Të paktën 21 persona kanë vdekur pasi bora e madhe i ka bllokuar në automjetet e tyre në veri të Pakistanit.
Ushtria po përpiqet t’i pastrojë rrugët dhe të shpëtojë njerëzit ende të bllokuar pranë qytetit të Murree, në majë të kodrës.
Rreth 1,000 automjete u bllokuan në një autostradë gjatë një stuhie, sipas ministrit të Brendshëm Sheikh Rashid.
Murree është një qytet turistik malor në veri të kryeqytetit Islamabad. Mediat lokale raportuan të premten se turistët po bllokoheshin për shkak të borës.
Më shumë se 100,000 makina kishin hyrë në Murree ditët e fundit për të parë reshjet jashtëzakonisht të mëdha të borës. Kjo shkaktoi një bllokim të madh trafiku në rrugët që të çojnë brenda dhe jashtë qytetit, bëri të ditur policia.
Zona tani është shpallur zonë fatkeqësie dhe njerëzve u është kërkuar që të qëndrojnë larg.
"Për herë të parë në 15 deri në 20 vjet një numër kaq i madh turistësh u dyndën në Murree, gjë që krijoi një krizë të madhe”, ka thënë Rashid në një video-mesazh.
Kryeministri Imran Khan shprehu tronditjen për "vdekjet tragjike" të turistëve.
"Kam urdhëruar hetimin dhe vendosjen e rregulloreve të forta për të siguruar parandalimin e tragjedive të tilla”, ka thënë Khan në një postim në Twitter.