Nuk është e qartë nëse familjet do të marrin para nga qeveria amerikane. Negociatat për zgjidhjen e kërkesave për dëme përfunduan mes zemërimit politik mbi pagesat që shpërthyen pas një raporti në “Wall Street Journal” se Departamenti i Drejtësisë po konsideronte 450,000 dollarë për një person për të kompensuar vuajtjet - ose 900,000 dollarë për një prind dhe fëmijë
Për gruan 30-vjeçare nga Hondurasi, më e keqja dukej se kishte mbaruar. Ajo u ribashkua me të birin 6-vjeçar, me të cilin ishte ndarë nën administratën Trump. Ajo po punon në ndërtim në Karolinën e Veriut. Dhe avokatët po negocionin një pagesë për familjen në vlerë që do të shpaguante kohën e ndarjes.
Por raportet për ato negociata kanë krijuar një shqetësim të ri: përpjekjet për zhvatje që rrjedhin nga besimi i gabuar se ajo mori një pagesë të madhe. Familja e saj tashmë ka marrë kërkesa për 5,000 dollarë në muaj.
"Me sa duket, unë jam një milionere tani", tha gruaja, e cila, si të tjerët të intervistuar nga Associated Press, foli në kushte anonimiteti për shkak të frikës për sigurinë e familjes së saj. “Unë nuk kam para për të paguar për diçka të tillë dhe nuk di çfarë të bëj. Jam e dëshpëruar, më të vërtetë”.
Zhvatja e përhapur
Ndërsa raportet specifike janë të izoluara, zhvatja e përhapur në Amerikën Qendrore shpjegon pse shumë kërkojnë azil në Shtetet e Bashkuara si destinacion të parë. Disa avokatë kanë frikë se perspektivat e pagesave të mëdha do të nxisnin shumë më tepër kërcënime. Një avokat i gruas dhe familjeve të tjera u ka kërkuar zyrtarëve amerikanë që të marrin në konsideratë pranimin e më shumë të afërmve për shkak të kërcënimeve.
Nuk është e qartë nëse familjet do të marrin para nga qeveria amerikane. Negociatat për zgjidhjen e kërkesave për dëme përfunduan mes zemërimit politik mbi pagesat që shpërthyen pas një raporti në “Wall Street Journal” se Departamenti i Drejtësisë po konsideronte 450,000 dollarë për një person për të kompensuar vuajtjet - ose 900,000 dollarë për një prind dhe fëmijë. Një person i informuar me bisedimet, i cili foli me AP-në në kushte anonimiteti, sepse diskutimet ishin private, konfirmoi se shifra kishte qarkulluar.
"Njerëzit këtu mendojnë se unë kam shumë para”, tha një pronar biznesi 47-vjeçar në Guatemalën Veriore, gruaja e të cilit u nda nga djali i tyre. Ai është bërë më nervoz për shkak të raportimeve të lajmeve për bisedimet e zgjidhjes dhe tani ndryshon numrin e celularit çdo dy javë.
Mesazhet kërcënuese
Burri jeton në Guatemalë me vajzën e tij 14-vjeçare, ndërsa gruaja e tij dhe djali tani 18-vjeçar jetojnë në Atlanta pasi u ndanë në kufi për më shumë se një muaj në 2018-n. Burri tha se po merrte mesazhe me tekst në atë moment duke e kërcënuar se do t'i rrëmbente djalin nëse nuk paguante para.
“Fqinji im më tha një ditë tjetër: ‘Pra, ti ke para, sepse paratë u janë dhënë njerëzve që ishin ndarë në Shtetet e Bashkuara’. Dhe unë i thashë se nuk dija asgjë për këtë”, tha ai.
Burri tha se ai dhe vajza e tij u përpoqën të shkonin në SHBA në vitin 2019. Ata u rrëmbyen në Meksikë për dy javë, u liruan tek autoritetet meksikane pasi paguan më shumë se 3.000 dollarë dhe u deportuan në Guatemalë.
"Unë nuk jetoj në paqe", tha ai. "Unë gjithmonë shikoj prapa supeve”.
Ricardo de Anda, avokat i gruas hondurase dhe burrit nga Guatemala, tha se pesë nga 72 familjet që ai përfaqëson i kanë thënë se ishin kërcënuar pas mbulimit të lajmeve për pagesat e mundshme. Njëri në Guatemalë u vu në shënjestër në një tentativë rrëmbimi.
“Këto familje na kanë thënë se tani janë subjekt i thashethemeve në komunitetet e tyre për pasurinë e dukshme të anëtarëve të familjes në SHBA, se ata i janë nënshtruar survejimit nga elementë të dukshëm kriminalë dhe se janë paralajmëruar të jenë vigjilentë. pasi bandat kriminale po i konsiderojnë ato subjekte të zhvatjes”, i shkroi Michelle Branet, drejtoreshë ekzekutive e Task-forcës së Ribashkimit Familjar të Departamentit të Sigurisë Kombëtare. “Si rezultat i rrjedhjeve (lajmeve), anëtarët e familjes në SHBA dhe ata të bllokuar në vendin e tyre, tani jetojnë në frikë të vazhdueshme”.
112 fëmijë ribashkohen me prindërit
Disa familje emigrantësh nga Brazili kalojnë nëpërmjet një boshllëku në murin kufitar për të arritur në Shtetet e Bashkuara nëpërmjet Meksikës, për të kërkuar azil në tokën amerikane
Task-forca, e cila synon të ribashkojë rreth 2,000 fëmijë me prindërit e tyre në Shtetet e Bashkuara, kishte planifikuar mundësinë e zhvatjes, duke kuptuar se kërcënime të tilla janë të zakonshme në Amerikën Qendrore, dhe ngriti një sistem për të kanalizuar raportet përmes refugjatëve të OKB-së, tha Brane në një intervistë muajin e kaluar.
Brane tha se ajo nuk kishte marrë ende ndonjë raport specifik, por rreziku i mundshëm nënvizon nevojën që grupi i punës të përfundojë punën e saj.
"Nëse familjet janë në situata të pasigurta dhe kanë nevojë për ribashkim, ne jemi këtu për të punuar dhe për ta bërë këtë sa më shpejt të jetë e mundur", tha ajo.
Task-forca ka ribashkuar rreth 112 fëmijë me prindërit e tyre në SHBA që nga java e kaluar. Atyre u jepet leja për të qëndruar në vend për të paktën tre vjet, ndërkohë që ata kërkojnë azil ose kërkojnë status të përhershëm përmes një programi tjetër.
Avokatët e tjerë të familjeve thanë se nuk kishin njohuri të drejtpërdrejta për kërcënimet që lidhen me pagesat e mundshme, por thanë se ato ishin të pashmangshme, nëse ato nuk kanë ndodhur tashmë. Avokatët dyshojnë se disa përpjekje nuk janë raportuar ose nuk u ka ardhur fjala.
"Nuk kam asnjë dyshim se po ndodh në më shumë raste nga sa dimë", tha Trina Realmuto, drejtoreshë ekzekutive e Aleancës Kombëtare të Çështjeve të Imigracionit, e cila ishte e përfshirë në bisedimet për zgjidhjen e kompensimit financiar.
Bisedime delikate
Bisedimet janë delikate për administratën, e cila është kritikuar për marrjen në konsideratë të pagesave të mëdha. Vetë presidenti Joe Biden tha se "kjo nuk do të ndodhë", kur u pyet në nëntor për shifrën 450,000 dollarë, dhe më vonë sqaroi se ai mbështeti disa kompensime.
Muajin e kaluar, Departamenti i Drejtësisë u tërhoq nga bisedimet për kompensimin financiar pas tetë muajsh, por nuk përjashtoi një marrëveshje.
“Ndërsa palët nuk kanë qenë në gjendje të arrijnë një marrëveshje globale zgjidhjeje në këtë kohë, ne mbetemi të përkushtuar për t'u angazhuar me paditësit dhe për të sjellë drejtësi për viktimat e kësaj politike të neveritshme”, tha Departamenti në një deklaratë.
Këtë muaj, avokatët e familjeve rinovuan një kërkesë për administratën që të dorëzojë të dhënat se si u konceptua dhe u ekzekutua politika, duke sinjalizuar një betejë të gjatë gjyqësore.
Bisedimet kanë vazhduar për çështje jomonetare, duke përfshirë ribashkimin e familjeve në Shtetet e Bashkuara dhe shërbime të tjera, si shëndeti mendor, thanë avokatët.
Kërkesa e De Andas
Fëmijë emigrantë, të pashoqëruar, prej 3 deri në 9 vjeç, shikojnë televizor në një qendër të mbajtjes nën kontrollin e agjencive amerikane të kufirit
De Anda i kërkoi administratës që të konsideronte pranimin e anëtarëve të familjes që ishin kërcënuar që nga raportimet e lajmeve. Administrata është fokusuar te prindërit dhe fëmijët që janë ndarë, por thotë se do të shqyrtojë rast pas rasti familje të tjera.
Gruaja nga Hondurasi tha se nëna e saj 56-vjeçare ka kërkuar 5,000 dollarë në muaj. Nëna kujdeset për fëmijët e tjerë të gruas, një djalë 11-vjeçar dhe një vajzë 7-vjeçare. Gruaja dëshiron që të gjithë t'i bashkohen asaj në Karolinën e Veriut.
Të njohurit kanë paralajmëruar se fëmijët mund të jenë të pasigurt në Honduras.
“Kam frikë”, tha gruaja, e cila merr pilula për ankthin dhe shkoi në urgjencë me dhimbje gjoksi pas kërcënimeve ndaj nënës së saj. "Unë nuk e di se çfarë mund të ndodhë me fëmijët e mi”.