Ekipet e shpëtimit në qytetin kinez Changsha e kanë nxjerrë të gjallë një grua nga gërmadhat e një ndërtese gjashtëkatëshe, gjashtë ditë pasi është shembur.
Ajo ishte e vetëdijshme gjatë nxjerrjes së saj, të mërkurën pas mesnatës dhe këshilloi shpëtimtarët se si ta nxirrnin jashtë në mënyrë të sigurt, kanë raportuar mediat shtetërore, raportoi të enjten BBC-ja.
Dhjetë njerëz i kanë mbijetuar katastrofës, por të paktën pesë vdiqën dhe dhjetëra janë ende të zhdukur.
Standardet e dobëta të sigurisë dhe ndërtimit, së bashku me korrupsionin e zyrtarëve lokalë, kanë çuar në një numër shembjesh ndërtesash në Kinë.
Shpëtuesit në Changsha përdorën metoda tradicionale për të zbuluar shenjat e jetës si: të bërtiturat, qentë nuhatës dhe dronët.
Një tjetër i mbijetuari dhe i nxjerrë herët të enjten, kishte kaluar rreth 132 orë i bllokuar në mbeturina.
Një grua tjetër që u shpëtua pas 88 orësh ka treguar se si e mbajti veten në jetë duke pirë me racion ujin dhe duke qëndruar ngrohtë.
21-vjeçarja e paidentifikuar ishte në shtrat kur pjesa e pasme e ndërtesës, e cila përmbante banesa dhe biznese, u shemb pasditen e së premtes së kaluar.
Ajo ra katër kate, por muret nuk u shembën plotësisht dhe formuan një trekëndësh mbi kokën e saj, raporton “Global Times”.