Botë

Ukraina thotë se Rusia ka përdorur substanca të panjohura në Mariupol

22:50 - Zelensky: Mënyra se si Ukraina do të rindërtohet, do ta inspirojë botën

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, është shprehur i bindur se vendi do të rindërtohet shumë shpejtë nga dëmet e shkaktuara nga lufta që ka nisur Rusia në përpjekje për ta pushtuar.

“Do të jetë rindërtim historik”, ka shkruar Zelensky, shkruan Sky News.

Lajmi i plotë mund të lexohet KËTU. 


22:39 - Tre të vrarë nga një sulm ajror në Donetsk

Tre persona janë vrarë nga sulmet ajrore në Donetsk, ka thënë kryetari i këtij rajoni.

Në një postim në Telegram, Pavlo Kyrlenko ka thënë se tetë civilë janë lënduar gjatë sulmit, shkruan Sky News.

Lajmi i plotë mund të lexohet KËTU. 


22:34 - Ukraina thotë se Rusia ka përdorur substanca të panjohura në Mariupol

Rusia ka përdorur “substanca të panjohura” në qytetin e Mariupolit, ka thënë se kryetarja e Komitit Parlamentar për Integrim të Ukrainës në BE.

Ivana Klympush ka thënë se Rusia ka përdorur armë kimike në një sulm, pasi sipas saj disa viktima janë duke pasur “dështim të frymëmarrjes”, shkruan Sky News.

Lajmi i plotë mund të lexohet KËTU. 


21:00 - Ukraina e shqetësuar për fatin e grave të mbajtura në burgjet ruse

Më tepër se 1000 civilë dhe mbi 700 ushtarë ukrainas po mbahen në burgjet e Rusisë apo nga separatistët pro-rusë, ka thënë zëvendëskryeministrja e Ukrainës, Iryna Vereshchuk.

Në një intervistë emocionale për agjencinë Reuters, Vereshchuk, ka thënë se më së tepërmi është e shqetësuar për më tepër se 500 gra që janë në mesin e civilëve, që po përballen me poshtërime.

Lajmi i plotë mund të lexohet KËTU. 


20:45 - Kryetari i Mariupolit thotë se nga sulmet ruse në këtë qytet janë vrarë mbi 10 mijë civilë

Kryetari i qytetit ukrainas Mariupol ka thënë të hënën se mbi 10 mijë civilë kanë vdekur si pasojë e sulmeve ruse dhe rrethimit të qytetit nga forcat ruse, raporton agjencia AP.

Vadym Boychenko ka thënë se shifra e të vdekurve mund të arrijë në mbi 20 mijë, ndërsa ai thotë se rrugët e qytetit janë mbushur me kufoma të civilëve të vrarë.

Lajmi i plotë mund të lexohet KËTU. 


16:41 - Lavrov: Nuk do të ketë armëpushim para bisedimeve me Ukrainën

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, thotë se Moska nuk do të ndalë sulmet në Ukrainë para raundit të ardhshëm të bisedimeve për paqe me Ukrainën.

Por, Lavrov, në një intervistë për kanalin e lajmeve “Rossiya-24”, ka thënë se nuk sheh arsye pse bisedimet të mos vazhdojnë.

“Presidenti (Vladimir Putin) e ka cekuar më herët se një herë se ne preferojmë të bisedojmë”, ka thënë Lavrov.

Lajmi i plotë KËTU. 


15:13 - Gjermania pritet ta furnizojë Ukrainën me 50 tanke

Prodhuesi gjerman i pajisjeve mbrojtëse, Rheinmetall, po bëhet gati ta furnizojë Ukrainën me 50 tanke luftarake, raporton BBC-ja të hënën.

Siç bëhet e ditur, tanket e tipit “Leopard 1”, mund t’i dorëzohen forcat ukrainase brenda gjashtë javësh, derisa pas tre muajsh do të dërgohen të tjerë, në rast se miratohet nga qeveria gjermane.

“Leopard 1”, për herë të parë u përdor në vitin 1965, derisa thuhet se është paraardhës i “Leopard 2”.


12:22 - BE-ja po shqyrton masa kundër naftës e gazit rus

Bashkimi Evropian është duke diskutuar për një paketë të gjashtë sanksionesh kundër Rusisë, në përpjekje për të mbajtur këtë vend nën presion për të ndalur luftën në Ukrainë, ka thënë të hënën ministri i Jashtëm danez, Jeppe Kofod.

"Nga pala daneze, ne do të jemi të gatshëm të vazhdojmë sa më shumë që të mundemi për të gjetur konsensus mbi sanksionet, duke përfshirë edhe energjinë”, ka thënë Kofodi para gazetarëve para takimit të ministrave të Jashtëm të BE-së në Luksemburg.

Lajmi i plotë KËTU.


12:15 - Kolona e tankeve ruse shkatërrohet nga forcat ukrainase

Një kolonë e tankeve ruse u shkatërrua nga forcat ukrainase së fundmi, derisa pamjet janë bërë virale në mediat online. Lajmi i plotë KËTU.

 
Kolona e tankeve ruse shkatërrohet nga forcat ukrainase

Kolona e tankeve ruse shkatërrohet nga forcat ukrainase DETAJE: https://www.koha.net/r320001 ?

Posted by Koha.net on Monday, April 11, 2022

10:28 - Inteligjenca britanike paralajmëron përdorimin e bombave fosforike nga Rusia

Britania e Madhe ka paralajmëruar se Rusia mund t’i përdor municionet fosforike në luftime ndaj Ukrainës në qytetin Mariupol, raportoi BBC-ja të hënën.

Ministria e Mbrojtjes e Britanisë deklaroi të hënën se këto municione, që janë të ndaluara të përdoren sipas ligjeve ndërkombëtare, tashmë janë aktive në rajonin e Donetskut.

Inteligjenca britanike tha se Rusia “po e shton më shumë rrezikun ndaj civilëve për shkak të mbështetjes në bombat e palejuara”.

Gjithashtu u tha se bombardimet po vazhdojnë në rajonet lindore, në Donetsk dhe Luhansk, por që forcat ukrainase i zmbrapsen sulmet ruse.


10:15 - Mbi 2.6 milionë ukrainas u larguan drejt Polonisë

Që nga fillimi i luftës në Ukrainë, 24 shkurt, mbi 2 milionë e 600 mijë ukrainas kanë ikur në drejtim të Polonisë, kanë bërë të ditur autoritete polake të kufirit të hënën.

Numri i të larguarve ditëve të fundit ka rënë ndjeshëm, deri sa të dielën 28.500 persona u regjistruan si refugjatë.

Siç raportoi BBC-ja të hënën, jo të gjithë refugjatët ukrainas po ndalen në Poloni. Një pjesë e tyre Poloninë e kanë përdorur si pikëkalim drejt vendeve të tjera perëndimore.

Në regjistrimin e kryer në janarin e këtij viti, sipas "worldpopulationreview", Ukraina numëron mbi 43 milionë banorë.


8:57 - Ukraina pretendon për gati 20 mijë rusë të vrarë

Autoritetet ukrainase kanë njoftuar se përgjatë 47 ditëve të luftimeve me forcat ruse, armikut i kanë shkaktuar shumë dëme.

Sipas një raporti të publikuar të hënën, deri më tani janë vrarë 19.500 rusë, janë shkatërruar 725 tanke, 1.923 automjete të blinduara, 3347 sisteme artilerike, 137 helikopterë, 119 dronë, 1.387 mjete transporti, 7 anije, 25 pajisje speciale dhe 4 sisteme raketore.

Rusia nuk i ka bërë publike të dhënat e saj që nga fundi i marsit, por edhe ato të dhëna ishin marrë me rezervë nga mediat e huaja.

Luftimet në mes Ukrainës dhe Rusisë janë zhvendosur në lindje të vendit, e kjo thuhet se po i shkon përshtati ukrainasve pasi në atë regjion janë më të përgatitur.


8:55 - Lideri çeçen Kadyrov: S’kemi hequr dorë nga Kievi

Lideri çeçen Ramzan Kadyrov, ka thënë se Rusia nuk ka hequr dorë nga pushtimi i Kievit. Kadyrov në një videomesazh të postuar në rrjetin social Telegram, ka thënë se do të ketë sulme ruse jo vetëm në qytetin Mariupol, ku po luftohet pa ndërprerë tash e disa javë, por edhe në Kiev e qytete të tjera.

“Do të vijë deri të sulmi”, tha Kadyrov. “Së pari do të çlirojmë plotësisht Luhanskun e Donetskun e më pas do të marrim Kievin”, shtoi ai.

Pas dështimit për të marrë Kievin, forcat ruse janë tërhequr nga veriu i Ukrainës dhe janë përqendruar në lindje për të okupuar rajonin separatist Donbas, ku bëjnë pjesë dy rajonet e vetëshpallura si shtete Luhansk e Donetsk. Në këto rajone të mbështetura nga Rusia, luftohetqë nga viti 2014.

“Ju garantoj se nuk do të tërhiqemi për asnjë hap”, tha Kadyrov.

Forca të rekrutuara nga ai, janë dërguar tash e sa kohë për luftime në Mariupol, qytetin më të shkatërruar ukrainas nga luftimet. Qendra e qytetit port ende është në kontroll të forcave ukrainase.


8:27 - Ukrainasit më të favorizuar për luftime në lindje

Lufta në Ukrainë është zhvendosur në lindje të vendit, ku forcat ukrainase janë më të përgatitura, raporton BBC-ja të hënën.

Analistët kanë deklaruar se njësitet më të mira ukrainase janë të pozicionuara në lindje dhe se kanë krijuar llogore e sisteme më të forta mbrojtëse.

Deri më tani, trupat ukrainase i kanë rezistuar agresionit rus, derisa zyrtarët rusë kanë thënë se fokus i tyre tashmë është “çlirimi i plotë” i Donbasit, duke iu referuar rajoneve separatiste të Luhanskut dhe Donetskut.

Gjithashtu, siç bënë të ditur analistët që po i përcjellin zhvillimet në Ukrainë, terreni në lindje do të jetë më sfidues për rusët pasi ka më tepër pyllëzim.

Rusët u tërhoqën krejtësisht nga veriu i Ukrainës, pasi nuk ia dolën të pushtojnë kryeqendrën – Kievin.