Botë

Rusia pretendon se e ka pushtuar tërësisht Mariupolin

Në atë që do të ishte fitorja e saj më e madhe në luftën me Ukrainën, Rusia pretendon se e ka pushtuar Mariupolin, pas një rrethimi gati tre-mujor që e ktheu pjesën më të madhe të qytetit port strategjik në një gërmadhë tymuese, me mbi 20,000 civilë që dyshohet se kanë vdekur.

Ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu i raportoi presidentit, Vladimir Putin "çlirimin e plotë" të fabrikës së çelikut Azovstal në Mariupol - bastioni i fundit i rezistencës ukrainase dhe qytetit në tërësi, tha të premten zëdhënësi Igor Konashenkov, raporton Associated Press.

Lidhur me këtë nuk ka pasur ndonjë konfirmim nga ana e Ukrainës.

Agjencia shtetërore ruse e lajmeve RIA Novosti citoi ministrinë të thoshte se gjithsej 2,439 luftëtarë ukrainas që ishin të ngujuar në fabrikën e çelikut janë dorëzuar që nga e hëna, duke përfshirë mbi 500 të premten.

Ndërsa ata u dorëzuan, trupat u kapën nga rusët dhe të paktën disa u dërguan në një ish-koloni penale.

Të tjerët thuhet se janë shtruar në spital.

Marrja e plotë e Mariupolit i jep Putinit një fitore shumë të nevojshme në luftën që e filloi më 24 shkurt, një konflikt që supozohej të ishte një pushtim i rrufeshëm për Kremlinin, por në vend të kësaj Rusia ka parë dështimin për të marrë kryeqytetin e Kievit, një tërheqje të forcave për t'u ripërqendruar në Ukrainën lindore dhe fundosjen e anijes flamurtare të flotës ruse të Detit të Zi “Moskva”.