Në mënyrë që nipërit tanë të mund të jetojnë në të vërtetë sërish, ne duam të na kthehet toka stërgjyshore", thotë ajo. "Kjo është gjithçka që duam”.

Përktheu: Artinë Rexhepi