Botë

Përçarja e Amerikës mbi kontrollin e armëve

Pas masakrës të së martës, në shkollën fillore “Robb” në Uvalde, në Teksas, që la të vdekur 19 nxënës dhe dy mësues, guvernatorët dhe ligjvënësit demokratë në të gjithë vendin bënë thirrje të forta për Kongresin dhe legjislaturat e tyre që t’i miratojnë kufizimet e armëve

Guvernatori i Washingtonit, Jay Inslee, ka reaguar shpejt ndaj masakrës së kësaj jave në një shkollë fillore, duke i listuar në postimin në Twitter masat e kontrollit të armëve që demokratët i kanë marrë. E përfundoi shkrimin me: “Radha juaj është Kongresi”.

Ama, masat e kontrollit të armëve ka të ngjarë të mos shkojnë askund në Kongres, dhe ato po ashtu janë bërë gjithnjë e më të pakta në shumicën e shteteve Përveç disa shteteve të kontrolluara nga demokratët, shumica nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim për kontrollin e armëve në vitet e fundit ose kanë bërë hapa në mënyrë agresive për t’i zgjeruar të drejtat për armë.

Kjo për shkak se ata ose kontrollohen nga republikanët që kundërshtojnë kufizimet e armëve ose janë të ndarë politikisht, duke çuar në ngërç.

“Këtu jam në një dispozicion ku mund të bëj diçka, mund ta prezantoj legjislacionin e megjithatë, ta dish se pothuajse me gjasë nuk do të shkojë askund është ndjenjë pafuqie”, ka theksuar senatori i shtetit, Greg Leding, demokrat në Legjislaturën e Arkansasit, e kontrolluar nga partia republikane. Ai ka nxitur pa sukses për ligjet për kontrollin e armëve që do t’i lejonin autoritetet t’i heqin armët e zjarrit nga ata që përcaktohen si rrezik për veten a të tjerët.

Përpjekjet e demokratëve

Pas masakrës të së martës, në shkollën fillore “Robb” në Uvalde, në Teksas, që la të vdekur 19 nxënës dhe dy mësues, guvernatorët dhe ligjvënësit demokratë në të gjithë vendin bënë thirrje të forta për Kongresin dhe legjislaturat e tyre që t’i miratojnë kufizimet e armëve. Republikanët kryesisht kanë bërë thirrje për më shumë përpjekje për ta trajtuar shëndetin mendor dhe për ta forcuar mbrojtjen në shkolla, të tilla si shtimi i rojeve të sigurisë.

Në mesin e tyre është edhe guvernatori i Teksasit, Greg Abbott, i cili ka folur vazhdimisht për betejat e shëndetit mendor mes të rinjve dhe ka thënë se ligjet më të ashpra të armëve në vende, si Nju-Jorku dhe Kalifornia janë të paefektshme. Në Tenesi, përfaqësuesi i partisë republikane, Jeremy Fasion, ka shkruar në Twitter se shteti duhet të ketë zyrtarë sigurie “në të gjitha shkollat tona”, mirëpo nuk premtoi se do ta prezantojë legjislacionin gjatë seancës legjislative të vitit të ardhshëm: “E keqja ekziston dhe ne duhet t’i mbrojmë të pafajshmit prej saj”, ka theksuar Faison.

Guvernatori i Wisconsinit, Tony Evers, është përplasur vazhdimisht me legjislaturën e kontrolluar nga partia republikane për ligjet e armëve. Ai ka bërë thirrje për miratimin e kontrolleve universale të sfondit dhe ligjeve për kontrollin e armëve, vetëm për t’u injoruar nga republikanët. Në fillim të këtij viti, demokrati vuri veton ndaj projektligjit republikan që do t’u lejonte mbajtësve të lejeve të kishin armë zjarri në automjete, në mjediset e shkollave dhe në kishat e vendosura në mjediset e shkollave private.

“Nuk mund të pranojmë që dhuna me armë thjesht të ndodhë”, ka thënë Evers në postimin e tij në Twitter. “S’mund të pranojmë që fëmijët të shkojnë në shkollë e të mos kthehen kurrë në shtëpi. Nuk mund ta pranojmë refuzimin e plotë të zyrtarëve të zgjedhur për të vepruar”.

Të mërkurën, një ditë pas të shtënave në Teksas, demokratët legjislativë kërkuan që ligjet e sigurisë së armëve në Wisconsin të rimerren, me sa duket pa dobi. Udhëheqësi i shumicës republikane në Senat, Devin LeMahieu, dhe kryetari i Asamblesë, Robin Vos, nuk i kthyen mesazhet.

Bllokada republikane

Në Pensilvani, përpjekja e ligjvënësve demokratë të mërkurën në legjislaturën e kontrolluar nga partia republikane për ta ndaluar posedimin, shitjen ose prodhimin e armëve të zjarrit gjysmë-automatike me kapacitet të lartë, dështoi, pasi republikanët e Dhomës së Përfaqësueseve shfaqën kundërshtimin e tyre të vendosur ndaj kufizimit të armëve. Legjislatura me shumicë republikane i ka refuzuar apelet e guvernatorëve demokratë gjatë dy dekadave të fundit për t’i forcuar ligjet e kontrollit të armëve, duke përfshirë marrjen e hapave të tillë si zgjerimi i kontrolleve të sfondit ose kufizimi i numrit të blerjeve të armëve që një person mund ta bëjë në një muaj.

Situata është e ngjashme në Michigan, që e ka guvernatorin demokrat dhe legjislaturën e kontrolluar nga republikanët. Të mërkurën, demokratët në Senatin e shtetit u penguan në përpjekjet e tyre për të avancuar një grup projektligjesh që do t’u kërkonin pronarëve të armëve t’i mbyllnin armët e tyre të zjarrit dhe t’i mbanin larg të miturve.

“Çdo ditë ne nuk po marrim masa, po zgjedhim armët në vend të fëmijëve”, ka theksuar senatorja demokrate, Rosemary Bayer, distrikti i së cilës përfshin një shkollë të mesme ku një adoleshent u akuzua për të shtënat që vranë katër persona në nëntor dhe prindërit e të cilit akuzohen për vrasje të pavullnetshme, të akuzuar për dështimin e mbylljes së armës. “Mjaft. Nuk ka më lutje, jo më mendime, jo më mosveprim”.

Senatori i shtetit republikan, Ken Horn, u përgjigj duke nxitur diskutimin rreth shkaqeve të tjera të mundshme të dhunës me armë.

“Thjesht do të theksoja se ka zgjidhje politike, e po aq ka edhe zgjidhje shpirtërore”, ka thënë ai. “Nuk e dimë se çfarë po ndodh realisht në këtë botë, në këtë vend, me këta të rinj”.

Florida shquhet si shtet i kontrolluar nga republikanët që ndërmori veprime. Të shtënat e vitit 2018 në një shkollë të mesme në Parkland, që la të vdekur 14 studentë dhe tre anëtarë të stafit, i shtyu ligjvënësit atje të miratojnë një ligj me dispozitë për kontrollin e armëve, që lejon zyrtarët e zbatimit të ligjit t’i bëjnë kërkesë gjykatës që t’i konfiskohen armët nga një person i konsideruar si kërcënim.

Demokratët tani duan që kjo të zgjerohet për t’i lejuar anëtarët e familjes ose shokët e dhomës të bëjnë të njëjtën kërkesë në gjykata, mirëpo ka pasur pak interesim midis republikanëve për të ndryshuar ligjin. Në vend të kësaj, guvernatori republikan Ron DeSantis, ka thënë se ai do që ligjvënësit t’i lejojnë njerëzit të mbajnë pistoleta pa leje.

Teksa republikanët kanë mbështetur ligjet për kontrollin e armëve në disa shtete të tjera, shumica e veprimeve legjislative rreth kontrollit të tyre në vitet e fundit kanë qenë në shtetet e udhëhequra nga demokratët.

Në shtetin e Washingtonit, guvernatori në fillim të këtij viti nënshkroi pakon me projektligje në lidhje me kufijtë e magazinës së armëve të zjarrit, armët fantazmë dhe shtimin e më shumë vendeve ku armët janë të ndaluara, duke përfshirë vendet e numërimit të votave.

Përshpejtimi i procesit

Image

Në Kaliforni, guvernatori Gavin Newsom dhe liderët e lartë legjislativë demokratë u zotuan ta përshpejtojnë legjislacionin për armët, duke identifikuar rreth një duzinë projektligjesh që planifikojnë të miratojnë këtë vit. Newsom nënvizoi projektligjin që do t’i lejonte qytetarët privatë të zbatojnë një ndalim të armëve sulmuese duke ngritur padi - ngjashëm me ligjin në Teksas që ndalon shumicën e abortit përmes zbatimit civil.

Legjislatura e kontrolluar në mënyrë demokratike e Oregonit ka miratuar projektligje që kërkojnë kontrolle të historisë, ndalojnë armët në mjediset e shkollave publike, lejojnë marrjen e armëve të zjarrit nga ata që paraqesin rrezik dhe sigurojnë ruajtjen e sigurt të armëve të zjarrit. Të mërkurën, grupi prej gjashtë demokratësh kanë bërë të ditur se duhet bërë më shumë pas të shtënave masive në Teksas dhe masakrës me motive racore në Buffalo, Nju- Jork. Ata premtuan veprime shtesë vitin e ardhshëm.

“Kemi kandiduar për detyrë për t’i zgjidhur problemet e mëdha dhe për ta bërë jetën më të mirë për zgjedhësit tanë – kjo përfshin marrjen e lobit të armëve dhe politikanëve që vendosin fitimet dhe pushtetin politik mbi jetën e fëmijëve”, kanë njoftuar ata në një deklaratë të përbashkët.

Mirëpo, ka kufizime edhe në disa shtete të kontrolluara nga demokratët, duke nënvizuar sfidën e arritjes së konsensusit për ta luftuar frekuencën në rritje të të shtënave masive në SHBA.

Rhode Island ka miratuar kufizime në vitet e fundit që përfshijnë masa për ndalimin e armëve të zjarrit nga mjediset e shkollave dhe bllokimin e mundësisë që i kishte lejuar amerikanët të blinin armë për dikë tjetër. Mirëpo, projektligjet që do t’i ndalonin magazinat e municioneve me kapacitet të lartë dhe armët e sulmit janë grumbulluar në komision, pjesërisht për shkak se dhoma me shumicë demokratike përfshin shumë ligjvënës që kanë kundërshtuar masat, duke përmendur mbështetjen e tyre për Amendamentin e Dytë.

Në Konektikat, legjislacioni për dhunën me armë i mbështetur nga të dyja palët u ndoq me shpejtësi pasi 20 fëmijë dhe gjashtë anëtarë të stafit u qëlluan dhe u vranë në Sandy Hook Elementary School l në vitin 2012. Por masat shtesë për kontrollin e armëve ngeci këtë vit në Asamblenë e Përgjithshme të udhëhequr nga demokratët, në përgjithësi pjesë për shkak të një sesioni të shkurtër legjislativ dhe kërcënimeve nga republikanët për të penguar legjislacionin përmes bllokadave të ndryshme.

Guvernatori demokrat, Ned Lamont, ka thënë se nuk është i sigurt nëse do ta thërrasë seancën speciale për projektligjet. Ata do të vendosnin kufizime në blerjet me shumicë të armëve të zjarrit dhe do të kërkonin regjistrimin e të ashtuquajturave armë fantazmë, armë zjarri të pagjurmueshme që mund të prodhohen në kushte shtëpie.

“Mendoj se është bërë argument tepër partizan tani në shoqërinë tonë”, ka vënë në pah Lamont. “Nuk ishte kështu, e dini, 30 a 40 vjet më parë. Pra, kjo është shqetësuese, madje edhe në një shtet si Konektikati, ku pas Sandy Hookut ne kishim mbështetje të fortë dypartiake”.

Përgatiti: Blerta Haxhiu