Kryenegociatori i Rusisë, Vladimir Medinsky, konfirmoi raportet se "disa biseda të gjata" ishin zhvilluar me Ukrainën të premten, por ai nuk dha detaje, raporton Reuters.
Ndryshe u shpreh ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, i cili ka thënë se përpjekjet diplomatike për t'i dhënë fund luftës kanë ngecur.
“Ata tani kanë ngecur sepse propozimi ynë i fundit që iu dorëzua negociatorëve ukrainas rreth pesë ditë më parë dhe i formuluar duke marrë parasysh komentet që morëm prej tyre mbetet pa përgjigje”, ka thënë Lavrov, i cili më parë ka akuzuar Ukrainën për zvarritje të procesit të paqes.
Kremlini ka thënë në fillim të kësaj jave se Moska kishte paraqitur një propozim të ri me shkrim. Në përgjigje, presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskiy ka thënë se ai as nuk e kishte parë dhe as dëgjuar për dokumentin.
Në një bisedë telefonike më herët gjatë ditës së sotme me presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, Vladimir Putin akuzoi palën ukrainase si "jokonsistente" në negociata.