Botë

Irani kërkon nga SHBA-ja të heq disa sanksione përpara marrëveshjes bërthamore

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, duhet të heqë disa sanksione ndaj Iranit për të treguar se e ka qëllim ringjalljen e marrëveshjes ndërkombëtare bërthamore me Teheranin, ka thënë të dielën Ministri i Jashtëm i Iranit, Hossein Amirabdollahian.

“Nëse Bideni ka synime të heqë sanksionet dhe të kthehet në marrëveshjen bërthamore, ai duhet të nxjerrë një urdhër ekzekutiv për të treguar vullnetin e tij të mirë në vend që të aplikojë sanksione ndaj personave fizikë dhe juridikë në Iran”, ka thënë kryediplomati iranian, raportoi Reuters.

Amirabdollahian ka pretenduar se në shumë raste amerikanëve u është thënë që duhet të paraqesin praktika para marrëveshjes.

“Për shembull duke liruar disa nga asetet e Iranit të mbajtura në bankat e huaja”, ka shtuar ai.

Irani dhe Shtetet e Bashkuara janë angazhuar në bisedime indirekte në Vjenë gjatë vitit të kaluar për të ringjallur marrëveshjen bërthamore të vitit 2015, të cilën presidenti i atëhershëm i SHBA-së, Donald Trump është tërhequr nga kjo marrëveshje duke vendosur sanksione ndaj këtij vendi.

Negociatat kanë ngecur pasi Teherani dhe Uashingtoni fajësojnë njëri-tjetrin për dështimin që të marrin vendimet e nevojshme politike për të zgjidhur çështjet e mbetura.