Botë

Putini takon ushtarët e plagosur, i quan heronj të Rusisë

Presidenti rus, Vladimir Putin, i ka takuar të mërkurën disa nga ushtarët që u plagosën në luftime ndaj ukrainasve.

Të plagosurit që po trajtohen në Moskë, Putini i cilësoi si heronj të luftës, shkruan AP-ja.

I veshur me mantel spitali, Putini ua shtrëngoi dorën ushtarëve rusë, ndërsa potencoi se ata “rrezikuan jetën e tyre për hir të njerëzve dhe fëmijëve të Donbasit e të Rusisë”.

Në shifrat zyrtare të publikuara gjatë marsit, Rusia pretendon se i janë vrarë 1.351 ushtarë e 3.825 janë plagosur në sulme ndaj Ukrainës.

Të mërkurën e 25 majit u shënua dita e 91-të e invazionit rus në Ukrainë.

Nga informacionet e fundit theksohet se forcat ruse kanë avancuar nga tri drejtime, për t'i rrethuar “qytetet binjake” Severodonetsk dhe Lysychansk në Donbas, ndërsa në Kharkiv, po tentojnë ta rimarrin Ternovën, me qëllim të “stabilizimit të pozitave pranë kufirit”.