Botë

Gruaja që vrau djalin e birësuar dënohet me burgim të përjetshëm

Gruaja që vrau djalin e birësuar dënohet me burgim të përjetshëm

Një grua që vrau foshnjën, të cilën e kishte birësuar, është dënuar me burgim të përjetshëm, por me mundësinë që pas 18 vjetëve rasti i saj të kthehet në rigjykim dhe të lirohet, raportoi BBC-ja të mërkurën.

Laura Castle e vrau djalin 13 muajsh në shtëpinë e saj në janar të vitit 2021.

Ajo pranoi fajësinë për vrasje nga pakujdesia, por u shpall fajtore për vrasje dhe mizori ndaj fëmijës. Bashkëshorti i saj u lirua nga akuzat për shkaktimin apo lejimin e vdekjes së djalit.

E veshur e gjitha në të zezë, ajo qau me të madhe përgjatë dëgjimit gjyqësor, veçanërisht kur deklaratat nga nëna që e lindi djalin u lexuan, e cila e quajti vrasësen e djalit të saj një “përbindësh”.

Gjykatësi Jeremy Baker tha se Castle kishte “një dëshirë egoiste” që ta mbante djalin edhe pse kishte vështirësi të krijonte një marrëdhënie me të dhe se ishte “tragjedi” që nuk e ndërpreu birësimin.

Djali Leiland-James u dërgua me familjen Castle në gusht 2020 kur ishte tetë muajsh.

Gjykata dëgjoi vështirësitë e çiftit që të lidheshin më shumë me të dhe Castle i dërgoi mesazhe bashkëshortit të saj, kur ai ishte në punë duke e kritikuar Leiland-Jamesin dhe duke e quajtur me emra vulgarë.

Më 6 janar 2021, Castle thirri emergjencën për t’i thënë se djali ishte pa vetëdije, pasi kishte rënë nga divani.

Ai vdiq një ditë më pas në spital ku mjekët ngritën dyshime.

Castle i tha gjykatës se ajo humbi mendjen kur djali po qante dhe se e tundi atë për ta heshtur dhe aksidentalisht ia goditur përplasi kokën për divan.

Patologët thanë se forcë e madhe do të duhej për të shkaktuar dëme fatale në tru dhe besonin se koka e tij ishte përplasur kundrejt një sipërfaqeje të fortë.

Ata thanë se rrëzimi nga divani nuk shkakton gjakderdhje të madhe të brendshme dhe i krahasuan lëndimet e tij me ato të shkaktuara nga një aksident rrugor në një shpejtësi të madhe.

E ëma që e lindi, Laura Corkill, tha se i biri iu mor “për shkak të rrezikut për dëm emocional apo fizik”, por se ai e kishte përjetuar këtë nga duart e nënën birësuese.

Në deklaratën e saj në gjyq, shkroi: “Më thanë se ai do të ishte i sigurt dhe do të kishte jetë të mirë, e pranova. Tani bota ime është shkatërruar. Mund të them sinqerisht se kjo nuk do të ndodhte kurrë nëse ai do të qëndronte me mua”.