Tetë persona në qytetin iranian Bandar Abbas, kanë vdekur pasi kanë konsumuar alkool të prodhuar në shtëpi, raportoi BBC-ja të martën.
Edhe 51 persona të tjerë po trajtohen në spital për helmim me alkool, ka thënë në një konferencë për media, zyrtarja lokale e shëndetit, Fatemeh Norwruzian. 17 prej tyre janë në gjendje të rënduar dhe nën kujdes intensiv, derisa 30 i janë nënshtruar dializës, ka shtuar ajo.
Policia iraniane ka bërë të ditur se ka arrestuar tetë persona nën dyshimin se e kanë prodhuar dhe shpërndarë alkoolin.
Prodhimi, shitja dhe konsumimi i alkoolit është i ndaluar rreptësishtë në Republikën Islamike, me përjashtim të disa minoriteteve fetare. Ndëshkimi për konsumim të alkoolit nga një mysliman është 80 goditje me kamxhik.
Zyrtarët e qytetit Bandar Abbas nuk e kanë identifikuar substancën helmuese që ndodhet në alkoolin e bërë në shtëpi, mirëpo viteve të fundit, qindra iranian kanë vdekur pasi kanë konsumuar pije që përmbajnë nivele vdekjeprurëse të metanolit.
Metanoli zakonisht përdoret për të bërë produktin anti-friz, produkte tretëse dhe karburante, mirëpo nganjëherë shtohet kundërligjshëm për të rritur përmbajtjen e alkoolit. Nëse konsumohet edhe në sasi shumë të vogla, kjo substancë mund të shkaktojë verbim ose edhe vdekje.
Në prill të vitit 2020, Ministria e Shëndetësisë ka thënë se më shumë se 500 njerëz kanë vdekur, ndërkohë që 5.000 të tjerë kanë kërkuar trajtim mjekësor për shkak të helmimit brenda vetëm tre muajve.