Botë

Gjendet i vdekur në Atlantik francezi Savin, po tentonte ta kalonte oqeanin me kanu

Francezi 75-vjeçar që po tentonte ta kalonte Oqeanin Atlantik, është gjetur i vdekur, ka raportuar ekipi i tij.

Jean-Jacques Savin kishte kaluar Atlantikun në një fuçi të madhe në vitin 2019 dhe me anë të lopatave.

“Për fat të keq, këtë herë oqeani ishte më i fortë se miku ynë, i cili e donte aq shumë lundrimin dhe detin”, ka njoftuar ekipi në Facebook.

Savin kishte ndezur dy fenerë për të treguar se është në telashe të enjten mbrëma.

Familja e tij nuk kishte dëgjuar asnjë lajm prej tij që nga atëherë.

“Kishim një shpresë të vogël”, ka thënë familja.

Por, të premten, kanuja e Savinit u gjet e përmbysur në Azore, një zinxhir ishullor në veri të Oqeanit Atlantik. U gjet nga autoritetet detare të Portugalisë.

Rrethanat e sakta të vdekjes së tij nuk janë bërë të ditura ende.

Savin festoi ditëlindjen e tij të 75-të në det javën e kaluar.

Ai u nis nga Sagres në jug të Portugalisë më 1 janar, me synimin për ta kaluar i vetëm Oqeanin me kanu.

Të mërkurën ai shkroi në Facebook se kishte erëra të forta që e bënë udhëtimin e tij më të gjatë për 900 kilometra.