Presidenti amerikan, Joe Biden, ka aprovuar një paketë të re të ndihmës me municione për Ukrainën, në vlerë prej 800 milionë dollarësh, raportoi BBC-ja të mërkurën.
Njoftimi për këtë ndihmë vjen vetëm pak orë pasi Bideni zhvilloi një bisedë telefonike me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Lista e ndihmës, të cilën ukrainasit e kanë kërkuar prej kohësh, do të përfshijë një ri-furnizim të armëve tashmë të dhëna për ukrainasit dhe sisteme të reja armësh, të përshtatura për sulmin e ri rus që pritet në lindje të vendit në ditët në vijim.
Ndihma do të përfshijë po ashtu 200 transportues të blinduar, sisteme të avancuara artilerie, dronë dhe ndoshta më e rëndësishmja helikopterë, duke mbushur boshllëqet kryesore në armatimin e Ukrainës.