Botë

Kolonët izraelitë tregojnë muskujt në “tokën e ndaluar”

Aftësia e kolonëve për t’u përshtatur në Homesh, të ruajtur nga ushtarë izraelitë, është një reprezentim i fuqisë së lëvizjes së kolonëve gati 55 vjet pasi Izraeli pushtoi Bregun Perëndimor në luftën e Lindjes së Mesme të vitit 1967. Fuqia e tyre është shfaqur gjithashtu në një valë sulmesh kundër palestinezëve dhe aktivistëve izraelitë të paqes në muajt e fundit

Vendbanimi hebraik Homesh, i ndërtuar në tokë private palestineze brenda Bregut Perëndimor, u shemb në vitin 2005 dhe nuk mund të rindërtohet.

Të paktën, kështu thotë ligji izraelit.

Por kur një grup kolonësh arritën me makinë javën e kaluar, ata kaluan përmes pikave të kontrollit të ushtrisë që ishin të mbyllura për automjetet palestineze dhe arritën në një grup tendash në majën e një kodre, ku dhjetëra kolonë po mësonin në një shkollë fetare.

Shishet e zbrazëta të verës dhe qeset me plehra ishin grumbulluar në një anë, mbetjet e një feste ku morën pjesë qindra kolonë një natë më parë, ku festa ishte dokumentuar edhe në mediat sociale.

Manifestimi i fuqisë

Aftësia e kolonëve për t’u përshtatur në Homesh, të ruajtur nga ushtarë izraelitë, është një reprezentim i fuqisë së lëvizjes së kolonëve gati 55 vjet pasi Izraeli pushtoi Bregun Perëndimor në luftën e Lindjes së Mesme të vitit 1967.

Fuqia e tyre është shfaqur gjithashtu në një valë sulmesh kundër palestinezëve dhe aktivistëve izraelitë të paqes në muajt e fundit. Madje edhe në sy të ushtarëve izraelitë, të cilët duket se nuk janë në gjendje ose nuk dëshirojnë t'i ndalojnë, pavarësisht premtimeve të zyrtarëve izraelitë për të ruajtur rendin dhe ligjin. Dhuna më e madhe ka qenë e lidhur me kolonët në Homesh.

Fakti që autoritetet izraelite nuk e kanë pastruar Homeshin, i cili sipas ligjit izraelit është i jashtëligjshëm e bën pothuajse të pamundur të imagjinohet heqja e ndonjë prej 130 vendbanimeve të autorizuara të Izraelit, si pjesë e ndonjë marrëveshjeje të ardhshme paqeje. Gati 500.000 të ardhur jetojnë tani në ato vendbanime, si dhe dhjetëra kampe ushtarake të paautorizuara.

Palestinezët i shohin vendbanimet si pengesën kryesore për marrëveshje mes dy shteteve që kanë konflikt shekullor dhe shumica e vendeve i shohin ato si shkelje të së drejtës ndërkombëtare. Por në një Izrael gjithnjë e më të ashpër, të ardhurit gëzojnë mbështetje të gjerë.

“Të privilegjuarit”

Image

"Ne jemi të privilegjuar që jetojmë këtu dhe studiojmë biblën hebraike dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë me ndihmën e Zotit", thekson rabini Menachem Ben Shachar, mësues në Yeshiva.

"Populli i Izraelit duhet të mbajë Homeshin, të studiojnë Torën këtu dhe në çdo vend tjetër në Tokën e Izraelit", thekson ai, duke përdorur një term biblik për atë që është sot Izraeli dhe Bregu Perëndimor.

Izraeli shembi vendbanimin në vitin 2005 si pjesë e tërheqjes së tij nga Rripi i Gazës dhe ligji i ndalon qytetarët izraelitë të hyjnë në zonë. Gjykata e Lartë e Izraelit ka pranuar se toka u përket palestinezëve të fshatit Burqa.

Por të ardhurit janë kthyer vazhdimisht, duke ngritur tenda dhe struktura të tjera në themelet e shtëpive të mëparshme, tashmë të mbushura me barëra.

Ushtria i ka shembur tendat në disa raste, por më shpesh e toleron praninë e tyre. Ngjarja e 16 janarit ishte e fundit në një seri të marshimeve, takimeve politike dhe tubimesh të tjera të mbajtura në vend gjatë viteve, disa ku morën pjesë edhe ligjvënës izraelitë.

Ushtria izraelite tha në një deklaratë se nuk e miratoi ngjarjen dhe ndërmori hapa për të parandaluar civilët të arrinin në zonë, duke përfshirë ngritjen e pikave të kontrollit. Ushtria nuk pranoi të diskutonte çështjet më të mëdha rreth Homeshit dhe një zëdhënëse e Qeverisë nuk pranoi të komentonte.

Vrasja e një studenti yeshiva nga një palestinez i armatosur pranë kampit ushtarak muajin e kaluar është kthyer në thirrje për kolonët, të cilët thonë se evakuimi i Homeshit tani do të zbuste terrorizmin. Por mbijetesa e kampit ushtarak pas 16 vjetësh është rrënjosur në një ndryshim më të thellë në Izrael që e bën pothuajse të pamundur frenimin e aktiviteteve të të ardhurve.

Në kurriz të palestinezëve

Image

Parlamenti i Izraelit dominohet nga parti që mbështesin të ardhurit. Qeveria aktuale, një koalicion i mbështetur nga i gjithë spektri politik, e di se çdo konfrontim me kolonët mund të shënojë shkatërrimin e tij. Kryeministri Naftali Bennett është një ish-udhëheqës kolonësh dhe është kundër shtetësisë palestineze.

Pasojat i ndiejnë palestinezët në Burqa, si dhe fshatrat përreth.

Gjatë fundjavës, kolonë të maskuar zbritën në një fshat tjetër në Bregun Perëndimor verior, sulmuan një grup palestinezësh dhe aktivistësh izraelitë të paqes me gurë dhe shkopinj dhe i vunë flakën një makine. Ministri i Sigurisë Publike i Izraelit, Omer Barlev, i quajti sulmuesit "terroristë", por tha se policia ka luftuar për t'i kapur ata sepse kanë ikur para se të mbërrijnë autoritetet.

Pronarët e tokës ku është ndërtuar Homeshi rrezikojnë të sulmohen nga kolonët nëse përpiqen të hyjnë në të. Yesh Din, një grup izraelit i të drejtave që përfaqëson banorët e Burqa në gjykatë, ka dokumentuar të paktën 20 sulme dhe shtatë incidente të dëmtimit të pronës që nga viti 2017.

Një palestinez 15-vjeçar tha se ishte rrëmbyer dhe torturuar nga të ardhurit në gusht. Gjashtë fermerë u shtruan në spital pasi u sulmuan me shkopinj metalikë dhe gurë në nëntor, sipas B'Tselem, një tjetër grup izraelit për të drejtat e njeriut.

Ben Shachar, mësues në Yeshiva, thotë se fermerët duhet të koordinojnë hyrjen e tyre me ushtrinë izraelite. Ai thekson se është i hapur për dialog me "çdo arab që pranon se Toka e Izraelit i përket popullit hebraik", por se terrorizmi është "pjesë e ADN-së së shoqërisë arabe".

“Si hajdut në shtëpinë time”

Yesh Din aktualisht po bën një peticion në Gjykatën e Lartë në emër të palestinezëve, duke shpresuar se do t'u bëjë presion autoriteteve për të hequr kampin ushtarak dhe për t'i lejuar palestinezët të hyjnë në tokën e tyre.

"Është një peticion qesharak, apo jo", tha Lior Amihai, drejtori i Yesh Dinit. "Ne kemi një peticion për t'u mundësuar palestinezëve të hyjnë në tokën e tyre, por sipas ligjit ata tashmë kanë qasje në këtë tokë".

Ghalib Hajah, i cili u lind dhe u rrit në Burqa dhe tani drejton një firmë ndërtimi brenda Izraelit, po i jep dorën e fundit asaj që ai kishte shpresuar se do të ishte një shtëpi e qetë fshati për të dhe gruan e tij. Ballkonet kanë pamje nga kodrat dhe fushat me ullinj.

Një ditë pasi studenti Yeshiva u vra, një grup kolonësh qëlluan me gurë shtëpinë e Hajahut, duke thyer disa nga dritaret e sapo instaluara si dhe pllakat nga Italia të grumbulluara jashtë. Të tjerë thyen gurët e varreve në varrezat e fshatit.

"U fsheha brenda, si hajdut në shtëpinë time", tregon ai. “Nuk është hera e parë që ata kanë ardhur këtu... Para se të largoheni nga shtëpia, duhet të shihni nëse ka kolonë jashtë. Ata bllokojnë rrugët, hedhin gurë në makina”.

Ai dhe banorë të tjerë thonë se kolonët kanë sulmuar fshatin në më shumë se disa raste gjatë viteve të fundit, me ushtrinë që duket e pafuqishme për t'i ndaluar ata.

Në vend të kësaj, ai e ka kthyer shtëpinë e tij të re në një fortesë, me kamera të montuara në çati dhe shufra në të gjitha dritaret dhe dyert.

"Nuk ka stabilitet këtu", thekson ai.

Përktheu: Kaltrina Selimi