Luftime të ashpra janë zhvilluar të enjten në fabrikën e çelikut në Mariupol, teksa forcat ruse kanë tentuar t’i japin fund vijës së fundit të mbrojtjes ukrainase dhe të kompletojnë kapjen e portit strategjik.
Beteja është zhvilluar nën dyshimet se presidenti rus, Vladimir Putin, dëshiron të prezantojë para rusëve një trofe të fitores në kohë me Ditën e fitores, të hënën. Është festa patriotike në kalendarin rus që shënon fitoren e Bashkimit Sovjetik ndaj Gjermanisë naziste.
Në dhjetë javët e luftës shkatërrimtare, ushtria ukrainase ka kthyer kontrollin e disa zonave në jug dhe lindje, duke vështirësuar ambiciet e Putinit pas dështimit për të marrë kontrollin e Kievit.
Forcat ukrainase dhe ato ruse kanë luftuar në secilin fshat, teksa Moska ka dështuar të krijojë momentum në Donbas, zemrën industriale të lindjes në Ukrainë. Ky rajon tani është objektivi kryesor i Kremlinit.
Në shembullin më të madh të rezistencës ukrainase ndaj forcave të Rusisë janë 2 mijë ushtarë, të cilët janë pozicionuar në tunelet dhe bunkerët e fabrikës së çelikut të Azovstalit në Mariupol, fortifikata e fundit që është shndërruar në rrënoja gjatë bombardimeve të dy muajve të fundit. Besohet se në këtë fabrikë janë strehuar më shumë se 1 mijë civilë.
“Ushtria ruse ka hyrë në territorin e Azovstalit, mirëpo janë sprapsur nga mbrojtësit tanë”, ka thënë Oleksiy Arestovych, këshilltar i presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskyy. “Mund të themi se beteja po vazhdon”.
Kremlini ka mohuar se ushtria ka hyrë në territorin e fabrikës.
Një zyrtar ukrainas që gjendet brenda fabrikës u ka bërë thirrje shteteve perëndimore që t’i bëjnë presion Rusisë për të lejuar evakuimin e civilëve dhe të plagosurve. Gjatë fundjavës së kaluar janë evakuuar afro 100 civilë.
Në 24 orët e fundit nga bombardimet në Donbas kanë vdekur 5 persona dhe janë plagosur 25 të tjerë. Nga bombardimet janë shkatërruar dhjetëra shtëpi dhe një shkollë.
Instituti për Studime të Luftës me bazë në Washington ka bërë të ditur se forcat ukrainase kanë arritur të bllokojnë përparimin e rusëve në lindje të Ukrainës, ndërkaq sulmet me raketa në infrastrukturën e transportit në pjesën perëndimore të shtetit kanë dështuar të ndalin furnizimin me armatim drejt Ukrainës.
Qeveria ukrainase ka nisur me propozimet për planin e rimëkëmbjes së shtetit, teksa presidenti Zelenskyy u ka bërë thirrje aleatëve perëndimorë që të hartojnë plan të ngjashëm si “Plani Marshall” i Luftës së Dytë Botërore, me qëllim që të ndihmojnë Ukrainën.
Ndërkaq Bjellorusia ka njoftuar për nisjen e ushtrimeve ushtarake të mërkurën, duke nxitur frikën se aleatja e Rusisë mund t’i bashkohet luftës. Ministria britanike e Mbrojtjes ka deklaruar se ushtrimet nuk përbëjnë kërcënim të menjëhershëm për Ukrainën, mirëpo do të përdoreshin për t’ua pamundësuar forcave ukrainase në veri vazhdimin e betejës në Donbas.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.