Qeveria japoneze do të ofrojë 100 milionë dollarë shtesë ndihmë humanitare për Ukrainën dhe vendet fqinje, ka njoftuar të martën Ministria e Punëve të Jashtme e këtij vendi, shkruan BBC-ja.
Fondet do të përdoren për të mbështetur ndihmat mjekësore dhe ushqimore, njoftoi ministria përmes një deklaratë, si dhe për personat e zhvendosur në vendet tjera si Poloni, Moldavi dhe Rumani.
Shuma e ndihmës së ofruar deri tash shkon në 200 milionë dollarë, përfshirë edhe paketën e parë të ndihmës më 11 mars.
“Qeveria e Japonisë do të vazhdojë të ofrojë mbështetje dhe të qëndrojë pranë popullit të Ukrainës që po përballet me vështirësi, në bashkëpunim me komunitetin ndërkombëtar, përfshirë anëtarët e G7-s”, thuhet në deklaratë.
Disa nga nëntë organizatat ndërkombëtare dhe japoneze që kanë marrë fonde përfshijnë Agjencinë e Lartë të OKB-së për Refugjatë (UNHCR) dhe Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (ICRC), sipas ministrisë.