Botë

Nga sot në Austri është i detyrueshëm vaksinimi anti-COVID

Descriptive Text

Një ligj i ri hyn në fuqi të martën në Austri që e bën të detyrueshëm vaksinimin kundër COVID-19 për këdo mbi 18 vjeç.

Disa vende kanë futur mandate për të moshuarit ose personelin mjekësor, por ky është vendi i parë në Evropë që miraton masa të tilla gjithëpërfshirëse.

Qeveria e Austrisë thotë se vaksinimet janë efektive në luftimin e sëmundjeve të rënda dhe se ligji është i nevojshëm për të parandaluar bllokimet e ardhshme. Karoline Edtstadler, ministre për BE-në dhe Kushtetutën, ka thënë se Qeveria është "shumë e vetëdijshme se është me të vërtetë një hap i fortë dhe një masë vërtet e vështirë".

Por, sipas saj, kjo është e nevojshme.

“Ne si politikanë kemi përgjegjësinë të jemi të sigurt që sistemi shëndetësor është ende duke funksionuar, se shoqëria në tërësi mund të jetojë normalisht”, ka thënë ajo.

Megjithatë, ajo thotë se vaksinimi i detyrueshëm është një "ndërhyrje në të drejtat e njeriut".

“Por në këtë rast, kjo ndërhyrje mund të justifikohet. Ne kemi nevojë të dalim nga pandemia dhe e dimë se vaksinimi është mënyra e vetme për të dalë prej saj dhe për t'iu rikthyer një jete normale”, ka thënë Edtsatdler.

Mandati i vaksinës, parashihet të përfundojë në janar të vitit 2024 dhe mund të përfundojë më herët nëse e lejon pandemia. Ligji hyn në fuqi më 1 shkurt, por autoritetet nuk do të fillojnë të kontrollojnë statusin e vaksinimit të njerëzve deri në mes të marsit.

Ata që refuzojnë të vaksinohen do të përballen me gjoba që variojnë nga 600 euro deri në 3,600 euro. Përjashtimet zbatohen për ata që nuk mund të vaksinohen për arsye mjekësore ose që janë shtatzënë.

Rreth 72% e austriakëve janë plotësisht të vaksinuar.