Botë

Evropianët rivendosin kufizimet ndërsa Omicroni përfshin kontinentin

Kombet në të gjithë Evropën po lëvizin për të rivendosur masa më të ashpra për të frenuar një valë të re infeksionesh me COVID-19 të nxitur nga varianti shumë i transmetueshëm Omicron.

Ndërsa numri i rasteve u përshkallëzua, ministrat e alarmuar në Francë dhe Austri shtrënguan kufizimet e udhëtimit. Parisi anuloi fishekzjarrët e Vitit të Ri. Danimarka mbylli teatrot, sallat e koncerteve, parqet argëtuese dhe muzetë. Irlanda vendosi një orë kufizimi nga 20:00 në bare dhe frekuentim të kufizuar në ngjarje të brendshme dhe të jashtme.

Kryeministri irlandez Micheal Martin ka thënë se kufizimet e reja ishin të nevojshme për të mbrojtur jetët dhe mënyrën e jetesës nga virusi.

"Asnjë nga këto nuk është e lehtë", tha Martin të premten mbrëma. “Ne të gjithë jemi të rraskapitur nga COVID-i dhe kufizimet që ai kërkon. Kthesat, zhgënjimet dhe frustrimet kanë një kosto të rëndë për të gjithë. Por është realiteti me të cilin po përballemi”.

Kombet e tjera mund të shkojnë më tej. Ministrat e qeverisë holandeze po takohen të shtunën për të diskutuar këshillat nga një panel ekspertësh të cilët po rekomandojnë një ashpërsim të bllokimit të pjesshëm që tashmë është në fuqi, raporton AP.

Në Mbretërinë e Bashkuar qeveria tashmë ka rivendosur një kërkesë që maskat të mbahen në ambiente të mbyllura dhe ka urdhëruar njerëzit të tregojnë prova të vaksinimit ose një test të fundit negativ të koronavirusit kur shkojnë në klube nate dhe ngjarje të mëdha. Tani shkencëtarët po paralajmërojnë se qeveria duhet të shkojë më tej për të parandaluar që spitalet të mbingarkohen.

Britania dhe vendet e tjera po përshpejtojnë gjithashtu ritmin e injektimeve përforcuese pasi të dhënat e hershme treguan se dy doza të vaksinës ishin më pak efektive kundër variantit Omicron. Qendrat tregtare, katedralet dhe stadiumet e futbollit në Britani janë shndërruar në qendra të vaksinimit masiv.

Në Francë, qeveria njoftoi se do të fillojë dhënien e vaksinës për fëmijët e grupmoshës 5 deri në 11 vjeç duke filluar nga e mërkura. Kryeministri Jean Castex tha të premten se me variantin Omicron që përhapet si "rrufe", qeveria propozoi që të kërkohet dëshmi e vaksinimit për ata që hyjnë në restorante, kafene dhe institucione të tjera publike. Masa është në pritje të miratimit nga Parlamenti.

Demonstratat janë planifikuar të shtunën në Paris për të shprehur kundërshtimin ndaj lejes së re të vaksinës dhe kufizimeve të vazhdueshme të qeverisë. Protestat janë parashikuar të zhvillohen edhe në Torino të Italisë.