Putini kërkon veprimet të tjera të NATO-s, si kufizimi i vendosjes së trupave në shtetet e ish-bllokut sovjetik. NATO-ja ka thënë se kërkesat janë të papranueshme dhe se anëtarësimi në aleancë është e drejtë e të gjitha shteteve. Kritikuesit e Putinit mendojnë se frika e tij e vërtetë nuk është NATO-ja, por shfaqja e një Ukraine demokratike dhe përparimtare, e cila do të pamundësonte qeverisjen autokratike të Putinit
Kriza në Ukrainë vështirë se po zgjidhet - përballen dy këndvështrime të cilat mund ta përmbysin Evropën. Kjo krizë i ngjan Luftës së Ftohtë dhe ringjall idenë e krijuar që nga viti 1945 në Konferencën e Jaltës, sipas së cilës Perëndimi duhet ta respektojë ndikimin rus në Evropën Qendrore dhe Lindore. Që nga ardhja në pushtet në vitin 2000, presidenti rus, Vladimir Putin, ka punuar rregullisht dhe sistematikisht që ta zhbëjë ndarjen nga Bashkimi Sovjetik 30 vjet më parë, gjë që të cilën ai e konsideron poshtëruese.
Derisa Putini grumbullon trupa ushtarakë pranë kufirit me Ukrainën, dhe bën manovra luftarake në Bjellorusi, pranë kufirit të anëtarëve të NATO-s, si Polonia dhe Lituania, ai kërkon që Ukraina të ndalojë përgjithmonë përdorimin e së drejtës së saj sovrane për t’u bashkuar me aleancën perëndimore. Putini gjithashtu kërkon veprimet të tjera të NATO-s, si kufizimi i vendosjes së trupave në shtetet e ish-bllokut sovjetik.
NATO-ja ka thënë që këto kërkesa janë të papranueshme dhe se anëtarësimi në aleancë është e drejtë e të gjitha shteteve dhe kjo gjë nuk paraqet kërcënim për Rusinë. Kritikuesit e Putinit mendojnë se frika e tij e vërtetë nuk është NATO-ja, por shfaqja e një Ukraine demokratike dhe përparimtare, e cila do të pamundësonte qeverisjen autokratike të Putinit. Fyerja që Putini ndien që një kohë të gjatë dhe refuzimi i tij për të pranuar Ukrainën dhe Bjellorusinë si shtete të pavarura dhe sovrane, është baza e kërkesave aktuale të Rusisë.
Në një traktat të verës së kaluar, të titulluar “Uniteti historik i rusëve dhe ukrainasve”, Putini zbuloi qëllimet e tij. Ai ka insistuar se ndarja e Rusisë, Ukrainës dhe Bjellorusisë në shtete të veçanta sot është e rreme për shkak të gabimeve politike të bëra gjatë periudhës sovjetike, dhe, si në rastin e Ukrainës, kjo ndarje është e shtyrë nga një plan keqdashës “anti-Rusi” të mbështetur nga Washingtoni që nga viti 2014. Këndvështrimi i tij, që fokusohet vetëm në Rusi, paraqet një provë vendimtare për presidentin e SHBA-së, Joe Biden, i cili tashmë po përballet me kriza të shumta në shtetin e tij si: pandeminë e koronavirusit, rishfaqjen e inflacionit, një komb të ndarë në të cilin një pjesë e madhe e elektoratit refuzon të pranojë presidencën e tij dhe një Kongres i cili ka penguar shumë nga synimet e tij sociale dhe klimatike.
Qëndrimi i Bidenit
Bideni ka përjashtuar mundësinë për ndërhyrje ushtarake për të mbështetur Ukrainën. Në vend të kësaj ka përdorur diplomaci të thellë duke mbledhur aleatët perëndimorë për ta mbështetur atë në sanksionet, të cilat Biden premton të jenë të rënda kundër Rusisë në qoftë se ajo guxon ta pushtojë Ukrainën. Por varësisht se si zhvillohet situata, ai pranon se mund të jetë e vështirë për t’i bindur të gjithë aleatët për këtë vendim. Udhëheqësi rus vetëm se kishte pushtuar Ukrainën një herë më parë, dhe nuk ishte ballafaquar me ndonjë kundërshtim të madh. Rusia mori Krimenë nga Ukraina në vitin 2014 dhe ka mbështetur separatistët prorusë ukrainas gjatë luftës se tyre kundër qeverisë së Kievit në rajonin Donbas. Në këtë luftë mbetën të vdekur 14 mijë njerëz, prej të cilëve më shumë së 3 mijë ishin civilë. Putini me strategjinë e tij është përpjekur të rikrijojë fuqinë dhe ndikimin të cilin Rusia e humbi me rënien e Murit të Berlinit, të paktën në zonën e ish-Bashkimit Sovjetik.
Polonia, Hungaria dhe Republika Çeke u lejuan të anëtarësoheshin në NATO në vitin 1999, duke iu bashkuar edhe Bullgaria, Estonia, Letonia, Lituania, Rumania dhe Sllovakia në vitin 2004. Përjetimi i dominimit sovjetik pas Luftës së Dytë Botërore i shtyri shtetet t’i bashkohen aleancës mbrojtëse të Perëndimit dhe sistemit perëndimor të tregut të lirë për të siguruar pavarësinë dhe prosperitetin pas rënies së Perdes së Hekurt. Për arsye të ngjashme, Ukraina dhe Gjeorgjia gjithashtu duan të bashkohen dhe janë njohur nga NATO-ja si anëtare ambicioze të aleancës. Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka kërkuar nga udhëheqësit e Perëndimit ta shqyrtojnë kërkesën e Ukrainës për anëtarësim më me nxitim, në mënyrë që t’i dërgojnë sinjal Moskës që Perëndimi do ta mbrojë pavarësinë e Ukrainës. Rusia pretendon se zgjerimi i NATO-s do shkelë premtimet e bëra ndaj Rusisë pas rënies së Murit të Berlinit. Sipas Rusisë, këto premtime ishin bërë në këmbim të miratimit të Moskës për ribashkimin e Gjermanisë. Mirëpo zyrtarët e SHBA-së mohojnë të jenë bërë premtime të tilla.

Këndvështrimi i anëtarëve të NATO-s
Në fillim të presidencës së tij, Putini nuk tregoi kundërshtim të fortë ndaj NATO-s. Në një intervistë të vitit 2000 për BBC-në, ai sugjeroi që Rusia madje mund të ishte e interesuar t’i bashkohet NATO-s. Vite më vonë ai tha se kishte diskutuar për këtë temë me presidentin e SHBA-së, Bill Clinton, para se Clintoni të largohej nga detyra e tij në vitin 2001. Sidoqoftë, tani Putini e shikon këtë aleancë si kërcënuese për sigurinë e Rusisë, por vendet e reja të NATO-s kanë një këndvështrim të kundërt. Ato e konsiderojnë Rusinë si rrezikun e vërtetë, e cila mburret për ushtrinë më të madhe ushtarake dhe për një numër të madh armësh nukleare. Për këtë arsye, këto shtete nxituan t’i bashkohen NATO-s duke u frikësuar se Rusia mund të përpiqet një ditë të rivendosë dominimin e saj.
Zgjedhjet të cilat shkaktuan konflikte në Bjellorusi çuan në demonstrata masive disamujore kundër udhëheqësit të vjetër bjellorus, Alexander Lukashenko. Pasi Lukashenko nuk u pranua nga populli i tij dhe nuk u njoh si president legjitim në Perëndim, shkoi drejt krahëve mbrojtës të Putinit. Në mënyrë të ngjashme, pas trazirave civile në Kazakistan disa javë më parë, Rusia ka dërguar trupa ta ndihmojë presidentin e ish-republikës sovjetike të rivendosë rregull dhe rend. Kjo ishte pjesë e një aleance që kishte për mision ruajtjen e paqes nga Organizata e Traktatit të Sigurisë Kolektive të udhëhequr nga Rusia. Që nga atëherë trupat ushtarake kanë lënë vendin.
Synimet e Putinit
Rivendosja e lidhjeve me ish-fqinjët sovjetikë të Rusisë derisa sfidon dhe përçan Perëndimin ka qenë njëri ndër qëllimet e Putinit. Në vend se ta drejtojë Rusinë në drejtim të demokracisë, ai duket se tani po e hedh poshtë idenë e demokracisë liberale dhe e sheh atë si mendjemadhësi të cilën Perëndimi e përdor për të ndjekur synimet e veta dhe për të poshtëruar armiqtë e tij. Putini erdhi në pushtet duke u zotuar se do t’ia rikthejë Rusisë madhështinë. Ai mori përsëri kontrollin ekonomik nga oligarkët, shtypi rebelët në Çeçeni, kufizoi gradualisht mediat e pavarura dhe rriti investimet në ushtri. Së fundmi ai ka ndaluar edhe organizatat e pakta që kishin mbetur për të drejtat e njeriut në Rusi.
Përtej kufijve të Rusisë, shërbimet e tij sekrete kanë mbikëqyrur vrasjet e kritikëve dhe kanë ndërhyrë në zgjedhjet e shteteve të jashtme, duke përfshirë këtu mbështetjen e dhënë në mënyrë të fshehtë në zgjedhjen e Donald Trumpit në vitin 2016. Ai ka mbështetur edhe fushatën pro-Brexit në Britani, gjithashtu edhe partitë e ndryshme evropiane të krahut të djathtë, të cilat kundërshtojnë integrimin evropian.
Në një intervistë në vitin 2019, Putini tha se “liberalizmi është i dalë mode”, duke nënkuptuar se ideja ideale e Perëndimit për një demokraci liberale nuk ka më vend në botë. Për Putinin ideja se ukrainasit janë të pavarur dhe mund të zgjedhin lirshëm aleancat e tyre është shtirje qesharake, e cila është aq e dukshme sa nuk mashtron askënd.
“Të gjitha mashtrimet që lidhen me projektin antirus janë të qarta për ne. Dhe ne kurrë nuk do të lejojmë që territoret tona historike dhe njerëzit afër nesh që jetojnë atje të përdoren kundër Rusisë. Dhe atyre që do të ndërmarrin një përpjekje të tillë, dua t'u them se në këtë mënyrë ata do të shkatërrojnë vendin e tyre”, shkroi ai në traktatin e tij verën e kaluar.
"Unë jam i bindur se sovraniteti i plotë i Ukrainës është i mundur vetëm në partneritet me Rusinë”.
Sfida për Bidenin, NATO-n dhe Bashkimin Evropian është nëse vendosmëria dhe solidariteti i tyre kolektiv mund të mbrojnë vizionin e Ukrainës për veten si pjesë e Perëndimit, dhe nëse ambiciet nacionaliste ruse të Putinit në rajon do të kenë sukses apo do të dështojnë.
Përktheu: Marigona Avdimetaj