Franca ka ndarë edhe 100 milionë euro ndihmë financiare dhe humanitare për Ukrainën, ka bërë të ditur të martën ministri i Jashtëm francez.
“Përballë situatës humanitare në Ukrainë të shkaktuar nga pushtimi i vendit nga Rusia dhe në përgjigje të kërkesës së autoriteteve ukrainase, Franca ka vendosur të mobilizojë një paketë financiare prej 100 milionë euro për të dhënë një përgjigje për popullsinë e prekur nga konflikti”, thuhet në deklaratë.
“Përveç mbështetjes financiare për OJQ-të dhe organizatat shumëpalëshe, ndihma jonë merr formën e ndihmës urgjente humanitare”, vazhdon deklarata.
Tetë tonë ndihma të tjera u nisën nga Franca të martën për në Ukrainë, me deklaratën që shtonte se "operacione të tjera ndihme humanitare për Ukrainën janë në shqyrtim".
Franca gjithashtu do të ofrojë ndihmë për refugjatët ukrainas në Poloni, thuhet në deklaratë.
Franca ka dërguar tashmë 33 tonë ndihmë urgjente, e cila përfshin tenda, batanije dhe çanta gjumi, në Ukrainë nëpërmjet Polonisë. Ato iu dorëzuan autoriteteve ukrainase të hënën.