Botë

Orban refuzon kërkesat e Zelenskyt, s’ka ndihmë ushtarake për Ukrainën e as sanksione për Rusinë

Kryeministri hungarez, Viktor Orban, ka refuzuar kërkesat e presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky për lejimin e transferimeve të armëve në Ukrainë dhe sanksione më të ashpra kundër Rusisë, duke thënë se kjo do të ishte “kundër interesave të Hungarisë”, shkruan BBC.

“Orban refuzoi kërkesat e Zelenskyt në Këshillin Evropian sepse ato janë në kundërshtim me interesat e Hungarisë. Hungaria dëshiron të qëndrojë jashtë kësaj lufte, kështu që nuk do të lejojë transferimin e armëve në Ukrainë”, ka thënë në një deklaratë të premten zëdhënësi i qeverisë hungareze Zoltan Kovacs.

Orban ka thënë se pakica etnike-hungareze në perëndim të Ukrainës do të kërcënohej nëse Hungaria dërgonte armë në Kiev. Hungaria, një anëtare e BE-së dhe NATO-s, ka refuzuar të dërgojë ndihmë ushtarake në Kiev, ose ta lejojë atë të kalojë territorin e saj. Megjithatë, ka mirëpritur mbi gjysmë milioni refugjatë.

Orban, një nacionalist, ka kultivuar lidhje të ngushta me presidentin rus Vladimir Putin vitet e fundit.