Botë

OKB-ja: Pamjet nga Bucha, dëshmi që civilët u shënjestruan nga forcat ruse

Organizata e Kombeve të Bashkuara ka deklaruar të martën se pamjet e mizorive të kryera në qytetin ukrainas, Bucha, dëshmojnë plotësisht se civilët kanë qenë drejtpërdrejt shënjestër e forcave ruse.

Në një konferencë virtuale për shtyp, zëdhënësja e Zyrës së Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, Liz Throssell ka thënë se OKB-ja është “tmerruar” nga pamjet e shfaqura që tregojnë trupa të pajetë civilësh të shpërndarë nëpër rrugët e qytetit që ndodhet në veriperëndim të Kievit, raportoi CNN-i.

“Ajo që kemi parë të ketë ndodhur nga Bucha dhe nga zona të tjera tregon qartë zhvillime shumë shqetësuese. Duke parë videon dhe pamjet që kanë dalë nga atje dëshmohet se viktimat ishin shënjestruar dhe u vranë drejtpërdrejt nga forcat ruse”, ka thënë Throssell.

Ajo ka shtuar se është diskutuar për krimet e luftës në kontekstin e granatimeve, bombardimeve e sulmeve artilerie të cilat duhet të hetohen, por sipas saj, nuk mund të argumentohet se ka kontekst ushtarak një individ i shtrirë në rrugë me një plumb në kokë, apo me trupat e tyre të djegur.