Gratë në Afganistan kanë shprehur kundërshtime të dielën pasi talebanët morën vendim që ato të mbuloheshin tërësisht në publik, duke përfshirë fytyrat e tyre.
Nën arsyetimin se ky vendim do t’i linte ato të burgosura brenda, ato protestuan më 8 maj, një ditë pasi është miratuar urdhri, raportoi AFP-ja.
Udhëheqësi suprem i Afganistanit dhe shefi i talebanëve, Hibatullah Akhundzada, miratoi urdhrin të shtunën në një lëvizje që kërcënon të shtyjë liritë drejt sundimit të ashpër të vendosur nga islamistët kur ata mbanin më parë pushtetin midis viteve 1996-2001.
Vendimi për mbulim bie ndesh me premtimet për një sjellje më të butë që iu bë komunitetit ndërkombëtar pasi talebanët morën pushtetin në gusht të vitit të kaluar.
"Unë jam duke u burgosur. Unë nuk mund të jetoj në liri dhe e gjithë jeta ime shoqërore po kontrollohet nga talebanët", tha aktivistja Tahmina Taham, një ish-punonjëse e qeverisë e cila humbi punën e saj pasi talebanët u kthyen në pushtet vitin e kaluar. “Harroje të jesh grua, më kanë hequr liritë edhe si qenie njerëzore”, ka shtuar ajo.
Dekreti i Akhundzadas specifikoi se gratë të cilat punojnë në punët qeveritare që nuk zbatojnë urdhrin, duhet të pushohen nga puna, por përveç tyre, pezullim do të ketë edhe për punonjësit gratë dhe vajzat e të cilëve nuk e respektojnë këtë vendim.
Misioni i Kombeve të Bashkuara në Afganistan e dënoi nxjerrjen e dekretit dhe tha se ai mund të tensionojë më tej angazhimin midis islamistëve dhe komunitetit ndërkombëtar.
Nuk ka shenja të menjëhershme të zbatimit të urdhrit të Akhundzadas në Kabul të dielën. Shumë gra janë parë në rrugë pa mbuluar fytyrat e tyre.