Botë

U rrëzua një avion në Norvegji, katër ushtarë amerikanë vdiqën

Katër ushtarë amerikanë vdiqën pasi avioni ku ishin u përplas gjatë një stërvitjeje të NATO-s që nuk kishte lidhje me luftën në Ukrainë, ka thënë kryeministri i Norvegjisë të shtunën, raporton AP.

Jonas Gahr Store ka shkruar se ata vdiqën në përplasje të premten mbrëma. Shkaku po hetohet.

“Ushtarët morën pjesë në stërvitjet e NATO-s ‘Cold Response’”, ka thënë ai, duke shprehur ngushëllime për familjarët.

Avioni V-22B Osprey ishte i trupave detare të SHBA-së.

“Avioni kishte një ekip prej katër personash dhe po shkonte në një mision stërvitjeje në Norvegji”, thuhet në një deklaratë.

Të shtunën, policia shkoi në vendngjarje dhe konfirmoi se të katërtit kishin vdekur.

Stërvitjet vjetore të NATO-s në Norvegji nuk kanë lidhje me luftën në Ukrainë. Këtë vit ata përfshinin rreth 30,000 trupa, 220 avionë dhe 50 anije nga 27 vende. Vendet jo-anëtare të NATO-s, Finlanda dhe Suedia, po marrin pjesë gjithashtu.

Stërvitjet filluan më 14 mars dhe përfundojnë më 1 prill.