Botë

Rusia në pritje të përgjigjes së Amerikës

Javën e kaluar Moska paraqiti projekt-dokumentet duke kërkuar që NATO-ja ta mohojë anëtarësimin e Ukrainës dhe shteteve të tjera ish-sovjetike, dhe t’i anulojë vendosjet ushtarake të aleancës në Evropën Qendrore dhe Lindore

Kremlini të premten ka thënë se po pret nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës t’i përgjigjet deri në muajin e ardhshëm kërkesës së Moskës për garanci sigurie që pengojnë zgjerimin e NATO-s në Ukrainë.

Presidenti rus, Vladimir Putin, i ka kërkuar Perëndimit të enjten që “menjëherë” të përmbushë kërkesën e Rusisë, duke e akuzuar SHBA-në dhe aleatët e saj për mbajtjen e një pranie ushtarake “në prag të shtëpisë sonë”.

Javën e kaluar Moska paraqiti projekt-dokumentet duke kërkuar që NATO-ja ta mohojë anëtarësimin e Ukrainës dhe të shteteve të tjera ish-sovjetike, dhe t’i anulojë vendosjet ushtarake të aleancës në Evropën Qendrore dhe Lindore.

“Për të diskutuar depërshkallëzimin, ne presim që kundërshtarët tanë në Washington të ofrojnë përgjigje specifike në propozimet tona në janar”, ka dhënë zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, të premten gjatë një konference me gazetarët.

Moska e ka paraqitur kërkesën e saj mes tensioneve në rritje për një grumbullim trupash në rritje pranë Ukrainës, që ka ngjallur frikën për një pushtim të mundshëm. Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, e ka paralajmëruar Putinin në një video-telefonatë në fillim të këtij muaji që Rusia do të përballet me “pasoja të rënda” në rast se e sulmon Ukrainën.

Rusia ka mohuar planet për të bërë sulme, ama e ka përshkruar zgjerimin e NATO-s dhe vendosjen e armëve në Ukrainë si një “vijë të kuqe”.

Gjatë një konference vjetore maratonë të enjten, Putini ka treguar se bisedimet SHBA-Rusi, që do të fillonin në Gjenevë muajin e ardhshëm, ishin një hap “pozitiv”, mirëpo ai ka bërë të ditur që Moska pret që diskutimi të ketë rezultate të shpejta.

Megjithatë, SHBA-ja dhe aleatët e saj kanë vënë në dukje se nuk do t’i japin Rusisë llojin e atij garantimi mbi Ukrainën që Putini e kërkon. Një parim kyç i NATO-s është se anëtarësimi është i hapur për çdo vend kualifikues. Zyrtarët amerikanë janë në bisedime me aleatët evropianë para atyre bisedimeve në Gjenevë.

Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, ka thënë të premten se vendi i tij duhet të jetë pjesë e çdo bisedimi për sigurinë e NATO-s me Rusinë.

“Siguria euro-atlantike është me rrezik në Ukrainë, andaj Ukraina duhet të jetë pjesë e konsultimeve të sigurisë për këtë çështje”, ka shkruar Kuleba në “Twitter”. “Ne e mbështesim idenë e SHBA-së, BE-së dhe NATO-s për bisedime me Rusinë për aq kohë sa tema kryesore do të jetë përfundimi i një konflikti të armatosur kombëtar, pra lufta e Rusisë për Ukrainën”.

Zëdhënësi i Kremlinit, Peskov, hodhi poshtë shqetësimet e Perëndimit rreth përqendrimit të trupave ruse pranë Ukrainës, duke thënë se vendi ka të drejtë të vendosë ushtrinë e vet kudo që e konsideron të nevojshme në territorin e vet. Ai ka paraqitur lëvizjet e fundit si mbrojtje ndaj provokimeve të Perëndimit.

Ai ka shtuar se kjo “e shkakton shqetësimin tonë të thellë dhe na detyron që të marrim masa të caktuara për ta mbrojtur sigurinë tonë”.

“Çka do që Rusia bën me trupat e vet, e bën në territorin e saj. Dhe ne nuk mund të lejojmë askënd të sfidojë këtë të drejtë sovrane”, ka theksuar Peskov.