Një gjë e mirë mund të thuhet për vitin 2021: nuk ishte aq i trazuar sa viti 2020, i cili u mendua se ishte viti më i keq ndonjëherë. Megjithatë, as sivjet nuk është se pati ndonjë ndryshim të madh krahasuar me vjet. Por dymbëdhjetë muajt e fundit sollën edhe disa lajme të mira, si zbulimi i vaksinës. Megjithatë demokracia po përkeqësohet në gjithë botën, me shtetet që po ndërmarrin veprime jodemokratike dhe të panevojshme për të mbajtur nën kontroll pandeminë, thuhet në raportin e Institutit Ndërkombëtar për Demokraci dhe Ndihmë Zgjedhore (IDEA)
Disa nga këto histori do të vazhdojnë në vitin 2022 dhe më tej, shkruan në hyrje të analizës e përmbledhjes që i ka bërë Këshilli për Marrëdhënie të Jashtme vitit që po e lëmë pas. Dhjetë ngjarjet kryesore janë renditur nga e fundit deri te më e rëndësishmja.
AUKUS
Më 15 shtator, SHBA-ja, Britania dhe Australia arritën partneritet të ri trepalësh sigurie të quajtur AUKUS. Pjesa më e rëndësishme e marrëveshjes ishte zotimi i SHBA-së për t’i ofruar Australisë teknologji për të ndërtuar tetë nëndetëse me energji bërthamore. Por ujdia zemëroi Francën pasi Australia hoqi dorë nga marrëveshje e vitit 2016.
Kriza e emigrantëve
Kriza e migracionit testoi vendet e pasura. Rënia e flukseve të migracionit ndërkombëtar në vitin 2020, e shkaktuar nga COVID-19, vazhdoi në vitin 2021.
Bjellorusia inkurajoi emigrantët që të kalonin territorin e saj për të hyrë në Letoni, Lituani dhe Poloni në përpjekje për t'i bërë presion BE-së, për t'i dhënë fund sanksioneve, që vendosi për të protestuar ndaj zgjedhjeve presidenciale të Bjellorusisë, të manipuluara, të vitit 2020.
Kriza e furnizimit
Këshilli për Marrëdhënie të Jashtme në vendin e shtatë ka renditur krizën e "zinxhirëve të furnizimit", që u bë një term familjar në vitin 2021. Për dekada bizneset besonin se kontraktimi i prodhimit ishte çelësi i suksesit.
Talebanët
Talebanët kthehen në pushtet. Lufta e SHBA-së në Afganistan përfundoi ashtu siç filloi njëzet vjet më parë: me talebanët në pushtet. Në vitin 2020, presidenti Donald Trump arriti një marrëveshje me talebanët për tërheqjen e të gjitha trupave amerikane. Dy javë përpara afatit, Joe Biden urdhëroi që tërheqja e plotë e SHBA-së të përfundonte jo më vonë se 11 shtator 2021- pak pa u mbushur njëzet vjet nga sulmet mbi Kullat Binjake.
Lufta e nobelistit të Paqes
Lufta Civile e Etiopisë po përkeqësohet. Kryeministrit të Etiopisë, Abiy Ahmed, iu dha Çmimi Nobel i Paqes më 2019 për ndërmjetësimin e paqes me Eritrenë fqinje. Më pak se dy vjet më vonë, Etiopia është përfshirë në një luftë të ashpër civile.
Erozioni i demokracisë
Erozioni i qeverisjes demokratike që ka nisur që nga viti 2006, vazhdoi në vitin 2021. Shtetet e Bashkuara, kampione për një kohë të gjatë e demokracisë, panë tranzicionin e tyre paqësor të pushtetit të ndërprerë për herë të parë në historinë e saj nga kryengritja e 6 janarit.
Në dhjetor, presidenti Joe Biden ishte nikoqir i Samitit virtual të Demokracisë, por edhe ai u përball me kritika pasi ftoi liderë vendesh, si India e Modit e Serbia e Vuçiq, që tashmë ka instaluar regjim hibrid.
Demokracia po përkeqësohet në gjithë botën, me shtetet që po ndërmarrin veprime jodemokratike dhe të panevojshme për të mbajtur nën kontroll pandeminë, thuhet në raportin e Institutit Ndërkombëtar për Demokraci dhe Ndihmë Zgjedhore (IDEA).
Kthimi i Amerikës
"Amerika është kthyer” ishte slogani me të cilin Joe Biden fitoi zgjedhjet presidenciale. Këtë frazë e përdori vazhdimisht edhe në vitin 2021. Ai e mori shpejt detyrën për të përmbushur premtimin e tij për të forcuar marrëdhëniet me aleatët e Amerikës.
Vaksina
Historikisht u deshën dhjetë deri në pesëmbëdhjetë vjet për t'u zhvilluar vaksinat. Vaksina më e shpejtë që ishte zhvilluar më parë kërkoi katër vjet. Vaksinat kundër COVID-19 u krijuan në më pak se një vit. Po aq e rëndësishme, vaksinat kryesore, Pfizer dhe Moderna, janë të dyja më shumë se 90 për qind efektive kundër varianteve të hershme të COVID-19”, shkruhet në vlerësim.
Klima
Vendet dështuan përsëri në sfidën e ndryshimeve klimatike.
Në takimin e klimës në Glasgou, në nëntor, vendet u zotuan të ndërmarrin hapa për të adresuar ndryshimet klimatike, duke përfshirë uljen e emetimeve të metanit. Por, zotimet nuk janë arritje të mëdha. Emetimet e karbonit u rritën edhe në vitin 2021.