Botë

Kim Jong-un lufton pandeminë me çaj dhe ilaçe popullore

Që kur e pranoi se shteti po përballet me përhapjen e pandemisë, Koreja Veriore mezi ka luftuar krizën shëndetësore të përkeqësuar nga paniku i virusit, të cilin nuk e lejoi të hynte në valët e para

Në një vizitë të vonë mbrëmë në një barnatore, Kim Jong-unn i maskuar vajtoi transportin e ngadalshëm të barnave. Ndaras, togerët e liderit të Koresë Veriore kanë futur në karantinë qindra e mijëra të dyshuar me COVID-19 dhe i kanë detyruar pacientët dhe njerëzit me simptoma të lehta të marrin çaj me gjethe shelgu ose me mjaltë.

Ani pse Koreja e Veriut e ka cilësuar si përpjekje për të ndalur përhapjen e pandemisë, frika e njerëzve është e pashmangshme, kanë thënë njerëz që kanë ikur në Korenë e Jugut. Shumë ekspertë shqetësohen se përhapja mund të përkeqësohet për shkak se verikoreanët jetojnë në varfëri dhe janë të pavaksinuar. Përveç këtyre problemeve, ata nuk kanë kujdes të mjaftueshëm spitalor dhe mezi kanë siguruar ilaçet më të thjeshta.

“Koreanët veriorë e dinë se shumë njerëz në botë kanë vdekur nga COVID-19, kështu që kanë frikë se disa prej tyre mund të vdesin gjithashtu”, ka thënë Kang Mi-jin, e larguar nga shteti i saj. Ajo ka thënë se njerëzit të cilët kanë gjendje të mirë financiare po blejnë ilaçe popullore për të hequr ankthin e tyre rreth pandemisë.

Që kur e pranoi se shteti po përballet me përhapjen e pandemisë, Koreja Veriore mezi ka luftuar krizën shëndetësore të përkeqësuar nga paniku i virusit, të cilin nuk e lejoi të hynte në valët e para.

Reagimi i shtetit duket të jetë i fokusuar kryesisht në izolimin e pacientëve të dyshuar. Kjo mund të jetë gjithçka që mund të bëjnë realisht, pasi mungojnë vaksinat, pilula antivirale, njësitë e kujdesit intensiv dhe mjete të tjera mjekësore që mundësuan që miliona të sëmurë në vende të tjera të mbijetonin.

Përhapja e gripit

Autoritetet shëndetësore të Koresë së Veriut kanë thënë të enjten se një grip i përhapur me shpejtësi ka lënë të vdekur 63 njerëz dhe ka sëmurë rreth 2 milionë të tjerë që nga fundi i prillit, ndërsa rreth 740.000 mbesin në karantinë. Në fillim të kësaj jave, Koreja e Veriut ka njoftuar se numri total i rasteve me COVID-19 ishte 168, pavarësisht rritjes së rasteve me grip. Shumë ekspertë të huaj dyshojnë në shifrat dhe besojnë se shkalla e përhapjes nuk është raportuar siç duhet për shkak të trazirave publike që mund të dëmtojnë lidershipin e diktatorit Kim Jong-un.

Mediat shtetërore kanë raportuar se një milion punonjës publikë u mobilizuan për të identifikuar pacientët e dyshuar. Kim Jong-un urdhëroi gjithashtu mjekët e ushtrisë të vendosen për të mbështetur dërgimin e barnave në farmaci, pak para se të vizitonte farmacitë në Penianit gjatë së dielës.

Koreja e Veriut përdor gjithashtu gazetat e mediave shtetërore, TV dhe radio shtetërore për të ofruar këshilla se si duhet luftuar virusi, mirëpo shumica e banorëve nuk kanë qasje në internet dhe në lajmet e mediave të huaja.

“Është thelbësore që ne të gjejmë çdo person me simptoma të temperaturës në mënyrë që ata të mund të izolohen dhe trajtohen, për të bllokuar rrënjësisht hapësirat ku mund të përhapet sëmundja infektive”, ka thënë Ryu Yong Chol, zyrtar në selinë antivirus të Penianit.

Televizioni shtetëror transmetoi reklama informative ku shfaqeshin personazhe të animuar që i këshillonin njerëzit të shkonin te mjeku nëse kanë probleme me frymëmarrjen, pështyjnë gjak ose u bie të fikët. Ata gjithashtu shpjegojnë se çfarë ilaçesh mund të marrin pacientët, duke përfshirë ilaçet shtëpiake si çaji i mjaltit. Gazeta kryesore e vendit, “Rodong Sinmun”, i këshilloi njerëzit me simptoma të lehta që të krijojnë 4 deri në 5 gramë gjethe shelgu ose mjaltë në ujë të nxehtë dhe ta pinë atë tri herë në ditë.

“Udhëzimet e tyre nuk kanë fare kuptim. Është sikur qeveria po u kërkon njerëzve të kontaktojnë mjekët vetëm nëse kanë vështirësi në frymëmarrje, që do të thotë pak para se të vdesin”, ka thënë ish-zyrtari i bujqësisë koreano-veriore, Cho Chung Hui, i cili iku në Korenë e Jugut në vitin 2011. “Më dhemb zemra kur mendoj për vëllanë dhe motrën time në Korenë e Veriut dhe për vuajtjet e tyre”.

Kang, e cila drejton një kompani që analizon ekonominë e Koresë së Veriut, tha se kontaktet e saj në Hyesan i thanë se banorëve të Koresë së Veriut po u kërkohet të lexojnë plotësisht raportet e “Rodong Sinmun-it” se si vendi po punon për të frenuar shpërthimin.

Që nga 12 maji, Koreja e Veriut ka ndaluar udhëtimin ndërmjet rajoneve, por nuk është përpjekur të vendosë masa më të rënda në imitim të Kinës. Ekonomia e Koresë së Veriut është e brishtë, për shkak të mbylljeve pandemike të kufijve dhe dekadave të keqmenaxhimit, kështu që vendi ka inkurajuar përshpejtimin e bujqësisë, ndërtimtarisë dhe aktiviteteve të tjera industriale. Kang tha se njerëzit në Hyesan ende shkojnë në punë.

Zyra e komisionerit të lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut shprehu shqetësimin këtë javë për pasojat e masave të karantinës së Koresë së Veriut, duke thënë se izolimi dhe kufizimet e udhëtimit do të kenë pasoja të tmerrshme për njerëzit që tashmë po përpiqen të plotësojnë nevojat e tyre themelore, duke përfshirë këtu marrjen e ushqimit të mjaftueshëm për të ngrënë.

“Fëmijët, nënat gjidhënëse, të moshuarit, të pastrehët dhe ata që jetojnë në zona më të izoluara rurale dhe kufitare janë veçanërisht të cenueshëm”, tha zyra në një deklaratë.

Shqetësimi i familjarëve

Të larguarit në Korenë e Jugut thonë se shqetësohen për të dashurit e tyre në Korenë e Veriut. Ata gjithashtu dyshojnë se COVID-19 ishte përhapur tashmë në Korenë e Veriut edhe para pranimit zyrtar të shpërthimit.

“Babai dhe vëllai im janë ende në Korenë e Veriut dhe unë jam i shqetësuar për ta shumë, sepse nuk u vaksinuan dhe nuk ka shumë ilaçe atje”, tha Kang Na-ra e cila u arratis në Korenë e Jugut në fund të 2014-ës. Ajo tha se një vëlla ose motër i tha asaj gjatë telefonatave të fundit se gjyshja e tyre vdiq nga pneumonia, për të cilën ajo beson se ishte shkaktuar nga COVID-19, shtatorin e kaluar.

Choi Song-juk tha se kur motra e saj, fermere në Korenë e Veriut e telefonoi për herë të fundit në shkurt, ajo tha se vajza e saj dhe shumë fqinjë ishin sëmurë me simptoma të ngjashme me koronavirusin, si temperaturë e lartë, kollë dhe dhimbje të fytit. Choi tha se motra e saj paguan ndërmjetës për të rregulluar telefonatat, por ajo nuk ka telefonuar kohët e fundit, edhe pse është afërsisht koha e vitit kur i mungon ushqimi dhe ka nevojë për transferime parash përmes një rrjeti ndërmjetësuesish. Choi tha se shkëputja ka të ngjarë të lidhet me kufizimet antivirus në lëvizje.

“Ndihem shumë e mërzitur. Unë duhet të lidhem përsëri me të, sepse ajo duhet të jetë pa ushqim dhe të mbledhë zarzavate të egra”, ka thënë Choi, e cila u largua nga Koreja e Veriut në 2015-n.

Vitet e fundit Kim Jong-un ka ndërtuar disa spitale moderne dhe ka përmirësuar sistemet mjekësore, por kritikët thonë se kjo është kryesisht për elitën në pushtet të vendit dhe se shërbimi mjekësor socialist falas është në rrënim. Të larguarit e fundit thonë se ka shumë barna të prodhuara në vend tani në tregje, por ato kanë probleme me cilësinë, kështu që njerëzit preferojnë ilaçet koreano-jugore, kineze dhe ruse. Por medikamentet e huaja janë zakonisht të shtrenjta, kështu që njerëzit e varfër, të cilët janë shumica e popullsisë së Veriut, nuk mund t'i përballojnë ato. “Nëse jeni i sëmurë në Korenë e Veriut, ne shpesh themi se do të vdisni”, ka thënë Choi.

Pavarësisht shpërthimit, Koreja e Veriut nuk u është përgjigjur publikisht ofertave të Koresë së Jugut dhe SHBA-së për ndihmë mjekësore. Drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, tha të martën se organizmi botëror “është thellësisht i shqetësuar për rrezikun e përhapjes së mëtejshme” në Korenë e Veriut dhe për mungesën e informacionit në lidhje me shpërthimin.

Choi Jung Hun, një ish-mjek koreano-verior i cili u zhvendos në Korenë e Jugut, dyshon se Koreja e Veriut po përdor përgjigjen e saj pandemike si një mjet për të promovuar imazhin e Kim-it si një udhëheqës që kujdeset për publikun dhe për të forcuar unitetin e brendshëm. Ai thotë se fatalitetet e nënvlerësuara të vendit mund të shfrytëzohen gjithashtu si një mjet propagande.

“Një ditë ata do të thonë se kanë pasur COVID-19. Duke e krahasuar numrin e vdekjeve me atë të SHBA-së dhe Koresë së Jugut, ata do të thonë se kanë bërë një punë vërtet të mirë dhe sistemi i tyre anti-epidemik është më i miri në botë”, ka thënë Choi, tani studiues në institutin universitar në Korenë e Jugut.

Përktheu: Dudije Cena