Kompania "Nuctech" është përjashtuar nga SHBA-ja për shkak të shqetësimeve apo rrezikimit të sigurisë kombëtare që shkaktonte, megjithatë, ajo ka depërtuar thellë në gjithë Evropën, duke instaluar pajisjet e saj në 26 nga 27 shtetet anëtare të BE-së, sipas "Associated Press"
Në disa nga pikat më të ndjeshme të botës autoritetet shtetërore kanë instaluar pajisje kontrolli të sigurisë të prodhuara nga një kompani kineze, e cila ka lidhje të thella me ushtrinë e Kinës dhe Partinë Komuniste kineze.
Duke filluar nga Forumi Ekonomik Botëror në Davos, portet më të mëdha në Evropë, aeroportet nga Amsterdami në Athinë, kufijtë e NATO-s me Rusinë, të gjitha janë të mobilizuara me pajisjet e prodhuara nga “Nuctech”, kompani lidere në botë.
Depërtimi i madh
Kompania "Nuctech" është përjashtuar nga SHBA-ja për shkak të shqetësimeve apo rrezikimit të sigurisë kombëtare që shkaktonte, megjithatë, ajo ka depërtuar thellë në gjithë Evropën, duke instaluar pajisjet e saj në 26 nga 27 shtetet anëtare të BE-së, sipas "Associated Press".
Pronësia komplekse e "Nuctech" dhe shtrirja e saj globale kanë ngjallur shqetësim në të dyja anët e Atlantikut.
Një numër i madh i zyrtarëve perëndimorë të sigurisë dhe politikëbërjes kanë frikë se Kina mund t'i shfrytëzojë këto pajisje për të sabotuar pikat kryesore transite, ose për të pasur qasje në të dhënat e tyre qeveritare, industriale apo personale përmes këtyre pajisjeve.
Kritikët e "Nuctech" thonë se Qeveria kineze ka mbështetur kompaninë në mënyrë që të zvogëlojë konkurrencën me kompanitë e tjera dhe në të njëjtën kohë Pekini të bëhet me ndikim në Perëndim, ndërsa Kina, si shtet, të vendoset si një superfuqi globale për teknologji.
"Të dhënat që mbledhin këto pajisje janë shumë të ndjeshme. Janë të dhëna personale, të dhëna ushtarake, të dhëna ngarkesash. Pra, mund të jenë edhe sekrete tregtare. Sipas Bart Groothuis, dikur drejtor i sigurisë kibernetike në Ministrinë holandeze të Mbrojtjes, tashmë anëtar i Parlamentit Evropian, thotë se njerëzit dëshirojnë të jenë në duar të sigurta, ndërkaq tani ata varen nga një vend i huaj, i cili është një kundërshtar gjeopolitik dhe rival strategjik i yni".
Ai dhe të tjerët thonë se Evropa nuk ka mjete për të monitoruar dhe rezistuar një shkelje të tillë të mundshme të të drejtave. Ndërsa shtete të ndryshme anëtare të Bashkimit Evropian kanë pikëpamje të kundërta në lidhje me rreziqet e sigurisë së "Nuctech". Tutje askush nuk ka qenë në gjendje të bëjë një raport publik gjithëpërfshirës për të treguar se ku dhe sa pajisje "Nuchtech" janë instaluar në gjithë kontinentin.

Refuzimi kinez
Në anën tjetër, "Nuctech" hedh poshtë këto shqetësime/pretendime duke thënë se operacionet e "Nuctech" në Evropë janë në përputhje me ligjet lokale, duke përfshirë kontrollet e rrepta të sigurisë dhe rregullat e privatësisë së të dhënave.
"Janë pajisjet tona, por të dhënat janë tuajat. Klienti ynë është ai i cili vendos se çfarë ndodh me të dhënat e tij", ka theksuar Robert Bos, zëvendësmenaxher i përgjithshëm i "Nuctech" në Holandë, ku kompania ka një qendër kërkimi dhe zhvillimi. Ai tha se "Nuctech" po akuzohet pa bazë me ç'rast kompanisë iu është ulur veprimtaria në Evropë që nga viti 2019.
"Është mjaft e pakëndshme", ka theksuar Bos për AP-në. "Në 20 vjetët që kemi vënë në funksion këtë pajisje nuk kemi pasur kurrë probleme me dëmtimin apo shpërndarjen e të dhënave të dikujt”.
Ndërsa kontrolli i sigurisë bëhet gjithnjë e më i fokusuar ndaj të dhënave, "Nuctech" e ka gjetur veten në vijën e parë të betejës “SHBA-Kinë” për dominim në fushën e teknologjisë në gjithë Evropën.
Përveç sistemeve të skanimit për njerëzit, bagazhet dhe ngarkesat, kompania prodhon detektorë eksplozivash dhe pajisje të afta për njohjen e fytyrës, matjen e temperaturës dhe identifikimin e kartës së identitetit ose biletave.
Në faqen e saj të internetit kompania mëmë e "Nuctech" shpjegon se "Nuctech" bën më shumë sesa thjesht të ofrojë harduerin, duke përfshirë "ruajtjen e të dhënave dhe një internet me teknologji të sigurt dhe ofrimin e produkteve me siguri të lartë për klientë".
Presioni kinez
Megjithatë, kritikët kanë frikë se "Nuctech" nuk do t'u rezistojë thirrjeve nga Pekini për të dorëzuar të dhëna të ndjeshme lidhur me vendet evropiane pasi që ligjet kombëtare të inteligjencës në Kinë zakonisht kërkojnë nga kompanitë kineze të dorëzojnë të dhëna nga agjencitë shtetërore të sigurisë. Kështu, ekziston rreziku që Pekini të përdorë praninë e "Nuctech" në gjithë Evropën për të mbledhur të dhëna të rëndësishme rreth flukseve tregtare ndërkufitare, për të tërhequr informacione nga rrjetet lokale në lidhje me transportin detar ose informacione në lidhje me pasagjerët, madje edhe të dëmtojë flukset tregtare duke i çuar në një konflikt.
Gjatë një rishikimi të sigurisë së "Nuctech" nga qeveria kanadeze në korrik të vitit 2020, u zbulua se skanerët me rreze X mund të përdoren për të mbledhur dhe transmetuar informacione të fshehta gjatë procedurës së skanimit të pajisjeve elektronike.
Bashkimi Evropian vendosi masa në fund të vitit 2020, në mënyrë që të verifikojë investimet e huaja direkte kineze. Por politikëbërësit në Bruksel thonë se aktualisht nuk ka sisteme në BE për të analizuar pajisjet kineze, pavarësisht shqetësimeve rreth sigurisë kombëtare dhe të drejtave të njeriut.
"Kjo gjendje po bëhet gjithnjë e më e rrezikshme. Nuk do të më shqetësonte nëse një ose dy aeroporte do të kishin pajisje të tilla, por shumë rajone po e marrin atë meqë po shitet me një çmim nën normalen ", ka thënë Axel Voss, anëtar gjerman i Parlamentit Evropian që punon për mbrojtjen e të dhënave. "Dhe, ju mund të mendoni se është një investim strategjik i Qeverisë kineze", shtoi ndër të tjera.
Droja amerikane
Në anën tjetër, SHBA-ja, shtëpia e sistemit OSI, një nga rivalët më të mëdhenj tregtarë të "Nuctech", ka kundërshtuar ashpër "Nuctechin". Pastaj komisioni i Senatit të SHBA-së për Marrëdhëniet me Jashtë, Këshilli i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së, Administrata e Sigurisë së Transportit të SHBA-së, të gjithë kanë shprehur shqetësim ndaj "Nuctech".
Administrata e Sigurisë së Transportit të SHBA-së ka theksuar se "Nuctech" nuk mund të merrte informacione të ndjeshme sigurie. Produktet "Nuctech", theksoi AST-ja, "nuk janë të autorizuara për t'u përdorur për kontrollin e pasagjerëve, bagazheve, pronës ose ngarkesave ajrore në Shtetet e Bashkuara".
Në dhjetor të vitit 2020, SHBA-ja futi “Nuctech” në listën e Byrosë së Industrisë dhe Subjekteve të Sigurisë, duke kufizuar eksportet për të për arsye të sigurisë kombëtare.
"Nuk është thjesht komerciale," tha një zyrtar i Qeverisë amerikane, i cili nuk ishte i autorizuar të fliste në procesverbal. "Kompania ‘Nuctech’ po përdor subvencionet shtetërore, ofertat e ulëta për të hyrë në infrastrukturën kritike evropiane, për të pasur qasje në aeroporte, pastaj në kontrollin e pasagjerëve, kontrollin e porteve detare dhe ngarkesave”.
Përktheu: Leutrime Rekaliu