Botë

Shpërthimi në anijen nigeriane të naftës ngjall frikën për rrjedhje të mëdha

Një anije me një kapacitet magazinimi prej dy milionë fuçi nafte ka shpërthyer në brigjet e shtetit Delta të Nigerisë jugore, duke rritur frikën për një fatkeqësi mjedisore dhe shqetësime për fatin e ekuipazhit të saj.

Shebah Exploration & Production Company Ltd bëri të ditur të enjten se flakët kishin përfshirë Trinity Spirit pas shpërthimit një ditë më parë. Anija lundruese e prodhimit, magazinimit dhe shkarkimit mund të përpunojë deri në 22,000 fuçi naftë në ditë, sipas faqes së internetit të operatorit.

Imazhet e publikuara nga mediat lokale treguan tym të zi të dendur që dilte nga një anije që po fundoset e përfshirë nga flakët.

Anija ndodhej në terminalin Ukpokiti, përgjatë bregut të rajonit të pasur me naftë, Delta e Nigerisë.

Tiby Tea, kryetar i Unionit Detar për Autoritetin e Porteve nigeriane në Warri, konfirmoi se dy varka të dërguara në anije nuk mund të gjenin askënd.

"Për momentin nuk ka viktima të raportuara, por ne mund të konfirmojmë se kishte 10 anëtarë të ekuipazhit në bordin e anijes përpara incidentit”, ka thënë në një deklaratë shefi ekzekutiv i SEPCOL, Ikemefuna Okafor.

Një hetim është duke u zhvilluar për të përcaktuar shkakun e aksidentit, tha ai, duke shtuar se kompania po punonte për të "frenuar situatën".