Në një degë të vjetër të kirurgjisë, doktoresha Summaiya Syed sjell drejtësi për shumë viktima përdhunimi dhe të dhunës në familje
Lodrat e vendosura në tavolinë - një byzylyk me rruaza, një kafkë e vogël lodër, dhe një gotë në forme poçi elektrik - janë “akullthyese” për fëmijët, tregon doktoresha. Kur djali dhe vajza e saj ishin më të vegjël, dr. Summaiya Syed ua merrte lodrat dhe i sillte në punë.
Ajo blinte kukulla dhe ua jepte fëmijëve të cilët loznin në dhomën e spitalit përballë saj. Kukulla është lënduar. “A mund të më tregosh ku po të dhemb?”- pyeste ajo kukullën, dhe nëse fëmija i tregonte se ku kishte dhimbje, dr. Summaiya e pyeste: “Kush i shkaktoi dhimbje kukullës?”.
Por sot nuk ka kukulla këtu, sepse fëmijët i marrin me vete kur ata dalin nga spitali.
Dr. Summaiya ka qenë zyrtare mjeko-ligjore për 23 vjet. 50-vjeçarja me syze duket si mësuese zemërmirë, por e vendosur. Ajo ka një buzëqeshje të ëmbël dhe me durim u përgjigjet pyetjeve, por kur vizitorët kërkojnë nga ajo për t’i anashkaluar rregullat për dokumentacione që ata kanë nevojë, refuzon me vendosmëri.
Në ditën kur ne u takuam, kishte flokët e kapur dhe kishte veshur fustan të thjeshtë ngjyrë portokalli dhe të zezë, me xhinse të zeza dhe sandale.
Dera e zyrës së saj nuk mbetet mbyllur për shumë gjatë, sepse stafi i saj vazhdimisht hyn brenda për të marrë një vendim prej saj, apo për ta njoftuar për të rejat e ndonjë rasti mjekësor. “Ne nuk ndalemi për askënd”, thotë ajo.

Përvoja vendimtare
Në vitin 1999, kur dr. Summaiya sapo kishte përfunduar shkollën e mjekësisë, kishte punuar në zyrën e kirurgut të policisë në Spitalin Civil të Karaçit, ku kishte për detyrë të ekzaminonte viktimat femra të dhunës, duke përfshirë këtu përdhunimet, sulmet dhe vdekjet jonatyrale, siç janë vetëvrasjet, vrasjet dhe aksidentet.
Gjatë asaj kohe, thotë se nuk i përdornin fjalët “dhunë familjare”, por vetëm “sulme fizike”. “Nuk kisha ide se çfarë pune kisha pranuar”, thotë ajo.
Në shkollën e mjekësisë, kur kolegët e saj ishin të interesuar për specializime fitimprurëse, ajo kishte vendosur të bëhej mjeke ligjore. Prandaj asaj iu duk se ishte një 27-vjeçare me fat, meqë kishte një punë qeveritare në një spital publik që e paguante atë 6000 rupi (34 dollarë) në muaj. Në këtë punë kishte për detyrë të zbulonte rrethanat në të cilat dikush kishte humbur jetën apo ishte lënduar.
“Gjatë kësaj pune duhet të merresh me të vdekurit dhe jo të gjithë mendojnë për këtë gjë. Kam parë trupa me kapsula të heroinës në abdomen, jam marrë me gra të rrahura dhe me fëmijë të cilët ishin hedhur në plehra. Ne shkojmë në varreza dhe i zhvarrosim të vdekurit, pastaj duhet të merremi me policinë dhe të shkojmë në gjykatë për të prezantuar rezultatet”, ka thënë ajo.
Shumica e doktorëve të cilët ishin përballur me të, veçanërisht femrat, kishin kërkuar të transferoheshin. Në një qytet me afërsisht 1000 banorë gjatë asaj kohe, ekzistonin vetëm katër zyrtare femra mjeko-ligjore dhe njëzet zyrtarë meshkuj mjeko-ligjorë.
Në muajin e parë të punës së saj, dr. Summaiya u mor me rastin e një vajze e cila ishte përdhunuar nga mësuesi i saj i sportit. Kjo ishte hera e parë që ajo ishte thirrur në gjykatë për të prezantuar dëshmitë.
Pas gjithë kësaj kohe, ende mban mend emrin e gjyqtarit dhe numrin e sallës së gjykimit. Pasi kishte mbrojtur me sukses këtë rast, mban mend se gjyqtari i kishte thënë: “Ke zgjedhur fushën e duhur”. Autori i krimit ishte dënuar me 14 vjet burgim dhe ai ishte gjykimi i parë për dr. Summaiyan. Që atëherë nuk ka shikuar më prapa. “Unë jam shumë e suksesshme në këtë punë”, ka shtuar ajo.
Secili rast është enigmë
Zyrtari mjeko-ligjor ka për detyrë të bëjë ekzaminimin komplet fizik të viktimës, të mbledhë dëshmi për testim, të ofrojë trajtim (siç është kontracepsioni urgjent në rast përdhunimi), ta referojë rastin në polici dhe të dëshmojë në gjykatë nëse është e nevojshme.
Zyrtari mjeko-ligjor merret me viktimat e incidenteve, siç janë bombardimet, lëndimet me armë, sulmet fizike, vrasjet, vetëvrasjet, përdhunimet dhe sulmet seksuale dhe pastaj shkruan raportin duke u bazuar në ekzaminimin e tij dhe regjistron deklaratat nga viktimat që kanë mbetur gjallë. Të dyja këto dorëzohen në polici.
“Kam provuar drejtimin e pediatrisë, por isha shumë emocionale me pacientët për t’iu ndihmuar”, ka thënë dr. Summaiya. Edhe tani ajo shqetësohet shumë kur ka për të ekzaminuar trupat e fëmijëve apo të grave shtatzëna, të cilat kishin pësuar dhunë.
“Nuk mund ta imagjinoj agoninë në të cilën ishin ato gjatë momenteve të tyre të fundit”, ka thënë ajo.
Secili rast është enigmë që kërkon jo vetëm njohurinë e librave, por edhe instinkte të mira. Për shembull, një herë një vajzë ishte sjellë këtu nga babai i cili thoshte se vajza ishte përdhunuar nga një fqinj. “Isha me dy mendje, për faktin se pse nëna nuk ishte me fëmijën në këtë rast traumatik”, prandaj dr. Summaiya kishte kërkuar mostrën e gjakut nga babai i vajzës.
Qelizat e gjakut të vajzës u përputhen me ato të babait, i cili kishte gënjyer për të fshehur faktin se ishte ai i cili e kishte sulmuar seksualisht vajzën e tij.
Kur e pyeta se si kishin filluar t’i pëlqenin rastet e mistershme, ajo buzëqeshi. “Kushedi! Nga librat e Agatha Christie? Apo nga seria e librave ‘Famous Five’? Ose ndoshta nga Nancy Drew apo nga novelat”.
“Nënë e pazakonshme”
Në maj të vitit 2020, kur një aeroplan u rrëzua në një lagje banimi në Karaçi, duke vrarë 97 udhëtarë, dr. Summaiya kishte bërë 34 autopsi brenda ditës.
Në këtë qytet nuk kalonte kohë e gjatë pa mbërritur ndonjë person i njohur në dhomën e saj të ekzaminimit. Në një rast ishte sjellë trupi i një vajze 16-vjeçare, e cila ishte goditur nga një person që kishte hyrë në shtëpinë e saj me forcë. Ajo ishte vajza e një shoku. “Nuk mund t’ia numëroja plagët”, tregon dr. Summaiya qetësisht.
Pasi kishte kaluar tre vjet në punën e saj të parë, dr. Summaiya kishte lindur djalin. Kur ai nuk ishte ende as njëvjeçar, e merrte me vete në punë kur punonte në ndërresën e natës. “Duhet të jesh 12 orë në punë, pa ditë pushimi për Bajram, pa pushim mjekësor dhe pa ditë pushimi në rast vdekjeje në familje”, ka thënë ajo.
Djali po mësohej të ecte derisa ajo ulej në tavolinën e saj dhe shkruante shënimet e ekzaminimit. Dhuna të cilën ajo e kishte parë kishte ndikuar në eksperiencën e saj si nënë. Në kohën kur kishte lindur vajzën në vitin 2004, thotë: “Isha nënë e traumatizuar, jo nënë e zakonshme”.
Derisa fëmijët e saj, tani 18 dhe 20 vjeç, bëjnë shaka se janë “të burgosurit” e rregullave të saj, ajo shpjegon: “Ajo çfarë kam mësuar edhe para se t’i lindja fëmijët e mi, qofshin edhe 6 muajsh, fëmijët mund të përdhunohen”.
Kur djali shkoi në një koncert në Ditën e Shën Valentinit këtë vit, ajo e telefonoi para orës dhjetë, por ai nuk iu kishte përgjigjur, sepse koncerti mbahej në një bodrum ku nuk kishte valë telefonike. “Për një orë po çmendesha nga shqetësimi”, ka thënë ajo.
Përktheu: Marigona Avdimetaj
(Vijon)