Kokaina e falsifikuar ka lënë të vdekur të paktën 12 persona dhe ka lënë 50 në spitale rreth rajonit të Buenos Aires të Argjentinës, kanë bërë të ditur autoritetet.
Hetuesit besojnë se droga ilegale ose ishte e lidhur me një lloj helmi ose ishte "prerë" me një substancë tjetër.
Ministri rajonal i sigurisë i bëri thirrje çdo përdoruesi që kishte blerë kokainë në 24 orët e fundit, ta hidhte atë.
Raportet sugjerojnë se droga është blerë në të njëjtin vend, dhe tashmë janë bërë nëntë arrestime.
Hetuesit janë në pritje të rezultateve të ekzaminimeve pas vdekjes për të krahasuar drogën e sekuestruar në bastisje me ato të konsumuara nga viktimat, transmeton Koha.net. Të prekurit vijnë nga rrethet Hurlingham, Tres de Febrero dhe San Martín të rajonit të kryeqytetit dhe u sollën në spitalet lokale.
Një raport i vitit 2019 mbi konsumin e drogës në Amerikë renditi Argjentinën si vendin me shkallën e tretë më të lartë të konsumit të kokainës për person pas SHBA-së dhe Uruguait.
Në San Martín, policia identifikoi katër nga viktimat si Hernán Castro, 45 vjeç, Martín López, 36, Dino Melgarejo, 33 dhe Fernando Yacante, mosha e të cilëve nuk u dha, raporton Buenos Aires Times.
Një përdorues thuhet se i tha policisë se kishin blerë kokainë nga një individ në lagjen Puerta 8 në Tres de Febrero dhe menjëherë nisën bastisjet.
Kokaina u gjet më pas në pako të ngjashme me ato të ofruara nga një i afërm i njërit prej atyre që kishte vdekur.
Ka spekulime në mediat lokale se kokaina ishte falsifikuar me një substancë toksike, ndoshta nga një bandë droge që kërkon të zvogëlojë kostot dhe të maksimizojë fitimet në mes të një lufte në terren me grupet rivale.