Shtëpia e Bardhë ka mohuar pretendimet e presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, se presidenti i SHBA-së, Joe Biden, i ka ofruar atij moratorium sa i përket anëtarësimit të Ukrainës në NATO, raporton CNN.
Nuk ka pasur ndonjë ndryshim të qëndrimit të SHBA-së sa i përket anëtarësimit në NATO, ka thënë një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë.
Por, presidenti i SHBA-së, Joe Biden, kishte cekur qartë muajin e kaluar se nuk ka pritje që Ukraina do të anëtarësohet së shpejti në NATO.
Më herët sot në Këshillin e Sigurimit të Rusisë, Putin kishte pretenduar se Biden i ka dhënë garanci se Ukraina nuk do të pranohet së shpejti në NATO dhe se anëtarësimi i saj i mundshëm mund të jetë subjekt i një moratoriumi.
“Kolegu amerikan më ka siguruar se Ukraina nuk do të pranohet nesër në NATO. Për më tepër, një lloj moratoriumi është i mundur. Përgjigja ime është e thjeshtë: ne besojmë se ky nuk është një lëshim që po bëhet për ne, thjeshtë është zbatim i planeve tuaja”, tha Putin.