Ndihma prej 33 miliardë dollarësh për Ukrainën, e propozuar nga presidenti amerikan, Joe Biden të enjten, do të bëjë një ndryshim të madh në aftësitë luftarake të Ukrainës, ka thënë presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, në fjalimin e tij të natës drejtuar kombit, raportoi BBC-ja.
Në fillim të fjalimit, Zelensky falënderoi popullin amerikan dhe presidentin Biden dhe tha se pajtohet me komentin e Bidenit se paketa "nuk është e lirë", por është e nevojshme për të ndaluar agresionin rus.
Zelensky përsëriti zotimin e tij për të mbajtur përgjegjës çdo ushtar rus që zbulohet se ka kryer krime lufte në Ukrainë.
“Banditët që vranë dhe torturuan ukrainasit do të sillen në gjyq”, ka thënë Zelensky, duke paralajmëruar se shumë prej tyre mund të mos i mbijetojnë luftës.
"Kjo brigadë ruse u zhvendos në rajonin e Kharkivit. Atje, rusët do të marrin hakmarrje nga ushtria jonë", është shprehur Zelensky.
Ai po ashtu ka thënë se të enjten në Kiev u takua me kryeministrin bullgar dhe sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, të cilit i ka thënë se veprimet e Rusisë shkelin çdo kartë të OKB-së.
"Dhe sot, menjëherë pas përfundimit të bisedimeve tona në Kiev, raketat ruse fluturuan në qytet. Pesë raketa”, ka thënë ai, duke aluduar në disa shpërthime që kanë ndodhur mbrëmjen e së enjtes në kryeqytetin ukrainas.