Botë

Autokratët ia panë hairin pandemisë

Descriptive Text

Njëri prej aktivistëve më të njohur të të drejtave të njeriut ka thënë se autokratët populistë të botës mund të përballen me një pikë kthese pasi njerëzit ta marrin vesh se fjalët nxitëse jo gjithmonë përkthehen në veprime.

Por Kenneth Roth, drejtori ekzekutiv i Human Rights Watch, theksoi se politikanët demokratë do të duhet të përparojnë me "udhëheqje vizionare" për t’ua pamundësuar autokratëve shansin e dytë të qeverisjes me grusht të hekurt.

“Urtësia konvencionale”, e dalë mode

Roth kundërshton atë që ai e sheh si "urtësi konvencionale", duke thënë se kështu autokratët janë në epërsi.

Ai komentoi, ndërsa grupi i avokimit me bazë në Nju Jork publikoi të enjten raportin e tij vjetor që kronizon situatat e të drejtave të njeriut në rreth 100 vende ku monitoron - nga Afganistani deri në Zimbabve.

Në një videointervistë, Roth theksoi tri vendet që kryesojnë listën e gjatë të shqetësimeve, e për këtë vit janë rajoni Tigray i Etiopisë, Birmania dhe Sudani.

Ai gjithashtu vuri në dukje se si liderët në vende si Rusia, Bjellorusia dhe Nikaragua vitin e kaluar kurdisën ose manipuluan zgjedhjet që nuk kishin kredibilitet

Roth tha se junta birmane po përpiqet të mbajë pushtetin me forcë, por dezertimet nga ushtria janë shfaqur edhe pse represioni ua ka marrë jetën rreth 1.400 demonstruesve.

Ekspertët e OKB-së kanë paralajmëruar se vendi mund të rrëshqasë në luftë civile.

"Kjo mund të bëhet shumë e shëmtuar, sepse junta ka humbur plotësisht respektin e njerëzve", tha Roth.

Ndërsa luftimet janë zvogëluar në Etiopi, ai vuri në dukje se qindra mijëra njerëz në Tigray mbeten në "prag të urisë" dhe kryeministri Abiy Ahmed nuk ka treguar asnjë shenjë për lehtësimin e bllokadës në rajonin ku ka nxitur një luftë më shumë se njëvjeçare, duke shkaktuar krizë shkatërruese humanitare.

Dështimi i liderëve demokratë

Roth paralajmëroi se liderët demokratë po dështojnë të adresonin çështje, si ndryshimi i klimës, pandemia COVID-19, varfëria, padrejtësia racore dhe sfidat e paraqitura nga teknologjia, të cilat bashkërisht ndikojnë në jetën e njerëzve.

Roth ofroi kritika për qeveritë perëndimore, disa prej të cilave promovojnë marrëveshjet e investimeve dhe kryejnë shitje armësh për vendet që shihet se shkelin të drejtat e njeriut.

"Ka nevojë për një udhëheqje vizionare që të ketë përmasat e nevojshme për të adresuar problemet e sotme”, tha Roth. "Ka nevojë për t'u ngritur në këmbë dhe ne e pranojmë se udhëheqësit e sotëm demokratë nuk po e bëjnë këtë”.

Ai anashkaloi pyetjen se cilët mund të jenë ata liderë vizionarë botërorë, por paralajmëroi se nëse liderët demokratikë "vazhdojnë të dështojnë, kjo do të nxisë një lloj dëshpërimi dhe zhgënjimi që do t'u japë autokratëve një shans të dytë".

"Zhvillimi i madh dhe i ri ka të bëjë me këtë garë globale midis autokracisë dhe demokracisë. Dhe mençuria konvencionale thotë se autokratët janë në rritje dhe demokratët janë në rënie. Dhe atë që kemi parë teksa pamë vitin e kaluar, është se kjo analizë është shumë sipërfaqësore. Sepse, në fakt, nëse e vendosni veten në vendin e një autokrati, sfidat janë të jashtëzakonshme. E dini, jeta nuk është me lule”, paralajmëroi Roth.