Botë

Mbi 40 të vrarë nga një përleshje në një burg të Ekuadorit

Të paktën 43 të burgosur janë vrarë në trazirat e fundit vdekjeprurëse në burgjet e Ekuadorit, ka thënë prokurori publik, raporton BBC të martën.

Një përleshje shpërtheu midis bandave rivale Los Lobos dhe R7 në një burg në Santo Domingo, rreth 80 km në lindje të kryeqytetit Quito.

Ekuadori po lufton me një valë dhune bandash dhe kohët e fundit ka parë trazirat më vdekjeprurëse të burgjeve në histori.

Disa pjesë të Ekuadorit janë në gjendje të jashtëzakonshme për shkak të krimit në rritje që ka tronditur vendin.

Një total prej 108 të burgosurish ikën nga burgu gjatë trazirave dhe mbeten të zhdukur, ka bërë të ditur shefi i policisë lokale. Ndërkohë, 112 të burgosur të tjerë dolën por pas pak u kapën sërish, shtoi ai.

Dhjetë të tjerë u plagosën në trazira, por numri i saktë është ende i paqartë.

Gazeta ekuadoriane El Universo raportoi se, sipas komandantit të Policisë Kombëtare, Fausto Salinas, incidenti u shkaktua nga një përleshje që përfshinte transferimin e një të burgosuri të njohur si Anchundia në burg. Ai kishte qenë një nga drejtuesit që kishte shkaktuar një trazirë të mëparshme në burg në prill.

Fotot nga jashtë burgut tregojnë të burgosurit e gjakosur duke u transportuar nga kamionët në ambulanca. Ndërsa lajmet për trazirat u përhapën në të gjithë komunitetin, shumë të afërm u mblodhën jashtë objektit, të shqetësuar dhe të dëshpëruar.