Parlamenti i Rusisë ka kaluar të mërkurën një ligj përmes të cilit rritet kufizimi i moshës për njerëzit që i bashkohen ushtrisë, duke u rritur deri në 50 vjet, bëri të ditur BBC-ja.
Ky veprim vjen si pasojë e përpjekjeve të Rusisë për të rekrutuar sa më shumë ushtarë, në kohën kur numri i të vrarëve në Ukrainë po rritet.
Sipas legjislacionit që ishte në fuqi deri sot, vetëm personat nga 18 deri në 40 vjeç dhe të huajt e moshës 18 deri në 30 vjeç mund të regjistrohen si ushtarë profesionistë në ushtrinë ruse.
“Specialistët e lartë duhet të përdorin armë shumë precize dhe të operojnë me armët dhe mjetet ushtarake dhe këta specialistë mund të jenë ndërmjet moshave 40 dhe 45 vjeç”, thuhej në një shënim që shoqëronte projektligjin.
Ndërkohë, sipas ligjit të ri, qytetarët rusë dhe të huajt deri në moshën 50 vjeç do të mund të jenë në gjendje të nënshkruajnë kontrata me ushtrinë.
Shënimi thotë se amandamenti do t’i tërheq edhe profesionistët civilë që t’i bashkohen ushtrisë, përfshirë këtu mjekët, inxhinierët dhe ekspertët e komunikimeve.
Që nga fillimi i luftës në Ukrainë, Ministria ruse e Mbrojtjes dhe e ashtuquajtura kompania ushtarake private Wagner, kanë nisur një fushatë të gjerë dhe të vazhdueshme për të rekrutuar ushtarë të rinj, zyrtarisht dhe jozyrtarisht.
Bazuar në burime, BBC Russian ka identifikuar të paktën 46 rusë të moshës mbi 45 vjeç, të cilët janë vrarë në Ukrainë pas fillimit të pushtimit. Këtu përfshihet një gjeneral në pension 63-vjeçar, i cili u rrëzua duke përdorur një avion luftarak Su-25.