Versioni mutant, i përhapshëm shumë shpejt i virusit, ka lënë në hije Krishtlindjen e Vitin e Ri, duke i detyruar komunitetet të zvogëlohen ose të anulojnë festimet e tyre vetëm disa javë pasi dukej që amerikanët po i ktheheshin normalitetit në sezonin e pushimeve. Mijëra fluturime janë anuluar mes mungesës së personelit, shkaku i virusit
Më shumë se një vit pasi është zbuluar vaksina, rastet e reja të COVID-19 në SHBA janë rritur në nivelin më të lartë rekord me mbi 265.000 në ditë mesatarisht, një rritje e nxitur kryesisht nga varianti shumë infektues, Omicron.
Sipas të dhënave të mbajtura nga Universiteti Johns Hopkins, rastet e reja në ditë janë më shumë se dyfishuar gjatë dy javëve të fundit, duke eklipsuar shifrën e vjetër 250.000 e vendosur në mes të janarit.
Versioni mutant, i përhapshëm shumë shpejt i virusit, ka lënë në hije Krishtlindjen e Vitin e Ri, duke i detyruar komunitetet të zvogëlohen ose të anulojnë festimet e tyre vetëm disa javë, pasi dukej që amerikanët po i ktheheshin normalitetit në sezonin e pushimeve. Mijëra fluturime janë anuluar mes mungesës së personelit shkaku i virusit.
“...çuditërisht e vështirë”
Dr. Anthony Fauci, ekspert i lartë amerikan i sëmundjeve infektive, të mërkurën ka thënë se nuk është e nevojshme të anulohen grumbullimet e vogla mes njerëzve të vaksinuar të familjes dhe shoqërisë.
Mirëpo, “nëse ju po planifikoni të shkoni në një festë të Vitit të Ri me 40 – 50 njerëz ku të gjithë puthen e përqafohen e i urojnë njëri-tjetrit një vit të mbarë, do të rekomandoja fuqimisht që këtë vit mos ta bëjmë këtë”, ka bërë thirrje ai.
Kërcënimi i Omicronit dhe dëshira për t’i kaluar festat me miqtë dhe më njerëzit e dashur ka bërë që shumë amerikanë të testohen për COVID-19.
Aravindh Shankar, 24-vjeçar, udhëtoi për në San Jose të Kalifornisë për Krishtlindje nga West Lafayette, Indiana, për t’u bashkuar me familjen. Megjithëse ai ndihej mirë, vendosi të testohej të mërkurën vetëm për të qenë i sigurt, pasi ka qëndruar në aeroplan.
Ai dhe familja e tij kishin kaluar pothuajse një ditë të tërë duke kërkuar termin testimi për të para se të shkonte në një parking pranë aeroportit San Jose.
“Në fakt ishte çuditërisht e vështirë”, ka treguar Shankar për përpjekjen e gjetjes së testit. “Disa njerëz me siguri do ta kenë edhe më të vështirë”.
Zymtë gjithandej

Pamja është e zymtë, kudo në mbarë botën, sidomos në Evropë, me shefin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, i cili ka bërë të ditur se është i shqetësuar për kombinimin Omicron me variantin Delta që së bashku prodhojnë një “cunam” të rasteve. Kjo, ka thënë ai, “do të ushtrojë presion të jashtëzakonshëm mbi punonjësit e rraskapitur shëndetësor dhe sistemit shëndetësor në buzë shkatërrimit”.
Numri i amerikanëve të infektuar me COVID-19 nëpër spitale tani është rreth 60.000, ose rreth gjysma e shifrës së parë në janar, ka raportuar Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.
Teksa hospitalizimet nganjëherë mbesin pas rasteve, shifrat e spitalit mund të pasqyrojnë si mbrojtjen nga vaksina ashtu edhe mundësinë që Omicron nuk po i bën njerëzit aq të sëmurë sikurse variantet e mëparshme.
Vdekjet nga COVID në SHBA kanë pësuar një rritje brenda dy javëve të fundit nga mesatarja 1.200 në ditë në rreth 1.500.
Ekspertët e shëndetit publik do t’i vëzhgojnë nga afër numrat në javët që po vijnë për indikacionet e efektivitetit të vaksinave në parandalimin e sëmundjeve të rënda, mbajtjen e njerëzve jashtë spitalit dhe lehtësimin e stresit mbi punonjësit e rraskapitur të sistemit shëndetësor, ka thënë Bob Bednarczyk, profesor i shëndetit global dhe epidemiologjisë në Universitetin Emory.
Të dhënat e CDC-së tashmë kanë njoftuar se të pavaksinuarit janë hospitalizuar në shkallë shumë më të larta sesa ata që janë inokuluar, ani pse efektiviteti i dozës bie me kohën, ka shpjeguar ai.
“Nëse jemi në gjendje ta përballojmë këtë rritje me ndërprerje minimale në sistemin e përgjithshëm të kujdesit shëndetësor, do të kuptohet se vaksinat po e shfaqin me të vërtetë vlerën e tyre”, ka theksuar Bednarczyk.
Shpresë në Afrikën Jugore
Është thuajse e pamundur që numri i hospitalizimeve të rritet ndonjëherë në kulmin e mëparshëm, ka thënë Amesh Adalja, studiues i lartë në Qendrën Johns Hopkins për Sigurinë Shëndetësore në Shkollën publike të shëndetit Bloomberg. Vaksinat dhe trajtimet e përpunuara nga viti i kaluar e kanë bërë më të lehtë frenimin e përhapjes së virusit dhe kanë minimizuar efektet serioze te njerëzit me infeksione të reja.
“Do të duhet pak kohë për njerëzit të për t’u përshtatur me faktin që rastet nuk do të jenë të së njëjtës rëndësi si në të kaluarën”, ka treguar Adalja. “Kemi shumë mbrojtje kundër tij”.
Mirëpo, edhe me më pak njerëz të shtruar në spital krahasuar me rritjet e së kaluarës, virusi mund të shkaktojë kërdi në spitale dhe tek punonjësit shëndetësorë, ka shtuar ai.
“Në njëfarë mënyre, këto hospitalizime janë më të këqija ngaqë të gjitha janë të parandalueshme”, ka treguar Adalja.
Disa vende evropiane, përfshirë Francën, Greqinë, Britaninë dhe Spanjën, po ashtu kanë regjistruar rekorde të rasteve këtë javë, gjë që shkaktoi ndalimin e muzikës për festimet e Vitit të Ri në Greqi dhe një shtytje të ripërtërirë për inkurajimin e vaksinimit nga autoritetet franceze.
OBSH-ja ka raportuar se rastet e reja të COVID-19 në mbarë botën u rritën për 11% në javën e kaluar në krahasim para dy jave, më afro 4.99 milionë të regjistruar prej 20-26 dhjetor.
Mirëpo, agjencia shëndetësore e OKB-së gjithashtu vuri në dukje një rënie të rasteve në Afrikën Jugore, ku Omicroni u identifikua për herë të parë para një muaji.
Përktheu: Blerta Haxhiu