Botë

Mbledhësit e “minierës së arit”

Me rritjen e sasisë së kokainës që trafikohet në Holandë përmes qytetit liman, Roterdamit, rritet edhe numri i të rinjve të angazhuar nga bandat kriminale për ta nxjerrë drogën nga mallrat që mbërrijnë nga Amerika Latine. BBC-ja ka hulumtuar punën e rrezikshme të të ashtuquajturve

Në një ekran të ndezur kamerash, një duzinë figurash si hije vrapojnë me saktësi ushtarake në vijë drejt një kontejneri transporti në portin e Roterdamit.

Ngarkesa me fruta tropikale nga Kolumbia mund të jetë shkarkuar tashmë, por kjo kuti metalike - 12 metra e gjatë dhe identike me mijëra të tjera këtu - ka ende ngarkesë në bord. Tetëdhjetë kilogramë kokainë janë fshehur brenda njësisë së ftohjes - drogë me një vlerë lokale në rrugë prej rreth 4 milionë eurosh, shkruan BBC-ja në hulumtimin e saj të gjatë.

Detyra e koleksionistëve është ta nxjerrin drogën nga kontejneri, nga ku do të transportohet në Amsterdam, Berlin dhe Londër.

Image

“Është bukur”

"Porti është një minierë ari! Është bukur", thotë një burrë, fytyra e të cilit nuk shihet nga maska dhe kapuçi, teksa flet me gazetarin Danny Ghosen në rrjetin televiziv holandez, VPRO.

"Unë mund të fitoj para bukur dhe afër shtëpisë ... dhe gjithmonë ka punë”.

Këta janë të rinj të punësuar nga rrjete të fuqishme kriminale, zbulon hulumtimi i transmetuesit britanik.

"Çdo punë është e ndryshme”, shpjegon burri. "Një shef do të thotë: 'Do të fitoni X shume për ta ndarë mes jush'. Një tjetër do të thotë: 'Do të merrni disa nga drogat për t'i shitur për veten tuaj'”.

Mbledhësit fitojnë rreth 2.000 euro për çdo kilogram kokainë që transportojnë. Dhe ky është biznes në lulëzim.

"I vumë re për herë të parë rreth dy vjet më parë”, thotë Andre Kramer, i cili zotëron një kompani të përpunimit të kontejnerëve në port.

“Ka qenë një ose mbase dy dhe ka ndodhur një ose dy herë në vit, por në gjashtë muajt e fundit grupet e grumbulluesve janë bërë më të mëdha, 10 ose 12 veta mblidhen së bashku, dhe ndodh tre ose katër herë në javë”, ka treguar ai për BBC-në.

“Ndërsa vëllimi i kokainës së importuar në Holandë rritet në mënyrë eksponenciale, metodat e përdorura nga mbledhësit po bëhen gjithashtu më të sofistikuara.

Ndonjëherë ata nuk e nxjerrin fizikisht kokainën nga porti. Në vend të kësaj, detyra e tyre është ta transferojnë drogën në një kontejner tjetër të caktuar nga banda me ndihmën e një personi të punësuar aty e më pas do të transportohet nga porti me kamion. Dhe ndonjëherë bandat do të presin brenda zonës së portit për një dërgesë droge”, për shkruhet në shkrim.

Image

Kontejnerë “hoteli”

“Kohët e fundit kemi gjetur tre kontejnerë ‘hoteli’”, thotë Kramer. "Mbledhësit mund të qëndrojnë në njërin për ditë të tëra - hanë, pinë dhe bëjnë gjërat e nevojshme atje. Ne gjejmë dyshekë, shishe bosh me ujë, mbështjellës ushqimesh..."

Por të kalosh kohën në një kontejner "hotel", duke pritur që bregu të jetë i pastër, mund të jetë jashtëzakonisht e rrezikshme.

Në fillim të shtatorit, nëntë të rinj e gjetën veten të bllokuar pasi dera e kontejnerit të transportit që ata fshihnin brenda - pjesërisht e mbushur me një ngarkesë me trungje pemësh - u bllokua.

"Nëse jeni të rrethuar me lëndë biologjike si frutat ose druri, këto gjëra ende përdorin oksigjen, që do të thotë më pak për njerëzit brenda - kështu që ajri bëhet më i rëndë", shpjegon Jan Janse, shefi i Policisë Portuale të Roterdamit për BBC-në.

“Normalisht ata kujdesen që të mund ta hapin kontejnerin nga brenda, por diçka nuk shkoi mirë dhe ata nuk mundën të dilnin.

Me rritjen e panikut së bashku me temperaturën, mbledhësit thirrën numrin 112 për shërbimet e urgjencës holandeze”, kujton ai.

"Pra, ne kishim këtë informacion se nëntë njerëz do të vdisnin në një kontejner, por ai është në një terminal midis 100.000 kontejnerëve të tjerë dhe mbledhësit nuk e dinin saktësisht se ku ishin”, thotë Janse.

"Duhej të kontrollonim të gjithë ambientet - kishte helikopterë, shumë policë, doganierë, zjarrfikës, shërbime të ambulancës. Ata ishin me fat që i gjetëm me kohë”.

Image

Rekord pas rekordi

U deshën katër orë. Disa nga burrat u shtruan në spital me vështirësi në frymëmarrje. Por për arsye sigurie Janse, që ka qenë shef policie këtu për shtatë vjet, nuk do të tregojë sesi i gjetën mbledhësit.

“Le të themi se bëmë disa gjëra të zgjuara”, thotë në mënyrë enigmatike.

Në vitin 2014, autoritetet e Roterdamit kapën më shumë se 5000 kg kokainë në port. Deri në vitin 2020 shifra shkoi në 41.000 kg, shkruan BBC-ja.

"Këtë vit ne mendojmë se do të ketë 60.000 kilogramë", thotë Janse. "Ne thyejmë rekordin çdo vit. Nuk jam krenar - është mirë që kapëm kokainën, por çdo vit vjen një sasi më e madhe”.

Dhe lëndët narkotike të kapura në port përfaqësojnë vetëm një pjesë të vogël të importeve të paligjshme.

Në shtator, 110 mbledhës kokaine u kapën në zonën e portit brenda pak më shumë se një jave. Por nëse nuk kapen në flagrancë, ata rrezikojnë vetëm të gjobiten prej më pak se 100 euro për shkelje. Disa mbledhës kokaine mbajnë edhe para në dorë, në mënyrë që të mund të paguajnë gjobat në vend në rast se ndalohen.

"Ne themi: ‘Thjesht po bëjmë një shëtitje të këndshme... Jemi magjepsur nga kontejnerët'", thotë i riu i maskuar që e bën jetesën duke lëvizur narkotikët jashtë portit.

"A kam ndonjë gjë me vete? A kam drogë? Apo mjete? Jo, nuk kam asgjë me mua”, ka treguar në rrëfimin e tij për BBC-në.

Rrjet korrupsioni

Me një gjatësi prej 42 kilometrash, porti i Roterdamit është më i madhi në Evropë. Më shumë se 23.000 kontejnerë mallrash përpunohen këtu çdo ditë. Dhe në qendër të punës së grumbulluesve të kokainës dhe organizatave kriminale, për të cilat ata punojnë, është korrupsioni.

"Nëse vini këtu nesër në mëngjes, ju garantoj se mund të merrni një leje sigurie. Thjesht i thoni një punëtori: ‘Më jep hua lejen tënde deri nesër dhe mund të fitosh 500 euro’”, thotë koleksionisti.

"Është e vështirë të bëjmë punën tonë pa dikë brenda, si një doganier. Ai mund të ketë një kontejner që duhet të kontrollohet, por ai ua heq nga lista e inspektimit”.

Dhe nëse një person i brendshëm refuzon të bashkëpunojë, mbledhësit e përdorin frikësimin.

“Në momentin që një doganier thotë ‘Jo’, ju i kërcënoni fëmijët e tij”, thotë në mënyrë ogurzezë burri i maskuar. "Atëherë ai do të thotë shumë shpejt ‘Po’”.

Andre Kramer thotë se punonjësit e tij janë nën presion, sepse janë në sy të atyre që punojnë për krimin e organizuar.

Kryeprokurori i Roterdamit është i njoftuar me këto histori.

"Kriminaliteti në qytet ka njëfarë lidhjeje me problemin e drogës në port", thotë Hugo Hillenaar për BBC-në. "Ne kemi nga një incident me të shtëna pothuajse çdo ditë. Dhjetë vjet më parë nuk ishte në rrugë. Tani dhuna po rritet”.

Rrjete të superorganizuara

Dhe pasojat e përgjakshme të tregtisë së kokainës shtrihen në mbarë vendin - duke përfshirë atentatin e guximshëm në Amsterdam në korrik të gazetarit më të famshëm të krimit në Hollandë, Peter R de Vries.

"Organizatat kriminale janë shumë mirë të organizuara - ato kanë shefat e tyre ekzekutivë , burimet e tyre njerëzore kanë staf dhe rekrutues", thotë Nadia Barquioua, themeluese e JOZ-it, organizatë që mbështet të rinjtë.

JOZ-i drejton projekte rinore në bregun jugor të Roterdamit - një nga zonat urbane më problematike në Holandë dhe nga vijnë shumë nga mbledhësit e kokainës në qytet. Më shumë se një e katërta e popullsisë është nën 23 vjeç dhe më shumë se gjysma janë me prejardhje emigrante.

Në vitet 1960 dhe 70, emigrantë të vendeve të ndryshme u vendosën këtu, të joshur nga mundësitë e punësimit në port. Por kur aktiviteti industrial u zhvendos në perëndim për të akomoduar megaanijet dhe puna ra, ata që mund të përballonin të largoheshin e bënë këtë, duke lënë një numër të madh familjesh me të ardhura të ulëta.

JOZ-i punon nëpër shkolla, klube dhe në qendra komunitare në përpjekje për të larguar të rinjtë nga krimi.

"Ne duhet t'u tregojmë atyre se të fitosh para në mënyrë normale është shumë më e sigurt sesa në mënyrë kriminale dhe se ata kanë mundësi në qytet", thotë Nadia Barquioua. “Është më e lehtë të rritësh fëmijë të lumtur, sesa të merresh me burra të thyer”.

Ka një numër në rritje të të rinjve që punojnë si grumbullues kokaine në Portin e Roterdamit.

Flitet për një "Krishtlindje të bardhë" në Roterdam - por askush nuk i referohet borës. Përpara sezonit festiv, Hillenaar ka një mesazh për përdoruesit e kokainës.

“Çdo ditë në qytetin e Roterdamit nuhaten 40 mijë vija kokaine”, thotë ai. "Çdo vijë që nuhatni ka një histori dhune, zhvatjeje dhe vdekjeje”.

Për disa të rinj, kërcënimi i dënimit me burg mund t'i shtyjë të mendojnë dy herë përpara se të veshin rroba të errëta dhe të hyjnë në një nga depot e kontejnerëve të Roterdamit. Por duke pasur parasysh paratë e mëdha që ofrohen, të tjerët do të pengohen më pak. Ata e dinë se janë një hallkë jetike në zinxhirin e kokainës në Evropë dhe se ky është një biznes që nuk do të përfundojë së shpejti.

Përgatiti: Gent Mehmeti