Një zjarr i madh ka shpërthyer pranë Aeroportit të Gjenevës në një qendër pritjeje të ndërtuar pjesërisht për azilkërkuesit, shkruan Independent të premten.
Videot në rrjetet sociale tregonin zjarrin që kaploi vendin afër aeroportit të dytë më të ngarkuar të Zvicrës.
Zëdhënësi i aeroportit Ignace Jeannerat ka thënë për radion zvicerane RTS: "Ka një ndërtesë - qendra e re e pritjes për azilkërkuesit - e cila ishte në ndërtim e sipër... është në zjarr. Është jashtë perimetrit të aeroportit. Po krijon shumë tym”.
Shërbimet e urgjencës shkuan në vendngjarje.
Zjarri ka bërë që aeroporti të pezullojë uljen e aeroplanëve dhe çdo vendim për ngritje është lënë në diskrecionin e pilotëve, sipas raporteve.
Ndërprerjet pritet të ndodhin edhe për të paktën dy orë të tjera. Disa aeroplanë janë devijuar në aeroporte të tjera si Lyon dhe Bazel, sipas raporteve.
Shkaku i zjarrit mbetet i panjohur.