Botë

Egjipti arreston 13 tinejxherë që ngacmuan dy turiste te piramidat

Piramidat në Egjipt

Prokurorët në Egjipt kanë kërkuar masën e paraburgimit për 13 tinejxherë që u arrestuan nën dyshimin se ngacmuan dy turiste të huaja në piramidat në Giza, raporton BBC.

Egjiptianët kanë shfaqur zemëratën nëpërmjet komenteve në rrjete sociale javën e kaluar, pasi u shfaq një video ku shihej një grup i të rinjve duke ngacmuar dy gra të reja në qendrën arkeologjike.

Në një deklaratë të Prokurorisë thuhet se djemtë janë të moshave nga 13 deri 15 vjet. Thuhet se ata donin të bënin foto me turistet dhe jo të ngacmonin ato.

Djemtë duhet të qëndrojnë në burgun për të mitur derisa të përfundohen hetimet.

Është shtuar se ankesa ndaj djemve është bërë nga ciceroni i turistëve që filmoi ngjarjen e jo nga gratë.

Në videon 35-sekondëshe, ciceroni dëgjohet duke u ankuar se djemtë egjiptianë po “vrapojnë pas të huajve” dhe thotë se dëshiron që për këtë të di ministri i Turizmit.