Shpërthimi, që ia mori Olena Viterit këmbën e majtë, ia mori edhe të birin, Ivanin, 14-vjeçar, muzikant i talentuar. Bashkëshorti Volodymyri e varrosi së bashku me një trup tjetër të vrarë nga i njëjti shpërthim. I varroi afër trëndafilave në oborr. Për shkak të luftimeve, nëna nuk i ka shkuar te varri.
Ka një çmim të luftës – për shtetet e përfshira, për ushtarët që luftojnë, për civilët që e durojnë. Për shtetet, territori fitohet e humbet, shpesh rifitohet dhe humbet përsëri. Mirëpo disa humbje janë të përjetshme. Jeta e humbur nuk mund të kthehet. As gjymtyrët. Kështu është në Ukrainë.
Rrëfimet e njerëzve që kanë amputuar gjymtyrët gjatë konfliktit janë të shumta, po aq sa plagët. Njashtu edhe përvoja e tyre për të pranuar lëndimet e përjetshme. Për dikë, humbja e një pjese të trupit mund të jetë barazi me vdekjen; të tjerët e shohin si një lloje rilindje.
Për ushtarët që plagosen teksa mbrojnë atdheun e tyre, ndjenja e qëllimit dhe besimi në kauzën e luftës shpesh mund t’u ndihmojë që të përballen psikologjikisht me amputimin. Për civilët, gjymtimi në luftën që veçse i ka tmerruar ata, mund të jetë shumë i papërballueshëm.
Për burrat, gratë dhe fëmijët që kanë humbur gjymtyrët në luftën e Ukrainës, tani në muajin e tretë, ky udhëtim veç sa ka filluar.
Shpërthimi që ia mori Olena Viterit këmbën e majtë ia mori edhe të birin, Ivanin, 14-vjeçar, muzikant i talentuar. Bashkëshorti Volodymyri e varrosi së bashku me një trup tjetër të vrarë nga i njëjti shpërthim. I varroi afër trëndafilave në oborr. Për shkak të luftimeve, nëna nuk i ka shkuar te varri.
“Si do të jetoj pa Ivanin? Ai do të jetë përgjithmonë në zemrën time, ashtu si copa e bombës që e goditi atë”, thotë ajo. Kur është e vetme, Olena qan.
Bombat ranë në fshatin e Olenas, Rozvazhivin, më 14 mars. Ivani dhe katër të tjerë vdiqën; Olena ishte në mesin e 20 të plagosurve.
“Së pari po mendoja ‘Përse Zoti më la të gjallë?’”, thotë Olena, 45-vjeçare. Zëri i butë nis t’i shtirret. Kur dëgjoi për vdekjen e të birit, e luti një fqinj që të merrte kallashnikovin dhe ta vriste atë. Mirëpo Volodymyri e luste që të mbetej gjallë sepse nuk mund të jetonte pa të.
Tani, ajo mezi po përballon humbjen e të birit dhe dhimbjen fizike të humbjes së këmbës, të prerë më poshtë gjurit.
“Secilën ditë po mësohem me një lloj të ri të dhimbjes. Po mendoj se çfarë lloj dhimbjeje do të përjetoj në të ardhmen”, thotë ajo.
Ende nuk ka pranuar humbjet e saj. “Ende nuk e kam pranuar veten kështu siç jam. E pëlqeja vallëzimin dhe sportin. Tani nuk e di, më duhet të mësoj”, thotë Olena. Nuk mund ta imagjinojë se si do të jetë ecja.
Ndoshta, Olena thotë, jeta e saj është kursyer sepse ishte e shkruar të bënte diçka, të ndihmonte të tjerët, ndoshta si vullnetare ose të dhuronte para për shkollën e muzikës në kujtim të Ivanit.
“Për momentin nuk e di se çfarë dua të bëj. Jam në kërkim, më duhet të mësoj se si të jetoj. Si? Ende nuk e di”, shton ajo.
Tmerri i 11-vjeçares
Yarik Stephanenko duke u përkujdesur për motrën Yanan, që humbi këmbët nga sulmi me raketë
Tmerri ra nga qielli i kaltër për Yana Stepanenkon. Më 8 prill, 11-vjeçarja shkoi në lindje të qytetit Kramatorsk së bashku me nënën Natasha dhe vëllain binjak, Yarikun. Do të hipnin në trenin e evakuimit.
Yariku qëndroi në stacion për të ruajtur valixhet teksa Yana me nënën dolën jashtë për të blerë çaj.
Një raketë goditi dhe bota u errësua. Ishte heshtje. Natasha ra përtokë. Nuk mund të qëndronte. Ajo shikoi përreth dhe pa të voglën e saj. Gjak kishte gjithkund.
“Nënë, po vdes”, qante Yana.
Lëndimet e nënës dhe të bijës ishin të tmerrshme. Yana humbi dy këmbët, njërën pak më lart se kyçi, tjetrën afër gjurit. Natasha humbi këmbën e majtë.
Yariku shpëtoi pa lëndime dhe u bashkua me nënën e motrën. Babai i fëmijëve vdiq para disa vjetësh nga kanceri. Njerku i tyre është duke luftuar. Tani djali i vogël kujdeset për nënën dhe motrën. Vrapon nëpër korridoret e spitalit për të gjetur karroca dhe për të marrë ushqim.
Natasha ende nuk mund të kuptojë atë që ka ndodhur. “Shpesh duket se nuk na ka ndodhur neve”, thotë ajo teksa qan.
Shqetësohet fort për të bijën. “Nuk mund ta ndihmoj atë si nënë, nuk mund ta kap në krah apo ta ndihmoj të ecë”, thotë ajo. “Mund ta përkrah vetëm me fjalë nga shtrati im”.
Yana, si krejt fëmijët, dëshiron të çohet në këmbë. I mungon shtëpia dhe shoqet dhe mezi pret të marrë protezat. “Dua të vrapoj”, thotë ajo.
Alexander Horokhivskyi, i njohur si Sasha, është në dhimbje. Edhe i zemëruar. Përpëlitet teksa fërkon këmbën te pjesa e amputuar, më 4 prill, gati dy javë pasi u plagos.
Sasha u qëllua në muskulin e këmbës. Një anëtar i mbrojtjes e kishte ngatërruar atë për spiun, pasi po shkrepte foto të ndërtesave të bombarduara pranë shtëpisë së tij në Bobrovytsya, qytet në rajonin e Chernihivit, pasi kishte dalë nga streha e bombave.
U mor në pyetje për rreth 90 minuta në komisariat para se të dërgohej në një spital të stërmbushur. Ditë më vonë u transferua në spitalin e kryeqytetit, Kiev, ku mjekët vendosën se duhej t’ia hiqnin këmbën për t’ia shpëtuar jetën.
38-vjeçari, lojtar i zjarrtë i pingpongut, mori vesh për amputimin vetëm pasi u zgjua nga operacioni.
“Si guxuan ta bënin gjithë këtë pa pëlqimin tim?”, bërtiti Sasha. Mes ilaçeve e dhimbjes, nuk mban shumë mend. “Kam sharë shumë”.
Udhëtimi i tij ka qenë i dhimbshëm, si fizikisht ashtu edhe psikologjikisht. Sasha shqetësohet ngaqë nuk e di nëse do te jetë në gjendje të merret me sport apo të udhëtojë. Padrejtësia e gjithë kësaj rëndon mbi të.
“Përpiqem ta kuptoj se si mund të ndodhë. Sidomos gjatë javës së parë, nuk mund të mendoja për asgjë tjetër”. Ndryshe do të ishte nëse plagosej duke luftuar. “Ama të lëndohesh në këtë mënyrë, është shumë e vështirë”.
Megjithatë, ai ka folur me një psikolog e ka bërë rrugë të gjatë nga ato ditë të zeza të fillimit. “Nuk ka kuptim të kthehemi në atë moment”, ka theksuar ai. “Se nuk mund të ndryshosh më asgjë”.
Kthimi në shtëpi
Në bodrumin e Chernihivit, ku ishin strehuar Nastia Kuzik, prindërit, vëllai i saj dhe 120 persona të tjerë, kishte dy a tre ditë pa energji elektrike dhe ujë. E lodhur nga errësira, ajo vendosi të shkonte në shtëpinë e vëllait aty afër – vetëm për pak kohë.
Duke shkuar në drejtim të strehës së bombave, 21-vjeçarja dëgjoi zhurmën e bombave. Vrapoi. Ishte vetëm disa hapa larg hyrjes kur shpërthimi e hodhi përtokë.
Vetëdija i kthehej e i humbiste. Sa herë që hapte sytë, e shihte vëllain duke i thënë se gjithçka do të rregullohej. Mirëpo, asgjë nuk do të ishte më njësoj.
Mjekët punuan shumë për t’ia shpëtuar këmbën, ama ishte thjesht e pamundur. Këmba e djathtë i ishte amputuar poshtë gjurit. Tjetra i ishte thyer keq.
Tani, gradualisht, teksa po kalon nëpër terapi fizike të dhimbshme, realiteti po e godet më fortë.
“Tashmë po filloj ta pranoj realitetin”, thotë Nastia, e cila zakonisht ishte e ndritshme e hareshme, ama kësaj radhe ndërroi çehre. Loti i rrodhi nëpër faqe. “Kurrë nuk e kisha menduar se do të më ndodhte diçka e tillë ndonjëherë. Mirëpo meqë ndodhi, nuk kam ç’të bëj”.
Nastia po punon shumë për të qenë optimiste. Si gjermanfolëse ua ka mësuar fëmijëve gjuhën, e vetë gjithmonë ka dashur të studiojë në Gjermani. Në fillim të majit, ajo u evakuua në një strukturë të specializuar rehabilitimi në Leipzig.
Kjo nuk ishte tamam mënyra se si donte të realizohej ëndrra e saj, ama tha se do ta shfrytëzonte mundësinë sa më shumë.
Lidiya Gladun kishte humbur kontaktet me 22-vjeçarin Anton, mjek ushtarak i vendosur në vijën e frontit në Ukrainën lindore, për rreth tri javë. Pastaj, dikush i dërgoi një postim në Facebook nga një infermiere në një spital të Kharkivit. Kishin një Anton Gladun në spital. A e njihte njeri?
Lidiya e kontaktoi infermieren, e cila kursehej me informacionet për gjendjen e Antonit. Kur gjendja e tij u përmirësua aq sa të mund ta bënte këtë, Antoni i telefonoi së ëmës. I kërkoi t’i sillte rroba në spital. “Po i përmendte edhe sandalet, më pas tha se nuk i duheshin më ato”.
Antoni beson se ishte një bombë thërrmuese që goditi njësinë e tij kur po tërhiqej më 27 mars. Ai humbi të dyja këmbët dhe krahun e majtë, kurse në krahun e djathtë u plagos.
Prej ditësh Antoni ishte në koma. Kur rimori vetëdijen tha: “Po buzëqeshja, sikur gjithçka ishte në rregull. Mendoja se gjëja më e rëndësishme ishte që isha gjallë”.
Por ai ishte i përhumbur nga makthet dhe halucinacionet e tmerrshme. Atë e vizitoi një psikolog vullnetar dhe me ndihmën e tij u qetësuan halucinacionet. Nuk ka më makthe. Në fakt, nuk ëndërron më fare.
Mezi po pret t’i marrë protezat e tij e të fillojë të ecë. Karriera e tij ushtarake ndoshta ka mbaruar, por ai dëshiron ta studiojë teknologjinë e informacionit.
“Fakti që e kam kuptuar se gjërat do të bëheshin vetëm më keq nëse do të rrija duke e menduar atë që ndodhi, më ka ndihmuar shumë”, është shprehur Antoni.