Botë

Frika nga pushtimi

“Retorika e përgjithshme kërcënuese nga Kremlini dhe lëvizja që analistët ushtarakë po e shohin në terren na bën shumë të shqetësuar”, i tha Anton Troianovski, shef i zyrës së “The Times” në Moskë, koleges Claire Moses. “Është një situatë shumë serioze”

Rusia ka pozicionuar mbi 100.000 trupa pranë kufirit të saj me Ukrainën. Qeveria e Vladimir Putinit ka krijuar një listë me kërkesa të cilat fuqitë e Perëndimit ka shumë pak gjasa t’i përmbushin. Presidenti Biden tha se ka pasur pritshmëri se Putini do t’i dërgojë trupat në kufi. “Por, mendoj se ai do të paguajë një çmim serioz dhe të shtrenjtë për këtë”, shtoi ai.

Buletini informativ i gazetës amerikane, “New York Times”, përmban një përmbledhje rreth rreziqeve të luftës në Evropën Lindore.

“Retorika e përgjithshme kërcënuese nga Kremlini dhe lëvizja që analistët ushtarakë po e shohin në terren na bën shumë të shqetësuar”, i tha Anton Troianovski, shef i zyrës së “The Times” në Moskë, koleges Claire Moses. “Është një situatë shumë serioze”.

Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, dhe ministri i Jashtëm i Rusisë kanë mbajtur një takim në Gjenevë.

Pse Putini po kërcënon me luftë Ukrainën?

Përgjigjja e sinqertë është se pjesa më e madhe e diplomatëve dhe ekspertëve nuk janë plotësisht të sigurt. “Nuk është e qartë se cila është kërkesa kryesore e Rusisë”, u tha Blinken gazetarëve në Kiev, kryeqyteti i Ukrainës.

“Edhe këshilltarët kryesorë të Putinit mund të mos e dinë se çfarë po mundohet ai të arrijë dhe sa seriozisht po e konsideron ndërhyrjen ushtarake“, ka shkruar Antoni. "Mendimi im si ekspert që mund ta deklaroj me autoritet është: Kush dreqin e di?" - tha Fyodor Lukyanov, analist rus i politikës së jashtme që këshillon Kremlinin.

Kjo turbullirë i lejon Putinit të shpallë kundërvënien e tij një sukses në skenarë të shumtë.

Pse është SHBA-ja kaq e alarmuar?

Një pushtim i suksesshëm do ta bënte Rusinë fuqi dominuese ekspansioniste në Evropën Lindore. Do t'i bënte demokracitë e tjera (si Tajvani) të shqetësoheshin se mund të jenë më lehtë të pushtueshme nga vendet fqinje autoritare (si Kina).

Si arsyetohet Putini?

Ndoshta deklarata më e njohur e Putinit, si figurë dominante politike e Rusisë që më shumë se 20 vjet, është ajo e bërë në një fjalim vjetor për gjendjen e kombit në vitin 2005 në Kremlin. Rënia e Bashkimit Sovjetik ishte "katastrofa më e madhe gjeopolitike" e shekullit XX, tha ai.

Ukraina ishte ndoshta humbja më e dhimbshme për Moskën. Ukraina ishte ish-republika sovjetike më e populluar që themeloi shtetin e saj, përveç Rusisë. Këto dy shtete tani ndajnë një kufi prej 1200 miljesh dhe Putini shpesh përmend lidhjet e tyre të thella kulturore.

Por viteve të fundit, Ukraina ka shkuar drejt Perëndimit. SHBA-ja dhe aleatët e saj kanë shtuar ndihmën ushtarake ndaj Ukrainës dhe gjithashtu kanë thënë - edhe pse në mënyrë të paqartë - se Ukraina një ditë do t’i bashkohet NATO-s.

Putini ka mbrojtur vendosjen e trupave në kufi duke thënë se kjo është thjesht një stërvitje ushtarake. Rusia gjithashtu ka bërë të njohur listën e saj të kërkesave ku përfshihen një zotim i NATO-s për të mos e pranuar kurrë Ukrainën dhe tërheqja e trupave të NATO-s në Evropën Lindore (atje ku ishin në fund të viteve 1990).

Biden duke iu përgjigjur një pyetjeje nga David Sanger nga “The Times” në një konferencë shtypi, tha se Ukraina nuk ka gjasa t’i bashkohet NATO-s “në një afat të afërt”. Por Biden e përjashtoi idenë e largimit të trupave të NATO-s nga Evropa Lindore.

Image
Një pushtim i suksesshëm do ta bënte Rusinë fuqi dominuese ekspansioniste në Europën Lindore. Do t'i bënte demokracitë e tjera (si Tajvani) të shqetësoheshin se mund të jenë më lehtë të pushtueshme nga vendet fqinje autoritare (si Kina)

Çka nuk është duke treguar Putini?

Disa vëzhgues besojnë se ngritja e trupave është një përzierje e blofit dhe shpërqendrimit.

Një grup ekspertësh rusë – duke përfshirë Frederick Kaganin, i cili ka këshilluar udhëheqësit ushtarakë amerikanë në të kaluarën – e thanë këtë argument në një raport të fundit të quajtur “Drejtimi i Gabuar Strategjik”. Një pushtim i plotë i Ukrainës mund të jetë i përgjakshëm dhe i kushtueshëm, shkruajnë ata, potencialisht duke dëmtuar ekonominë e Rusisë dhe pozitën politike të Putinit.

Siç shpjegoi Kori Schake në “The Atlantic”: “Gjysmë milioni ukrainas kanë përvojë ushtarake; 24 për qind e të anketuarve në një sondazh të fundit thanë se do t'i rezistonin pushtimit rus ‘me armë në dorë’. Rusia mund të ketë sukses në marrjen e Ukrainës, por nuk ka gjasa ta mbajë atë".

Një arsye tjetër për të qenë skeptik ndaj pushtimit është se deri më tani, Putini nuk duket se po përgatit rusët për të shkuar në luftë. Zëvendësministri i Jashtëm i Rusisë vazhdoi këtë ide, duke thënë: "Ne nuk do të sulmojmë, godasim, pushtojmë, apo çfarëdo qoftë Ukrainën".

Putini mund të përpiqet të ripërcaktojë atë që Perëndimi e konsideron sjellje të papranueshme, argumentuan Kagan dhe bashkautorët e tij. Duke bërë që një pushtim të duket i mundshëm, Putini mund të përpiqet të fitojë koncesione të tjera, si për shembull lirinë të bëjë çfarë të dojë në Evropën Lindore.

"Në versionin më të keq të këtij skenari, Perëndimi do të përgëzojë veten për shmangien e një pushtimi rus të cilin Putini kurrë nuk kishte në plan ta fillonte, ndërsa Putini feston në heshtje një fitore të rëndësishme joushtarake për të cilën Perëndimi as nuk është në dijeni", shkruan Kagan dhe kolegët e tij.

(Thomas Friedman, gazetar i “Times Opinion”, argumenton se kërcënimi për luftë gjithashtu ndihmon në shpërqendrimin e rusëve nga problemet e tyre ekonomike).

Pra, rreziku për luftë është i vogël?

Jo domosdoshmërisht. Edhe skeptikët si Kagan e pranojnë se lufta është e mundur, duke pasur parasysh mungesën e transparencës për të menduarit e Putinit.

Disa analistë, si Melinda Haring e Këshillit Atlantik, besojnë se lufta është rezultati më i mundshëm. Putini ka humbur durimin me Ukrainën, ka shkruar ajo, dhe beson se SHBA-ja nuk do të hyjë në luftë për të.

(Biden tha se një "inkursion i vogël" nuk do ta tërhiqte patjetër SHBA-në në luftë). Putini gjithashtu vdes për një trashëgimi historike të cilën mund ta sigurojë zgjerimi i territorit, duke ndihmuar në zhbërjen e katastrofës që shkaktoi rënia sovjetike.

"Është shumë e vështirë për të matur probabilitetin", tha dje nga Kievi Michael Crowley, reporter i “Times”, i cili po merret me raportimin e udhëtimit të Blinkenit në Evropë. “Kjo do të kërkojë diplomaci shumë kreative për t'u zgjidhur, nëse mund të zgjidhet.”

Përktheu: Marigona Avdimetaj