Botë

Për herë të parë, Bideni akuzon “diktatorin” Putin për gjenocid në Ukrainë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ka akuzuar “diktatorin” Vladimir Putin për gjenocid, për herë të parë që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës, shkruan BBC.

Duke folur në Iowa për kostot e brendshme të energjisë, Biden shkoi më tej se çdo anëtar tjetër i administratës së tij në përshkrimin e vrasjeve civile në Ukrainë.

Zyrtarët amerikanë kanë akuzuar Rusinë për kryerjen e krimeve të luftës, por deri më tani nuk kanë shkuar aq larg sa ta quajnë atë "gjenocid".

Bideni ka thënë më vonë se do të varet nga avokatët që të vendosin nëse ishte kryer gjenocid.

“Unë e quajta atë gjenocid sepse është bërë gjithnjë e më e qartë se presidenti rus Vladimir Putin thjesht po përpiqet të fshijë edhe idenë e të qenit ukrainas. Provat po shtohen. Më duket me siguri si gjenocid”, u tha ai gazetarëve pas fjalimit të tij.