Rusia është distancuar nga politikani i arrestuar të martën nga autoritetet e Ukrainës, Viktor Medvedchuk, duke thënë se biznesmeni nuk ka asnjë kanal komunikimi me Kremlinin.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë të mërkurën se Medvedchuk është vetëm një shtetas ukrainas, kur është pyetur në lidhje me propozimin e presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky për shkëmbimin e tij me ushtarë ukrainas të zënë robër, raportoi BBC-ja.
Politikani pro-rus Viktor Medvedchuk, është arrestuar nga autoritetet ukrainase të martën. 67-vjeçari shihet si aleati më i ngushtë i presidentit, Vladimir Putin në Ukrainë.
Më herët, ai pati thënë se është kumbari i njërës prej vajzave të Putinit.
Autoritetet ukrainase kishin vënë Medvedchukun nën arrest shtëpiak që nga tetori i vitit të shkuar, por ai iku tri ditë pasi nisi pushtimi rus i Ukrainës më 24 shkurt. Nuk dihej vendndodhja e tij deri të martën.