Botë

Hungaria për herë të parë zgjedh një grua për presidente

Descriptive Text

Parlamenti hungarez ka zgjedhur Katalin Novak, një aleate e ngushtë e kryeministrit Viktor Orban, në postin e presidentes së parë grua të këtij vendi.

Novak, e cila së fundmi shërbeu si ministre për politikën familjare, e portretizoi zgjedhjen e saj të enjten si një fitore për gratë.

Ajo u zgjodh në rolin kryesisht ceremonial me 137 vota për dhe 51 kundër në parlamentin e dominuar nga partia e djathtë e kryeministrit Viktor Orban.

"Ne gratë rritim fëmijë, kujdesemi për të sëmurët, gatuajmë, jemi në dy vende në të njëjtën kohë nëse është e nevojshme, fitojmë para, mësojmë, fitojmë çmime Nobel, pastrojmë dritaret," tha Novak në një fjalim para se të votohej. "Ne e dimë fuqinë e fjalëve, por mund të heshtim dhe të dëgjojmë nëse duhet, dhe të mbrojmë familjet tona me një guxim përtej atij të burrave nëse rreziku kërcënon”, ka shtuar 44-vjeçarja, raporton Al Jazeera.